Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ardhja e tij në postin e kryeministrit, do të thotë fillimi i qeverisjes së mirë me një njeri, i cili e kupton që politika është shërbim, që politika është përfaqësim, dhe që politika është vullnet e vizion. Ai thekson se dialogun politik me Serbinë do ta udhëheqë ai, dhe se presidenti nuk do të mund të udhëheqë më me këtë proces.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, ju jeni takuar me udhëheqës të LDK-së për të biseduar rreth arritjes se një konsensusi për formimin e Qeverisë. A ka ndonjë rezultat konkret nga takimi?
Albin Kurti: Ish-kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, zonja Vjosa Osmani, erdhi bashkë me kryetarin e partisë së saj, profesor Isa Mustafën, unë isha bashkë me profesor Besnik Bislimin, diskutuam hapur dhe fillimisht e uruam njëri-tjetrin, për të kaluar pastaj tek interesi ynë kryesor, ekipet e ekspertëve për harmonizimin e programit në njërën anë, dhe në anën tjetër, për reduktimin e numrit të ministrive, me ç'rast do ta synojmë numrin 12 të ministrive, ku së paku 30 për qind edhe sa i përket ministrave dhe zëvendësministrave do të jenë gra.
Gjithashtu, u dakorduam se duhet të ecim shpejt përpara, meqenëse edhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta, por edhe koha e humbur është bukur e madhe.
Radio Evropa e Lirë: A është posti i kryeministrit i padiskutueshëm në këto negociata?
Albin Kurti: Më herët ka qenë i diskutueshëm, më 6 tetor është vendosur një gjë e tillë, e ka përcaktuar populli se kush do të jetë kryeministër i Republikës së Kosovës me diferencën e Lëvizjes Vetëvendosje krahasuar me Lidhjen Demokratike, është përcaktuar nga qytetarët e Republikës sonë se unë jam kryeministri i ri.
Radio Evropa e Lirë: Mbase mund të jetë herët çështja e ndarjes së ministrive, por cilët resorë i shihni si të domosdoshëm për LDK-në dhe Vetëvendosjen, duke marrë parasysh edhe kapacitetet e partive?
Albin Kurti: Porsa ta harmonizojmë programin, që do ta bëjmë shumë shpejt, ne do t'i ndajmë edhe përgjegjësitë sa i përket ekzekutivit tonë, por unë nuk mund të them se në këtë ministri të veçantë do të kemi këtë emër të përveçëm të këtij apo atij subjekti.
S’kemi nevojë për parti tjera në koalicion
Radio Evropa e Lirë: Përveç LDK-së, a parashihni se mund të ketë ndonjë parti tjetër nga radhët e shumicës si pjesë e koalicionit?
Albin Kurti: Nuk e parashoh një mundësi të tillë, mbase edhe për shkak se nuk ekziston një nevojë e tillë. LDK-ja dhe LVV-ja së bashku i kalojnë 61 deputetë, ne do të fillojmë kontaktet edhe me pakicat joserbe, në mënyrë që edhe 10 ulëset e garantuara pakicat joserbe të jenë në qeveri, por sa i përket pakicës serbe, fillimisht do të shohim se çka është e mundur të bëhet me politikanët serbë, të cilët e pranojnë pavarësinë e Kosovës, e njohin Republikën e Kosovës, e respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe të cilët fatkeqësisht edhe kësaj radhe u ndodhën nën trysninë edhe të Beogradit, por në të njëjtën kohë janë viktima të shkeljeve të panumërta të procesit zgjedhor më 6 tetor, siç kanë konstatuar tashmë edhe vëzhguesit tanë.
Radio Evropa e Lirë: Do të respektoni Kushtetutën që për të pasur një koalicion dhe fillimisht do të nisni negociatat me serbët që nuk janë pjesë e Listës Serbe apo më pas do të bisedoni edhe me Listën Serbe?
Albin Kurti: Natyrisht se ne do të respektojmë Kushtetutën, por të respektosh atë nuk do të thotë se nuk ke strategji politike. Strategjia jonë politike, e cila ka një bazë etike, është që fillimisht të kontaktojmë dhe të shohim të gjitha mundësitë për inkuadrimin e serbëve të Republikës së Kosovës, të cilët e njohin dhe e pranojnë shtetin tonë.
Radio Evropa e Lirë: Me kë konkretisht planifikoni këtë dialog dhe cili do të jetë qëllimi?
Albin Kurti: Pa dyshim që emrat si Nenad Rashiq, Sllobodan Petroviq, Petar Miletiq e të tjerë, janë ata të cilët i kemi në mendje kur i mendojmë serbët, të cilët kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, kanë vendosur të jetojnë në Kosovë dhe duan që të kontribuojnë në shtet-ndërtimin demokratik dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit tonë, për dallim të atyre, të cilët i kanë dirigjentët në Beograd dhe vijnë në Kosovë për të provokuar. Unë besoj që qytetaret serbë të Kosovës pakrahasimisht kanë probleme më të mëdha me Beogradin, sesa me Prishtinën.
Radio Evropa e Lirë: Çka do të thotë ardhja e Albin Kurtit në pozitën e kryeministrit të Kosovës?
Albin Kurti: Do të thotë fillimi i qeverisjes së mirë me një njeri, i cili e kupton që politika është shërbim, që politika është përfaqësim, që politika është vullnet që politika është vizion dhe se jemi këtu ku jemi, duke iu falënderuar popullit, nga i cili edhe nuk ndahemi dhe rikthehemi.
Radio Evropa e Lirë: Bashkësia ndërkombëtare pret që sa më parë të vazhdojë dialogu me Serbinë, por Serbia vazhdimin e dialogut e kushtëzon me heqjen e taksës. A jeni të gatshëm ta pezulloni apo shfuqizoni taksën?
Albin Kurti: Ne jemi jo vetëm të gatshëm, por edhe të interesuar që tarifën 100 për qind, ta zëvendësojmë me reciprocitet të plotë me Serbinë në përputhje me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 7 dhjetor 2011. Serbia nuk mund të presë që ajo të sillet mbrapsht e keq me neve, e ne të mos e mbrojmë interesin tonë.
Edhe sa i përket dokumentacionit të mallrave, certifikatës së prodhimit të mallit, edhe sa i përket targave të automjeteve, qofshin për qarkullimin e udhëtarëve apo të mallrave, shpedicionit e kështu me radhë, qoftë sa i përket investimeve te njëri- tjetri, duhet ta përdorim parimin e reciprocitetit si garantues normal i bilateralizmit konstruktiv midis Kosovës dhe Serbisë.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, a mendoni se pala serbe do ta pranojë këtë reciprocitet?
Albin Kurti: Nuk e di, por unë besoj që faktorët ndërkombëtarë do të kenë mirëkuptim për këtë.
Radio Evropa e Lirë: Flasim për një çështje tjetër, çështjen e dialogut… Kush do ta udhëheqë dialogun me Serbinë nga Kosova, dhe a do të udhëtoni bashkë me presidentin në Bruksel?
Albin Kurti: Dialogun do ta udhëheq unë, si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës, meqenëse shteti ynë i pavarur është republikë parlamentare, është obligim kushtetues dhe ligjor edhe në bazë të aktgjykimit të gjykatës Kushtetuese të këtij viti që unë të jem në krye të ekipit negociator, të ekipit të dialogut për raportet me Serbinë. Presidenti i Republikës së Kosovës është, po ashtu, përfaqësues i politikës së jashtme, mirëpo nuk mund të jetë më krijues i politikës së jashtme siç ka pretenduar në këto dy vitet e fundit.
Radio Evropa e Lirë: Dhe, udhëtimi do të jetë, nëse kërkohet, bashkë me presidentin Hashim Thaçi në Bruksel?
Albin Kurti: Nuk e di nëse do të rastisim në avionin e njëjtë ndonjëherë, mirëpo në Bruksel delegacionin, ekipin tonë do ta udhëheq unë dhe presidenti i Republikës së Kosovës nuk do të jetë i përjashtuar, mirëpo nuk do të mund ta udhëheqë më.
Radio Evropa e Lirë: A prisni që në fund të dialogut të ketë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për të dy palët, Kosovën dhe Serbinë?
Albin Kurti: Ne presim që dialogu të jetë solid, sepse i përgatitur mirë dhe me parime të qarta të dakorduar me Brukselin paraprakisht, pra, një dialog me Brukselin para dialogut me Serbinë, në mënyrë që dialogu të mos dështojë. Pjesë e kësaj është edhe një lloj bilanci që do ta bëj brenda muajit të parë të Qeverisë sonë për 33 marrëveshjet e nënshkruara përgjatë dialogut 6-vjeçar 2011-2017, lidhur me shkallën e zbatimit të tyre dhe gjithashtu me përmasën e ndikimit në realitetin e qytetarëve pa dallim etnie.
Ndarazi prej kësaj, unë do të filloj qysh në javën e parë një dialog me pakicat në Kosovë, përfshirë këtu edhe pakicën serbe, por edhe me pakicat e tjera, dialog ky për zhvillim e për integrim në mënyrë që shoqëria jonë të jetë sa më kohezive dhe ta theksojmë atë që e kemi të përbashkët e të mos e vendosim si gjë të parë atë që edhe na dallon. Rolet tona shoqërore, funksionet tona ekonomike si qytetarë të republikës, do të jenë në rend të parë, pra një lloj rrafshi universal i të gjithë qytetarëve do të ketë prioritet karshi dallimeve që mund t'i kemi.
Radio Evropa e Lirë: Si e parashikoni marrëveshjen përfundimtare me Serbinë dhe a jeni të gatshëm për kompromis, qoftë për ndryshim të kufijve, apo për krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serb?
Albin Kurti: Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i tillë çfarë është nënshkruar me datën 25 gusht të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e ka dhënë një aktgjykim me datën 21 dhjetor të viti 2015 dhe të publikuar dy ditë më vonë me 23 dhjetor 2015 dhe ka thënë se secili prej shtatë kapitujve të atij asociacioni, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në gjithsej 23 nene.
Realisht, Asociacion nuk ka më. Dhe, është interesante që asnjë serb i Kosovës nuk u ankua. Vetëm Beogradi dërgoi notë proteste. Unë mund t’i dëgjoj kërkesat për përmirësimin e jetës së pakicave në Kosovë, por jo për pretendimet territoriale siç ekzistonin në shekullin e njëzetë apo nëntëmbëdhjetë. Pra, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, si i tillë, nuk do të mund të zbatohet në Kosovë.
Serbët do t'i kenë të drejtat qytetare dhe të tjera të parapara me ligjet e vendit tonë. Ndërkaq, ato projektet për shkëmbime territoriale kanë dështuar, nuk them se ajo ide ka vdekur. Por, që nga protesta masive e 29 shtatorit të vitit të kaluar e deri te Qeveria jonë e re që vjen nga verdikti i popullit më 6 tetor mund të thuhet se edhe i takon së kaluarës.
Serbisë do t’ia dërgojmë një listë me kërkesa
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se është e mundshme një marrëveshje me Serbinë pa një ndonjë kompromis?
Albin Kurti: Unë besoj se Serbisë duhet t’ia dërgojmë një listë të kërkesave si borxhli i yni që është prej suksesioni të Jugosllavisë deri të reperacioni i luftës. Le të na e dërgojë edhe ajo një listë se çka mendon se ne i kemi borxh. Unë nuk mendoj që i kemi borxh Serbisë. Unë do të flisja tash për kompromiset e koncesionet, por, sinqerisht e seriozisht, duhet t’i sqarojmë pozicionet tona. Dhe, Serbia duhet të pushojë se shikuar shqiptarët me dylbi ushtarake, por do të duhej ta shikonte veten si politikë në pasqyrë.
Pa u ballafaquar Serbia me të kaluarën e saj, nuk mund të ketë paqe e pajtim. Sa më herët që Serbia e bën këtë gjë, është më mirë jo vetëm për Serbinë. Fundi i dialogut tonë natyrisht që duhet ta përfshijë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë dhe gatishmërinë e tyre për t'u ballafaquar me të kaluar dhe për të nxjerrë të gjitha mësimet e nevojshme dhe zhdëmtimet e domosdoshme për viktima.
S’do të jem arrogant ndaj opozitës
Radio Evropa e Lirë: Deri në çfarë shkalle mund të shkojë bashkëpunimi juaj me opozitën dhe për cilat çështje mendoni se bashkëpunimi është mëse i nevojshëm?
Albin Kurti: Do ta shihni që unë, si kryeministër i ri i Kosovës, nuk do të kem asnjëherë arrogancë ndaj opozitës, por gjithnjë respekt dhe gatishmëri për bashkëpunim. Unë nuk do të lejoj që Serbia të futet si pykë në skenën politike kosovare, por në ekipin tonë të përbashkët për dialog me Serbinë do t'i përfshij edhe politikanët edhe kuadrot e opozitës, sepse nuk e kemi komoditetin të ndahemi për këtë çështje. Le të ballafaqohemi, le të diskutojmë, e lë të polemizojmë për zhvillimin ekonomik, për sistemin tatimor, për mirëqenien sociale, për arsim e shëndetësi, por jo edhe për Serbinë.
Radio Evropa e Lirë: A do të vazhdoni të angazhoheni edhe më tej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?
Albin Kurti: Nuk është që ne si shqiptarë angazhohemi për bashkim të Kosovës me Shqipërinë politikisht, po është vetë bashkimi si i tillë si një lloj intence historike e shqiptarëve që shprehet nëpërmjet vetë shqiptarëve. Le të mos harrojmë se nuk mund të gjeni një popull tjetër ku ka emra burrash si Flamur e Bashkim.
Dhe, për mendimin tim natyrisht që jemi të interesuar për afërsi sa më të madhe me Shqipërinë, për hapa integrues me të, por detyrë mbi detyrat e kemi ta shpëtojmë shtetin e Kosovës nga kapja. Ta ngre në këmbë republikën tonë me drejtësi, me zhvillim, me barazi, me luftim të korrupsionit, me zbutje të papunësisë dhe të varfërisë dhe kësisoj unë e shoh edhe integrimin me Shqipërinë edhe integrimin evropian nëpërmjet suksesit të shtetit të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: A mund të na shpjegoni se si do të ndodhë kjo afërsi mes dy shteteve?
Albin Kurti: Ato mbi 50 marrëveshje të nënshkruara do të fillojnë të zbatohen me shpejtësi. Do të krijojmë mekanizma të përbashkët, sepse jemi një komb me dy shtete dhe është për të ardhur keq vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian që edhe kanë luftuar me njëra-tjetrën në të kaluarën e afërt, janë shumë më shumë të integruara sesa Kosova me Shqipërinë, të cilat e kanë përjetuar veten bashkë dhe e kanë ndihmuar edhe në luftë edhe në paqe njëra-tjetrën.