Ndërlidhjet

Prokuroria i vazhdon hetimet për zarfet edhe pas rezultateve të QKUK-së


Ekipi emergjent nga QKUK para Ministrisë së Infrastrukturës ku u raportua për alergji., 13 tetor 2019
Ekipi emergjent nga QKUK para Ministrisë së Infrastrukturës ku u raportua për alergji., 13 tetor 2019

Instituti i Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Klinika Infektive në Prishtinë, kanë dalë me rezultatet e analizave për 12 personat të cilët, të dielën më 13 tetor, janë hospitalizuar në Klinikën Infektive, pasi që u ishin paraqitur reaksione alergjie teksa po verifikonin zarfet e votave të ardhura nga Serbia.

Gjatë procesit të verifikimit, atyre, sipas informatave nga autoritetet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u ishin paraqitur reaksione, si kruarje, skuqje në fytyrë dhe shenja të një lloj alergjie.

Rezultatet e analizave, sipas zyrtarëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, e kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë infeksioni apo sëmundjeje ngjitëse te këta persona.

Rezultatet e analizave, janë prezantuar 48 orë pasi që ata ishin shtrirë në spital. Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së kësaj klinike, Linda Ajazaj-Berisha, tha se të gjitha rezultatet e përjashtojnë mundësinë e ndonjë sëmundje ngjitëse te personat e hospitalizuar, pasi që ato kanë dalë negative.

"Prej rezultateve të cilat i kemi marrë është konfirmuar që nuk ka sindromë infektive. Të gjitha analizat laboratorike që i kemi marrë nga Instituti Kombëtar dhe Instituti i Biokimisë janë në normë - analizat rutinore biokimike, kurse strishot të cilat sot i kemi marrë edhe ato e përjashtojnë mundësinë e ndonjë agjensi infektiv", tha Ajazaj- Berisha.

Edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, tha në një konferencë për media se të gjitha analizat e bëra kanë dalur negative.

"Është izoluar mundësia për të pasur një sindromë infektive, kështu që pacientet janë në trajtim të mëtutjeshëm dhe pritet faktikisht, sipas gjendjes së tyre shëndetësore të lirohen", tha Ramadani.

Por, rasti i krijuar me pakot e votave nga Serbia, nuk është përmbyllur ende.

Autoritetet prokuroriale të Kosovës, janë në kërkim të një laboratori jashtë Kosovës për të bërë ekzaminimin e zarfeve nga Serbia.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, tha për Radion Evropa e Lirë, se deri tani janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe se po pritet rezultate të analizave.

"Sipas asaj që e kemi parë kemi vendosur se këto analiza të bëhen jashtë vendit, prandaj është herët dhe çka do që them ndoshta mund të gaboj. Analizat duhet të bëhen jashtë vendit sepse nuk kemi një laborator i cili benë analizë të detajuar ashtu siç po kërkohet tash", tha Munishi.

Kryeprokurori Munishi nuk ka mundur të saktësojë se në cilin shtet do të dërgohen mostrat për analiza.

"Është shumë herët, jemi duke punuar për ta gjetur ku, por për momentin është shumë herët", tha Munishi.

Kurse sa i takon angazhimit të ekspertëve ndërkombëtarë, ai tha nuk ka diçka konkrete, por sipas tij, për rastin i cili konsiderohet i ndjeshëm duhet të veprohet shpejt.

Fillimisht 9 personat punonjës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e me vonë edhe 3 të tjerë janë pranuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, pasi teksa ishin duke verifikuar zarfet e votave të ardhura nga Serbia, në duart dhe fytyrën e tyre, u shfaqën shenja të një lloj alergjie.

Procesi i verifikimit të votave të ardhura nga diaspora ishte ndërprerë pasi që në të njëjtën ndërtesë kanë qenë edhe zarfet e ardhura nga Serbia.

Video nga arkivi: Policia del në vendngjarje pas raportimeve për zarfet nga Serbia

Zarfet nga Serbia sipas KQZ-ja, aktualisht në karantinë dhe po hetohen nga Policia dhe Prokuroria, kurse votat nga diaspora janë transferuar në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për numërim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG