Ndërlidhjet

Athina kërkon nga Shkupi zbatimin e përpiktë të Marrëveshjes për emrin


Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias dhe ai maqedonas, Nikolla Dimitrov. Shkup, 26 nëntor, 2019.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias dhe ai maqedonas, Nikolla Dimitrov. Shkup, 26 nëntor, 2019.

Greqia kërkon nga Maqedonia e Veriut zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës me të cilën është zgjidhur kontesti shumëvjeçar për emrin mes dy shteteve. Gjatë vizitës së parë Shkup, shefi i diplomacisë greke, Nikos Dendias ka thënë se marrëdhëniet mes dy vendeve bazohen në këtë marrëveshje që paraqet nxitje për një zhvillim dhe prosperitet më të madh të dy popujve.

“Raportet tona dypalëshe kalojnë përmes Marrëveshjes së Prespës. Veç më shohim një përparim të theksuar në zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe vlerësojmë se ka nevojë për përshpejtimin e zbatimit të saj. Respektimi i saj është një parakusht për një kurs të qetë evropian të Maqedonisë së Veriut, prandaj duhet të zbatohet plotësisht dhe në mënyrë të vazhdueshme. Zbatimi i plotë i marrëveshjes nënkupton heqje dorë nga provokimet e së kaluarës, konsolidimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe respektin e ndërsjellë. Pra, është një shtysë shtesë për një zhvillim dhe prosperitet më të madh të kombeve tona”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, pas takimit me homologun maqedonas, Nikolla Dimitrov.

Shefi i diplomacisë greke gjithashtu ka theksuar interesimin e Athinës zyrtare për integrimin e Maqedonisë së Veriut duke i dhënë kështu mbështetje hapjes së negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Ai ka thënë se edhe pala greke është e brengosur për mosdhënien e datës për shkak të bllokimit të Francës, por kjo sipas tij nuk duhet të dekurajojë shtetet aspirante për të vazhduar me kursin e reformave në përputhje me vlerat evropiane.

“Ne kemi dhënë mbështetjen për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Ne po punojmë për këtë dhe kemi ndërmarrim nisma konkrete, në konsultim me të gjithë partnerët tanë evropianë, me qëllim që të marrim një vendim pozitiv në Union sa më shpejt të jetë e mundur. Sigurisht, se Republika e Maqedonisë së Veriut nuk duhet të ngadalësojë intensitetin e përpjekjeve për të përmbushur standardet evropiane. Gjithashtu duhet ta keni të qartë se te Greqia do të keni një mbështetës të fortë në këtë përpjekje tuaj për integrim evropian”, ka deklaruar, Dendias.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov tha se Shkupi është i përkushtuar në zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjes së Prespës dhe këtë proces nuk do ta pengojnë as zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Me rëndësi është të theksohet se Marrëveshja e Prespës është pjesë e sistemit tone juridik andaj edhe ato duhet të zbatohet. Lajmi i mire është se opozita nuk do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme. Marrëveshja praktikisht ka hapur një potencial të madh në bashkëpunimin mes dy shteteve evropian”, ka deklaruar shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Dimitrov.

Takimi i dy ministrave të jashtëm vjen pas takimit në Athinë më 14 nëntor të kryeministrave, Zoran Zaev, Kyriakos Mitsotakis, të cilët gjithashtu u shprehën të gatshëm për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.

Shkupi dhe Athina, Marrëveshjen për emrin e kanë arritur më 17 qershor të vitit 2018. Ajo ishte vlerësuar si historike ndërsa Maqedonia ka ndryshuar emrin në Maqedoni të Veriut.

Me këtë marrëveshje besohej se do të zhbllokohej procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE, por në samitin e Këshillit Evropian më 18 tetor, ajo nuk mori datën e nisjen e bisedimeve për anëtarësim për shkak të mosdhënies së pëlqimit nga Franca.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG