Ndërlidhjet

72 orët e Kurtit dhe Mustafës


Foto nga arkivi - Isa Mustafa nga LDK dhe Albin Kurti nga LVV
Foto nga arkivi - Isa Mustafa nga LDK dhe Albin Kurti nga LVV

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, patën paralajmëruar se do të jenë të mjaftueshme 72 orë për të arritur një marrëveshje për krijimin e koalicionit qeverisës, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Do të takohemi për ta kryer, brenda 72 orëve apo më pak se 100 orëve, marrëveshjen tonë përfundimtare për koalicionin e ardhshëm qeverisës”, pati thënë Kurti më 22 nëntor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 nëntor, ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit. Megjithatë, të dy partive, u kanë mbetur pak më shumë se 72 orë, deri në mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës, për të arritur eventualisht një marrëveshje për koalicion qeverisës.

Më 26 dhjetor pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Arbërie Nagavci, anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë që pritjet në subjektin e saj politik kanë qenë që marrëveshja për koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës do të arrihet shpejt, marrë parasysh që kjo e fundit kishte deklaruar se për një marrëveshje duhet vetëm të certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

“Kemi pritur që marrëveshja do të arrihet më shpejtë dhe jemi angazhuar për këtë. Por, LDK-ja, si duket ka pasur nevojë për më shumë kohë dhe ne besojmë dhe shpresojmë që kjo të mos zgjasë më shumë se data 26 dhjetor, kur edhe duhet të bëhet konstituimi i Kuvendit”, tha Nagavci.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se do të shfrytëzohet koha para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, për të diskutuar me Lëvizjen Vetëvendosje, që të tejkalohet kjo situatë dhe të nënshkruhet marrëveshja.

“Jemi afër, besoj shumë. Por, palët, si duket, po kanë nevojë edhe më tutje që të diskutojnë për zgjedhjen e presidentit, duke u koordinuar në mes nesh, në mes dy partive kryesore që do të ndërtojnë koalicion për ndryshimin në Kosovë. Vullneti i të dy palëve është i mirë, që të gjendet zgjidhja dhe të përfundojnë marrëveshjen”, tha Haziri.

Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tash e disa javë janë duke biseduar për arritjen e një marrëveshje për koalicion qeverisës. Siç kanë deklaruar të dy partitë, ato kanë arritur të harmonizojnë programin qeverisës dhe të merren vesh për numrin e dikastereve me të cilat do të qeverisin. Por, posti i presidentit, pas skadimit të mandatit në vitin 2021, mbetet nyja ende e pazgjidhur ndërmjet dy subjekteve politike.

Lidhja Demokratike e Kosovës, është duke insistuar që për postin e presidentit të vendosë ajo, por, pa dhënë ndonjë emër konkret. Ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje, fillimisht ka thënë se për presidentin duhet biseduar në kohën kur skadon mandati i tij, si dhe ka kërkuar që të dijë se kush do të jetë i propozuari nga LDK-ja për postin e presidentit.

Nagavci thekson që Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të japë zotimin për diçka, e cila nuk varet krejtësisht nga ajo.

“E tëra që ne mund të zotohemi do të ishte që do të kemi një angazhim të përbashkët për gjetjen e një kandidati, i cili është krejtësisht konsensual. Pra, do të jetë një angazhim i joni, që bashkë me partnerin qeverisës të arrijmë edhe në atë fazë. Por, nuk mund të japim sot një zotim ‘të pastër’ për një çështje, e cila, dorën në zemër edhe nuk varet krejtësisht vetëm prej nesh, sepse të gjithë e dimë se duhet të jemi 80 deputetë të pranishëm në Kuvend e që ne bashkë me LDK-në nuk i bëjmë 80 deputetë”, tha Nagavci.

Haziri shpreson që të gjitha elementet e marrëveshjes për koalicion qeverisës, do të sqarohen dhe zgjidhen para datës 26 dhjetor.

“Realisht, do të jetë e panatyrshme që për një pozicion të vonohet arritja e marrëveshjes. LDK-ja ka nevojë të bisedojë edhe më tutje dhe të arsyetojë qëndrimin lidhur me zgjedhjen e presidentit”, u shpreh Haziri.

Të dy partitë, nuk kanë saktësuar se kur mund të ketë një takim të ardhshëm të liderëve të tyre, me synimin për të arritur një marrëveshje për koalicion qeverisës.

Konstituimi i Kuvendit pritet të ndodhë më 26 dhjetor, por në rast se nuk do të ketë një marrëveshje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk përjashtohet mundësia që ky konstituim të shtyhet deri në finalizimin e një marrëveshjeje për koalicion qeverisës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG