Ndërlidhjet

Kosova bëhet gati t’i kthejë edhe rreth 100 persona tjerë të mbetur në Siri


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Qeveria e Kosovës është duke bërë përgatitjet e fundit për t’i kthyer në Kosovë rreth 100 kosovarë të tjerë të cilët gjenden në Siri, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ,ministri në detyrë, Mustafa, tha se nuk mund të japë shumë detaje, por aktualisht po zhvillohen bisedime me Turqinë rreth kthimit të këtyre personave.

“Në detaje nuk mund të prononcohem. Por, tash jemi shumë të interesuar me shtetin turk, mos ndonjë nga personat (kosovarët) që kanë qenë nëpër kampe ka kaluar në pjesën turke”, tha Mustafa.

“Përafërsisht dihet numri, por nuk është numër i madh tash, sepse 110 i kemi sjellë në Kosovë. Aty diku sillet edhe numri i personave të tjerë (që pritet të kthehen)”, thotë Mustafa.

Në muajin prill të këtij viti, institucionet kthyen në Kosovë 110 kosovarë, në mesin e tyre katër luftëtarë që ishin pjesë e organizatave terroriste në Siri, 32 gra dhe 74 fëmijë.

*Video nga arkivi: Rrugëtimi i 110 kosovarëve nga Siria në Kosovë

Ministri Mustafa tha se institucionet kanë informacione për personat që gjendën në Siri dhe që pritet të kthehen në Kosovë. Sipas tij, në këtë grup ka më shumë luftëtarë për dallim prej operacionit të parë të realizuar në muajin prill, përmes së cilit në Kosovë ishin kthyer vetëm katër luftëtarë.

“Në kontingjentin e dytë ka më shumë persona që kanë marrë pjesë në luftë, por megjithatë më shumë ka fëmijë dhe gra”, tha Mustafa.

Kthimi i 110 kosovarëve në muajin prill ishte bërë përmes ndihmës së ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në partneritet me SHBA-në, autoritetet e Kosovës po e planifikojnë edhe operacionin e ri, mirëpo për afatet kohore dhe mënyrën e zhvillimit të operacionit, ministri Mustafa refuzoi të tregojë apo jep më shumë informata.

“Sikurse që ka qenë i kaluari. Do të thotë ne e marrim përgjegjësinë e integrimit, transferimit, të mbajtjes 72 orësh, transferimit nëpër vendbanimet e tyre. Nëse ka persona që nuk kanë vendqëndrim të përhershëm, për shembull nëpër familjarë ose diku, ju organizojmë edhe vendbanim të përhershëm. Është një fond i posaçëm që është i destinuar vetëm për këtë problematikë”, thotë Mustafa.

Njohësit e fushës së sigurisë në Kosovë, thonë se është i domosdoshëm verifikimi i rrezikshmërisë për çdo person që mund të kthehet nga Siria në Kosovë, sidomos atyre që dyshohet se kanë qenë pjesë e grupeve terroriste.

Shpat Bala nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se integrimi i personave të kthyer është sfidë e madhe për Kosovën, pasi ende nuk dihet nëse ka sukses riintegrimi i grupit të parë prej 110 kosovarëve që u kthyen nga Siria në muajin prill të këtij viti.

“Mendoj se duhet të ndodh siç ka ndodhur me procesin e parë, ku veçse e kanë bërë njëfarë vlerësimi për gratë të cilat janë kthyer dhe ende janë duke vazhduar hetimet. Pra, unë mendoj që duhet pasur pak a shumë të njëjtën qasje që para se të vijnë këta persona në Kosovë, duhet të vlerësohet rrezikshmëria e tyre dhe duhet që rrjedhimisht të zbatohet ligji që shumica prej tyre i bjen se duhet të vuajnë dënimet për veprat që lidhen me terrorizimin dhe pjesëmarrjen në luftërat e huaja”, tha Bala.

Suksesi i procesit të riintegrimit të të kthyerve nga Siria, sipas Shpat Balës nga QKSS, varet edhe nga faktorë të tjerë, siç janë, gatishmëria e shoqërisë që t’i pranojë këta persona në komunitetin e tyre e po ashtu edhe nga fakti se sa institucionet do të krijojnë mundësi të kontrollit e më pastaj edhe sistemimit të tyre në tregun e punës.

Puna më e vështirë për institucionet, sipas Balës, do të jetë me luftëtarët e huaj që mund të kthehen në Kosovë, marrë parasysh se disa të tillë që janë aktualisht në burgje duke vuajtur dënimet, kanë refuzuar programet e riintegrimit.

“Disa nga aktivitetet që janë ndërmarrë brenda burgjeve veçse janë refuzuar nga të burgosurit, siç është ligjërimi i imamëve të Bashkësisë Islame të Kosovës. Për këtë arsye mendoj se duhet që institucionet të jenë më të koncentruara në Shërbimin Korrektues të Kosovës në mënyrë që t’i ofrojnë mekanizmat e nevojshëm që të jetë i mundur riintegrimi i këtyre personave”, tha Bala.

Video: Trajtimi psikologjik i të kthyerve nga Siria

Nga fillimi i konfliktit në Siri në vitin 2012, drejt Sirisë dhe Irakut udhëtuan rreth 400 kosovarë duke përfshirë burra, gra dhe fëmijë.

Më shumë se 70 kosovarë u vranë duke luftuar krah organizatave terroriste, përkatësisht, grupit militant Shteti Islamik (IS).

Personat që arritën që të kthehen në Kosovë u përballën me procese gjyqësore, disa prej të cilëve janë duke vuajtur dënimet, ndërkohë që duke u hetuar janë edhe 32 gratë që u kthyen në muajin prill nga autoritetet kosovare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG