Ndërlidhjet

Prokurorë e gjykatës mund t’i nënshtrohen verifikimit


Ilustrim
Ilustrim

Procesi i verifikimit apo siç njihet ndryshe me termin “vetting”, po shihet si i domosdoshëm për sistemin e drejtësisë në Kosovë. Përfaqësuesit e sistemit gjyqësor të Kosovës konsiderojnë se ky proces mund të ndihmojë në përmirësimin e funksionimit më të mirë të gjykatave, por edhe të prokurorive.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, tha për Radion Evropa e Lirë, se vetting-u është një proces që vazhdimisht duhet të ndodh në sistemin e drejtësisë.

"Në përgjithësi konsideroj se verifikimi i të kaluarës në vazhdimësi është i nevojshëm për të gjithë, do të thotë edhe për sistemin gjyqësor, po edhe për të gjithë bartësit e institucioneve. Mirëpo, në konceptin e përgjithshëm, vetting-u ndoshta nuk është masë që mund të zgjidh problemin njëherë e përgjithmonë, nëse verifikimi i të kaluarës nuk përcillet me mekanizëm përcjellës, do të thotë verifikim i vazhdueshëm", tha Peci.

Kosova në vitin 2010, sipas Pecit, ka kaluar në proces të pastrimit apo të vetting-ut për zyrtarët në sistemin e drejtësisë, por ai proces, sipas tij, nuk ishte treguar i suksesshëm, pasi që nuk janë instaluar mekanizmat përcjellës të punës së gjyqtarëve.

"Unë konsideroj se në bazë të legjislacionit në fuqi, ne jemi të obliguar në vazhdimësi të përcjellim integritetin personal dhe profesional të gjyqtarëve. Një nga praktikat edhe në Shqipëri që ka ndodhur, nuk ka ngritur efikasitet, por përkundrazi. Kurse frika tjetër është se nëse vetting-u lidhet me politikë për verifikimin e të kaluarës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, atëherë ajo do të ishe e dëmshme për sistemin", tha Peci.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se vetting-u në sistemin e drejtësisë është shumë i rëndësishëm. Sipas këtij Instituti, ky proces duhet të ndodh sa më parë dhe të bëhet nga mekanizma të pavarur.

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i verifikimit do të duhej të përfshinte në detaje Policinë, Prokurorinë dhe Gjyqësorin.

"Sistemi i drejtësisë është i kapur dhe zgjidhja e vetme është që të kemi një vetting të thellë i cili do të përfshinte Policinë, Prokurorinë dhe Gjyqësorin, por ky vetting nuk duhet të bëhet në asnjë formë nga ekzekutivi, por nga Kuvendi i Kosovës me një konsensus të gjerë të të gjitha partive politike", tha Musliu.

Musliu tha se pa një proces të tillë nuk mund të ketë sukses në sistemin e drejtësisë, përkatësisht pa pastrimin, siç thotë ai, të sistemit nga individëve që janë pa integritet e të cilët mund të jenë pjesë e politikës dhe grupeve të interesit.

"Absolutisht nuk besoj se ka ndonjë zgjidhje tjetër për t'i dhënë përgjigje të duhur kapjes së sistemit të drejtësisë", tha ai.

Sistemi i dreqësisë në Kosovë, në vazhdimësi është kritikuar për mosefikasitet dhe mosofrimin e shërbimeve me kohë për qytetarët që të kenë besim në ketë mekanizëm.

Institucionet e Kosovës, sidomos mekanizmat e drejtësisë, për vite me radhë fillimisht nga UNMIK-u e më pas nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX janë ndihmuar për procese të caktuara e sidomos në forcimin e zbatimit të ligjit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG