Ndërlidhjet

Stafi i tepërt në administratën publike do të bartet në sektorin privat


Qendra për dokumentet personale në Shkup. Foto nga arkivi.
Qendra për dokumentet personale në Shkup. Foto nga arkivi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut synon që të ulë numrin e të punësuarve në administratën publike, duke transferuar në pjesë të punonjësve në sektorin privat.

Ministria e Administratës Publike dhe Shoqërisë Informative është zotuar se deri në fund të këtij viti, çdo institucion publik, do të përgatisë një regjistër me numrin e të punësuarve dhe do të përcaktojë se sa është numri i punonjësve që do të barten në sektorin privat.

Në Maqedoni të Veriut mundojnë të dhënat se sa punëtorë në administratë janë tepricë, nga 130 mijë sa janë të punësuar në të gjitha institucionet shtetërore. Organizatat joqeveritare thonë se administrata shtetërore është shndërruar në “strehimore” për partitë politike në pushtet, pasi sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, mbi 20 për qind e nëpunësve në administratë janë pa detyrë të caktuar ose nuk janë efikas në zbatimin e detyrave të tyre.

Ministri i Administratës, Damjan Mançevski, ka njoftuar se qeveria parashikon që numrin i tepërt i të punësuarve në administratën shtetërore të kalojë në sektorin privat. Sipas tij, kompanitë që do të punësojnë këta persona, do të marrin subvencione. Përderisa, efikasitetin në administratën shtetërore, ministri Mançevski ka thënë se do ta ngrenë përmes evidencave që do të bëhen, ku do të kontrollohet çdo punëtor se çfarë ka punuar brenda muajit.

“Kemi shumë propozime. Njëra nga to ka të bëjë me pagesën e kontributeve (sigurimin pensional, shëndetësor) për një kohë të caktuar për ata punonjës të administratës, të cilët është konstatuar se ka nevojë në sektorin publik dhe kompanitë private u sigurojnë këtyre (punëtorëve) paga më të larta. Si pjesë e masa, pakoja e dytë e ofertës është propozimi i dalë nga vetë odat ekonomike, e që ka të bëjë me subvencionimin e rikualifikimit të të punësuarve në administratë, për të qenë më konkurrues në tregun e punës”.

“Masa e tretë përfshin mjete financiare, një shumë të caktuar parash, për ata punonjës (të administratës) që vullnetarisht pranojnë të largohen nga puna”, ka sqaruar ministri Mançevski.

Por, njohësit e kësaj fushe, masat e propozuara nga qeveria i shohin me skepticizëm, pasi sipas tyre, sektori privat nuk ka kapacitet të pranojë punonjës të administratës, që sipas ekspertëve, janë mësuar që të kenë pagë të sigurt dhe pak angazhim në vendin e punës.

“Masa e ndërmarrë nga qeveria për transferimin e punëtorëve të administratës në sektorin privat, paraqet një veprim të ‘butë’ dhe përveç kësaj, ky lloj transferimi nuk ka bazë ligjore. Ligji për nëpunës publikë dhe Ligji për nëpunës administrativ, lejon vetëm parimin e mobilitetit, apo lëvizjes, transferimit vetëm brenda sektorit publik dhe jo atij privat, paraprakisht në bazë të pëlqimit të dy institucioneve dhe nëpunësit".

"Në këto rrethana, qeveria do të tentojë që në bazë të disa masave të joshë një pjesë të nëpunësve, që me gjasë do të jetë një numër i vogël, që të kalojnë në sektorin privat. Aktualisht nëse e marrin parasysh sesa është kapaciteti real dhe zhvillimor i sektorit privat në vendin tonë, nuk besoj se një numër i madh i punonjësve të administratës publike të pranojnë një vendim të tillë për t’u transferuar në sektorin real (privat)”, thotë për Radion Evropa e Lirë, profesori universitar, Argëtim Saliu.

Nga sektori privat, transferimin e punëtorëve nga sektori publik e shohin problematik, pasi siç thonë ata, për shkak të “komoditetit” që këtyre punëtorëve u është ofruar në institucionet shtetërore.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut nënvizojnë se është e qartë që qeveria po synon që ta zgjidhë problemin me administratën e mbingarkuar, por me këto masa të propozuara, thonë se vetëm një numër i vogël i punonjësve të sektorit publik do të kalojnë në atë privat.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azevski, thotë se mjafton që të merret një model të shteteve evropiane, ku puna në administratë publike nuk shihet si privilegj sepse pagat përkufizohen në bazë të punës dhe kualifikimit.

“E kemi një zgjidhje që tani aplikohet në Bullgari, ku punonjësit që punojnë për institucionet e BE-së dhe janë të kualifikuar, kanë paga shumë më të larta krahasuar me ata që punojnë në institucionet lokale që paguhen, dy-tre fish më pak”, thotë Azevski.

Ndryshe, analizat që ka bërë Ministria e Administratës së Maqedonisë së Veriut, kanë nxjerrë në pah se administrata publike është e stërngarkuar dhe se mungon kuadri i menaxherëve, inxhinierëve të teknologjisë informative, ekonomistë dhe juristë me përvojë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG