Në fokus të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit – Antikorrupsioni, mbeten punësimet e të afërmve të zyrtarëve të lartë të shtetit, avancimi në detyrë nga ana e presidentit të shtetit për një pjesë të strukturave të armatës së Maqedonisësë Veriut në kohën kur janë shpallur zgjedhjet presidenciale në gazetën zyrtare duke ngritur dyshime për shkeljen e Kodit Zgjedhor.
Anëtarët e Komisionit për parandalimin e korrupsionit kanë theksuar se për ta, kontestuese mbetet se presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov, ka ngritur në detyrë persona të caktuar të Armatës, në kohën kur në gazetën zyrtare janë shpallur zgjedhjet presidenciale, andaj nga dikasteri i Mbrojtjes kanë kërkuar dokumentacion plotësues për të verifikuar nëse avancimet janë në kundërshtim me ligjin përkatësisht Kodin Zgjedhor.
“Propozojmë që të hapet procedurë dhe nga kabineti i presidentit të shtetit dhe nga Ministria e Mbrojtjes të kërkohet dokumentacion plotësues lidhur me emërimet e fundit që janë bërë nga ana e presidentit të shtetit. Të shohim se për çka bëhet fjalë”, ka theksuar kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska.
Ndryshe, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorgje Ivanov, në Gazetën Zyrtare, ka paraqitur gjashtë dekrete për avancim dhe emërim në hierarkinë më të lartë të Armatës së Maqedonisë së Veriut: shefi gjeneral i shtabit, Vasko Gjurçinovski, merr titullin gjeneral nënkolonel, ndërkohë gjeneral Mirçe Gjorgjoski është emëruar përfaqësues i armatës në NATO, Dragan Kovaçki është emëruar komandant i Parë i brigadës të këmbësorisë, Besnik Emini, kolonel i shtabit të komandës operative të Përbashkët, dhe kolonel Marijo Gjurishiq emërohet për atashe lufte në Francë.
Nga kabineti i presidentit të Maqedonisë së Veriut nuk shohin asgjë kontestuese në avancimin e strukturave udhëheqës të shtetit duke shpjeguar se bëhet fjalë për obligim të rregullt që është nën kompetenca të Presidencës, siç thonë, në mënyrë që të mundësohet funksionim pandërprerë i shtetit.
“Gjatë miratimit të gjashtë dekreteve, janë respektuar dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe dispozitat e Ligjit për parandalim të korrupsionit”, kanë thënë nga Presidenca, duke shtuar se e nxisin Komisionin për parandalimin e korrupsionit që të procedojë rastin në fjalë me çka siç thonë, do të largoheshin spekulimet në opinion.
Komisioni për parandalimin e korrupsion në bazë të ankesave të qytetarëve anonimë, ka shqyrtuar dhe punësimet e ashtuquajtura mbi bazë të afërsisë partiake.
Komisioni për parandalimin e korrupsionit gjatë mbledhjes të së enjtes ka kërkuar nga të gjitha institucionet publike që të dorëzojnë të dhëna për personat e emëruar, që të futen në regjistrin e Anti-korrupsionit, duke paralajmëruar se për mospërmbushjen e këtij detyrimi, do të sanksionohen.
Lista anketuese do të duhet të dorëzojnë të gjithë noterët përmbaruesit dhe administratorët.
Komisioni për Parandalim të Korrupsionit, pas njoftimit ditë më parë se ka hapur procedurë kundërvajtësve ndaj Aziz Pollozhanit, i cili është rektor i universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, gjatë mbledhjes të së enjtes, ka bërë të ditur se ka hapur procedurë kundërvajtësve për rreth 30 dekanë dhe profesorë universitarë në Maqedoninë e Veriut. Kjo për shkak se nuk e kanë respektuar obligimin ligjor për të dorëzuar listat anketuese në Komisionin për Parandalimin e korrupsion për çka janë të obliguar menjëherë pasi të marrin funksionin.
Për mosdorëzimin e listave anketuese, punonjësit në institucionet e larta arsimore do duhet të paguajnë gjobë prej 300 deri në 500 euro.