Ndërlidhjet

Shkupi dhe Athina zotohen për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës


Ilustrim.
Ilustrim.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka realizuar takimin e parë me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, pas zgjedhjes së tij në krye të qeverisë greke.

Në takimin e zhvilluar në Athinë është biseduar për dinamikën e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, e cila kundërshtohej nga Mitsotakis deri sa ishte në opozitë.

Kryeministri maqedonas, Zaev ka thënë se përveç marrëveshjes për emrin është biseduar edhe për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, dhe se me këtë rast, ka siguruar mbështetjen e Greqisë për marrjen e datës së bisedimeve të anëtarësim.

“Theksuam se Marrëveshja e Prespës duhet të zbatohet sipas dinamikës së paraparë dhe për këtë po punojnë të dyja palët. Mua më vjen shumë mirë që kryeministri grek do të luftojë për vendin tonë që përfundimisht të merr datën për nisjen e bisedimeve”, ka deklaruar kryeministri Zaev, pas takimit me homologun e tij grek.

Shkupi dhe Athina, marrëveshjen për emrin e kanë arritur më 17 qershor të vitit 2018. Me këtë marrëveshje - që ishte vlerësuar si historike për shkak të kontestit prej mëse dy dekada - Maqedonia ka ndryshuar emrin në Maqedoni të Veriut.

Marrëveshja ka zhbllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE.

Zbatimi i marrëveshjes është paraparë në disa faza, apo paralelisht me procesin e integrimit evropian.

Marrëveshja mes dy vendeve është mbështetur fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare ndërsa SHBA-ja ka thënë se ajo është garantuese e stabilitetit në rajon.

Edhe pse pas arritjes së saj ishte menduar se Bashkimi Evropian do t’i ofrojë Maqedonisë së Veriut datën e nisjes së negociatave për anëtarësim, kjo nuk ndodhi gjatë takimit të Këshillit Evropian më 18 tetor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG