Ndërlidhjet

Shtuni: Gratë që shkuan në Siri nuk duhet të shihen vetëm si viktima


Shtuni: Gratë që shkuan në Siri nuk duhet të shihen vetëm si viktima
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:39 0:00

Shtuni: Gratë që shkuan në Siri nuk duhet të shihen vetëm si viktima

Në muajin prill të këtij viti, autoritetet e Kosovës riatdhesuan 110 kosovarë të cilët kishin mbetur në Siri.

Kthimi i një numri kaq të madh të qytetarëve nga Siria, e bëri Kosovën lajm botëror, pasi shumë shtete evropiane kishin hezituar apo edhe refuzuar që t’i kthenin në vendet e tyre qytetarët që u kanë mbetur në territorin e Sirisë.

Eksperti ndërkombëtar për terrorizimin, Adrian Shtuni, thotë se kthimi i 110 kosovarëve ishte veprim i drejtë i institucioneve të Kosovës, por ai beson se procesi i integrimit dhe rehabilitimit të të kthyerve do të jetë sfidë mjaft e rëndë për institucionet kosovare.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Shtuni tha se është krijuar një interpretim i gabueshëm se gratë e kthyera nga Siria kanë qenë viktima të mashtrimit nga bashkëshortët e tyre.

Ai thotë se shumica prej tyre kanë qenë të vetëdijshme për veprimin që kishin ndërmarrë.

“Kthimi në vetvete i fëmijëve ka qenë një veprim mjaft i mirë. Sa u përket grave kam përshtypjen se ka një keqkuptim në mënyrën se si interpretohen vetëm si viktima. Gratë nuk janë viktima, disa janë, disa nuk janë, disa ndoshta janë marrë edhe pa vetëdijen e tyre deri diku dhe janë dërguar atje edhe nga bashkëshortët e tyre, por një pjesë e mirë e tyre kanë shkuar edhe pa bashkëshortët. Madje ka raste të tilla që mund të kenë marrë edhe fëmijët pa lejen e bashkëshortit dhe kanë shkuar”, tha Shtuni.

Operacioni i kthimit të 110 kosovarëve ishte realizuar në muajin prill të këtij viti ku institucionet e Kosovës kthyen nga Siria 110 kosovarë në mesin e tyre katër luftëtarë të huaj, 32 gra dhe 74 fëmijë.

*Video: Rrugëtimi i 110 kosovarëve nga Siria në Kosovë

Katër luftëtarët e huaj si dhe disa nga gratë e këtij grupi do të përballen me procese gjyqësore pasi Prokuroria Speciale e Kosovës u ka ngritur atyre aktakuza për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste”.

Eksperti ndërkombëtar për terrorizmin, Adrian Shtuni, thotë se deradikalizimi i personave të kthyer, duhet të përfshijë të gjitha moshat, përfshi edhe fëmijët e kthyer.

“Numri i fëmijëve që kanë lindur atje është me qindra, pra edhe nëse ata nuk janë drejtpërdrejt të radikalizuar dhe kjo është nëse sepse duhet të testohet të provohet çdo individ, nuk mund të flitet në përgjithësi edhe nëse nuk janë drejtpërdrejt të dedikuar për kryerjen e akteve ekstremiste të dhunshme ata janë të prekur direkt apo indirekt nga fenomeni, nga trauma. Prandaj thash problemi është më i madh seç ka qenë kur janë larguar qytetarët e Kosovës pasi edhe numrat tashmë të të prekurve nga ky fenomen drejtpërdrejt ose indirekt janë më të mëdhenj”, tha Shtuni.

Puna me këto kategori, sipas Shtunit, do të jetë mjaft e vështirë për institucionet e Kosovës. Ai thotë se Kosova ka mungesë të fondeve dhe kapaciteteve profesionale. Shtuni thotë se Kosova duhet të mësojë që të jetojë me këtë problematikë, sepse sipas tij, me shpartallimin e grupit militant Shteti Islamik nuk është zhdukur edhe ideologjia.

“Kjo ideologji që vazhdon të shpërndahet edhe në gjuhën shqipe në videot të cilat çdo ditë, çdo javë dalin të reja, tregon që kanë një treg, ka një tërheqje, ka një nevojë në këtë hapësirë nga audiencat shqipfolëse për materiale të tilla dhe kjo është shumë shqetësuese”, tha Shtuni.

Në pjesën e dytë të vitit 2019, Prokuroria Speciale e Kosovës ka qenë mjaft aktive sa i takon ngritjes së aktakuzave ndaj personave të kthyer nga Siria.

Nga fillimi i konfliktit të armatosur në Siri dhe Irak, Kosova printe në rajon me numrin më të lartë të qytetarëve që udhëtuan drejt zonave të luftës.

Në total, numri i kosovarëve që shkuan në Siri dhe Irak, llogaritet të jetë rreth 400 duke përfshirë burra, gra dhe fëmijë.

Përveç Kosovës, një nga shtet e rajonit që riatdhesoi numër të lartë të qytetarëve nga Siria është edhe Bosnje e Hercegovina.

Më 19 dhjetor, institucionet e këtij vendi riatdhesuan gjashtë gra, 12 fëmijë dhe 7 burra, të cilët deri në atë kohë kishin qenë në kampe dhe burgje të ndryshme të Sirisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG