Ndërlidhjet

Certifikohet rezultati i zgjedhjeve, pason faza e formimit të Kuvendit dhe Qeverisë


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se mund të procedohet me certifikim pasi që kanë marrë konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme se nuk ka më ndonjë çështje për të shqyrtuar që do të ndikonte në rezultatin final.

“Në bazë të rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje, ka marrë 26.27 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës 24.54 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 21.23 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në koalicion me Partinë Socialdemokrate ka marrë 11.51 për qind, Lista Serbe 6.40 për qind të votave dhe Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë ka 5.002 për qind", ka njoftuar Daka.

Bazuar në numrin e votave të fituara, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 29 deputetë në Kuvendin e Kosovës, LDK-ja 28, PDK-ja, 24 deputetë, koalicioni AAK-PSD, 13, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë 6 deputetë.

Ndërkaq, nga komunitetet joshumicë, Lista Serbe 10 deputetë, si dhe 10 vende kanë fituar së bashku të gjitha partitë e minoriteteve joserbe.

Pas certifikimit të rezultateve, KQZ do ta njoftojë zyrtarisht presidentin e Kosovës lidhur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve që hap dyert për konstituimin e institucioneve të reja të vendit.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera joshumicë.

Neni 66 i Kushtetutës së Kosovës e parasheh mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Aty përcaktohet se Kuvendi zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditëve nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. E në rast se ai nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e presidentit.

Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët (Kryesinë e Kuvendit).

Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kurse tre nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përderisa dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Pas konstituimit të Kuvendit, pason procedura tjetër, ajo e formimit të Qeverisë së Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë zhvilluar takime për formim të qeverisë së re. Liderët e këtyre dy partive politike janë zotuar se shumë shpejt do të arrijnë marrëveshjen për formimin e Qeverisë.

XS
SM
MD
LG