Me një dallim të ngushtë, bazuar në rezultatin preliminar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje del të jetë fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.
Fitorja e Vetëvendosjes, sipas analistëve politikë në Kosovë, është ndëshkim ndaj partive që kanë qeverisur në të kaluarën.
Analisti politik, Arton Demhasaj, thotë se aferat korruptive, klientelizmi dhe problemet në sektorin e shëndetësisë e arsimit, kanë shtyrë qytetarët që të votojnë për Vetëvendosjen, parti kjo që asnjëherë nuk ka udhëhequr në nivelin qendror.
“Të gjitha partitë që kanë qeverisur kanë pasur afera të mëdha të korrupsionit që janë përmendur publikisht, njëkohësisht ka pasur edhe klientelizëm të madh që ka ndodhur dhe populli ka filluar që të lodhet. Kemi parë që ka qenë e pamundur që njerëzit të punësohen në bazë të meritokracisë. Vazhdimisht votimi ka ndodhur në bazë të klientelizmit dhe në bazë të ndikimeve partiake që kanë ndikuar dhe qytetarët kanë filluar të lodhen me këtë mënyrë të qeverisjes dhe të funksionimit në Kosovë, andaj kanë filluar të kërkojnë diçka më ndryshe”, tha Demhasaj.
Nga ana tjetër, njohësi i politikës kosovare, profesori universitar Artan Muhaxhiri thotë se rezultati i negativ i partive që ishin në pushtet, vjen si kërkesë e qytetarëve për një politikë të re që qëllim ka zgjidhjen e problemeve reale të tyre.
“Rezultati zgjedhor ishte një porosi e qartë për qëndrimin e qytetarëve ndaj qeverisjes Haradinaj me aleatë. Dënimi shembullor i cili iu dha kësaj qeverisje duhet të jetë edhe një leksion për partitë e tjera që me korrupsion dhe me mosadresim të problemeve të qytetarëve, nuk mund të fitohen zgjedhjet. Rezultati i dobët i të gjitha partive që ishin në koalicionin qeverisës e dëshmon domosdoshmërinë për një politikë të bazuar në realitet, në etikë dhe në tentimin për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe jo në korrupsion dhe në keqpërdorim të resurseve shtetërore dhe publike”, tha Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Analistët parashohin sfida të shumta me të cilat, sipas tyre, do të përballet qeverisja e ardhshme.
Ndër sfidat kryesore që ata parashohin është çështja e dialogut me Serbinë si dhe problemet e brendshme si shëndetësia, arsimi dhe papunësia.
Pak ditë para këtyre zgjedhjeve, Vetëvendosje dhe LDK dukej se ishin afër arritjes së një koalicioni parazgjedhor, mirëpo në fund vendosën t’i futen të vetme garës zgjedhore.
Të dyja subjektet politike, kanë përjashtuar një koalicion të mundshëm me partinë që qëndroi gati 12 vjet në pushtet, Partinë Demokratike të Kosovës, e cila pas humbjes së këtyre zgjedhjeve, bëri të ditur se këtë mandat do të kalojë në opozitë.
Pavarësisht rezultatit zgjedhor që nxjerrë të parën Vetëvendosjen si dhe LDK-në të dytën, analisti Artan Muhaxhiri parasheh bisedime të vështira në mes të këtyre dy subjekteve politike për të arritur koalicion qeveritar.
“Këto dy parti dallojnë konceptualisht dhe kanë shumë ndryshime në raport me atë se si i shohin shtyllat kryesore të shtetit, p.sh. ta zëmë ekonominë apo marrëdhëniet me aleatët tanë ndërkombëtarë, dialogun me Serbinë dhe çështje të tjera”, tha Muhaxhiri.
Nga ana tjetër, analisti Arton Demhasaj mendon se këto dy parti mund të kenë nevojë edhe për një partner të tretë.
“Në bazë të rezultateve që po i shohim, mund të jetë një qeveri që mund të krijohet nga Vetëvendosja me LDK-në, por që nuk mund ta kenë një shumicë të konsoliduar të dy të tretave të Kuvendit. Me gjasë mund të jetë pra edhe një parti e tretë shqiptare që mund t’i bashkohet këtij koalicioni nëse arrihet”, tha Demhasaj.
Vetëvendosje që doli fituese e këtyre zgjedhjeve, pësoi një goditje të rënd para një viti, kur disa eksponentë të rëndësishëm të saj duke përfshirë edhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, u larguan nga partia, për siç thanë mospajtime me qeverisjen e brendshme të partisë.
Si rezultat i përçarjes në Vetëvendosje, 12 deputetë u larguan nga partia, e që pak ditë më vonë u bënë pjesë e Partisë Socialdemokrate të Kosovës.