Talibanët i kanë premtuar Uashingtonit, gjatë muajve të negociatave, se Shtetet e Bashkuara nuk do të sulmohen më kurrë nga toka afgane. Një zotim i tillë do të duhej të kishte përfshirë edhe grupin militant, Al-Kaida, që ka planifikuar sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 nga brendësia e Afganistanit.
Megjithatë, xhihadi apo lufta e shenjtë dhe historia e përbashkët vazhdojnë të mbajnë të lidhura këto dy grupe militante dhe nuk ka shenja të prishjes së marrëdhënieve në mes të aleatëve për një kohë të gjatë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë se talibanët janë pajtuar për të shkëputur lidhjet me Al-Kaidën në kuadër të negociatave për paqe, të cilat presidenti amerikan, Donald Trump i ka anuluar papritur javën e kaluar.
Udhëheqësia e Al-Kaidës vazhdon të jetë besnike ndaj shefit të talibanëve, Maulvi Hibatullah Akhunzada, dhe përgjatë viteve ka vazhduar të shënojë rritje, kanë thënë analistët dhe ekspertët, transmeton agjencia e lajmeve, The Associated Press.
Ky grup ka kapërcyer pengesat nga themelimi i një dege të grupit rival, Shteti Islamik në lindje të Afganistanit si dhe sulmet amerikane me dronë, që i kanë zvogëluar numrin e pjesëtarëve.
Militantët kanë krijuar edhe grupe vartëse në rajone të emëruara, "Al-Kaida në Nënkontinentin Indian", që lidh grupet xhihadiste deri në Mianmar.
“Nga viti 2017, ky grup është rikthyer me shpejtësi”, ka thënë Asfandyar Mir, nga Qendra për Siguri dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në Universitetin Stanford.
“Ende nuk ekziston ndonjë provë apo e dhënë që tregon thyerje në mes të Al-Kaidës dhe talibanëve”, ka thënë Mir në një intervistë për AP.
“Madje, grupet Haqqani dhe Al-Kaida vazhdojnë të bashkëpunojnë në mënyrë aktive”.
Në vitet 1980, Shtetet e Bashkuara kanë qenë vetëm disa prej shteteve që kanë inkurajuar qindra luftëtarë arabë për të udhëtuar në Afganistan, që të luftojnë përkrah muxhahedinëve afganë apo luftëtarëve të shenjtë, kundër forcave të Bashkimit Sovjetik.
Në ditët e sotme, shumica e këtyre muxhahedinëve janë pjesë e udhëheqësisë së talibanëve, derisa të tjerë janë pjesë e Qeverisë afgane që përkrahet nga SHBA-ja. Teksa lufta i ishte afruar fundit më 1988, shumë luftëtarë arabë i janë bashkuar liderit saudit, Osama bin Laden për të krijuar grupin xhihadist, Al-Kaida, i cili më vonë ka synuar të përballet me SHBA-në.
Përgjatë viteve, Al-Kaida ka krijuar shumë miq në Afganistan, disa prej të cilëve tani janë në pozita të larta, siç është Abdul Rasool Sayyaf, person me ndikim të lartë në politikën e Kabulit.
Këto lidhje janë bërë të ditura nga një anëtar i pensionuar i CIA-s, që ka punuar ngushtë me muxhahedinët e mbështetur nga SHBA-ja.
Duke folur në kushte anonimiteti për shkak të përfshirjes së tij në operacione, ky person ka thënë se Sayyaf ka qenë aleati më i ngushtë i Al-Kaidës në Afganistan.
Sayyaf po ashtu u ka siguruar shtetësinë afgane më shumë se 800 ushtarëve arabë të Al-Kaidës, pasi muxhahedinët kanë fituar pushtetin më 1992.
Megjithatë, muxhahedinët kanë kthyer shpejt armët ndaj njëri-tjetrit duke shtyrë shtetin drejt një lufte civile që ka lënë të vdekur mijëra persona.
Korrupsioni dhe vrasjet kanë rritur lëvizjen e talibanëve, të drejtuar nga muxhahedinët, shumica prej të cilëve kanë qenë klerikë nga fshatrat, të cilët kanë përdorur një lloj të ashpër të Islamit për të fituar kontrollin.
Ata kanë qenë në pushtet nga viti 1996 derisa janë rrëzuar nga pozitat qeverisëse më 2001.
Talibanët, pavarësisht 18 vjetëve të luftës kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, tani kontrollojnë pothuajse gjysmën e Afganistanit dhe janë në pozitën më të fuqishme prej pushtimit të SHBA-së.
Raportet e Qeverisë amerikane tregojnë se numri i militantëve të Al-Kaidës është rritur në vitet e fundit, derisa grupet aleate siç janë talibanët në Pakistan, që kanë gjetur strehim në Afganistan, pas sulmeve të ushtrisë pakistaneze, po ashtu janë duke u rritur.
Luftëtarët terroristë të huaj janë më së shumti të përqendruar në Siri dhe Afganistan dhe janë të lidhur me al-Kaidën, është thënë në një raport të Kombeve të Bashkuara në muajin korrik.
Disa pjesëtarë të talibanëve kanë synuar që të distancojnë veten nga Al-Kaida, mirëpo shumë shpejt kanë gjetur veten duke treguar për besnikërinë ndaj Al-Kaidës te lideri i tyre dhe marrëdhëniet me rrjetin Haqqani të talibanëve.
Mir, nga Universiteti Stanford, po ashtu ka thënë se guvernatorët në hije të talibanëve kanë pasur lidhje të ngushta me Al-Kaidën. Talibanët emërojnë guvernatorët që veprojnë si udhëheqës politikë në provincat që kontrollojnë.
Plani se si saktësisht talibanët do të garantonin se Afganistani nuk do të kthehet në strehë për terroristët me agjenda globale nuk është bërë i ditur kurrë, derisa edhe i dërguari special i SHBA-së për bisedime të paqes, Zalmay Khalilzad ka refuzuar që të ofrojë hollësi.
Pas anulimit të bisedimeve dhe të ndonjë marrëveshjeje potenciale më herët gjatë këtij muaji, nuk është e qartë nëse talibanët i kanë ofruar Uashingtonit ndonjë të dhënë për liderët e Al-Kaidës, duke përfshirë fshehjen e pasardhësit të Bin-Ladenit, Ayman al-Zawahri.
Disa thonë se vendi nuk ndodhen ata nuk është sekret.
“Pakistani dhe me siguri liderët talibanë kanë njohuri se ku janë ata”, ka thënë gjenerali i pensionuar i ushtrisë pakistaneze, Talat Masood. Ndonëse ky pretendim prej ish-punën e tij, ai është kritik i madh për atë që e quan “filozofi jashtëzakonisht të dëmshme të ushtrisë pakistaneze”, që mbështet militantët për të luftuar ndikimin indian në këtë zonë.
Pas disa vjetëve në arrati, bin Laden, arkitekti i sulmeve të 11 shtatorit, është gjetur në qytetin Abotabad në Pakistan, gati 100 kilometra larg kryeqytetit Islamabad, dhe është vrarë nga forcat amerikane më 2001.
Pas shënimit të përvjetorit të 18-të të sulmeve 11 shtatorit ditë më parë, pasardhësi i bin-Ladenit, al-Zawahri është parë i relaksuar, ndonëse në moshë. Videoja është prodhuar nga grupi, as-Sahab Media Foundation, që duket se vepron pa licensë.
“Mesazhi i tij shërben për të na rikujtuar se 18 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit, udhëheqësia e lartë e Al-Kaidës është gjallë dhe mirë”, ka thënë Bill Roggio, redaktor i revistës, Long War Journal, që publikohet nga Fondacioni për Mbrojtje të Demokracive, dhe që ndjek grupet terroriste.
Roggio ka thënë në një intervistë se al-Zawahiri dhe mediumi i tij, as-Sahab, “vazhdojnë të veprojnë dhe duket se kanë bazën në Pakistan apo Afganistan”.
Në një video të publikuar nga Al-Kaida në muajin maj, kur talibanët kanë qenë duke negociuar garancitë kundër-terrorizimit me SHBA-në, është pretenduar të jetë kryer një sulm në një konvoj të ushtrisë afgane në provincën Paktika me qëllim të “theksimit të aleancës me talibanët”, është thënë në revistën, Long War Journal.
Përveç kësaj, Mir ka thënë se mediumi i Al-Kaidës vazhdimisht kryen propagandë në audiencën afgane dhe atë pakistaneze. Aty zakonisht promovohen grupet e lidhura me Al-Kaidën si Ansar Ghazwa-tul Hind, që vepron në Kashmirin e administruar nga India.
Kashmir, rajon në Himalaje ka qenë arsye për zhvillim të dy luftërave në mes të Pakistanit dhe Indisë në të kaluarën.
Të dyja shtetet kanë pretendime për gjithë këtë rajon, mirëpo kontrollojnë vetëm disa pjesë të tij.
“Ndonëse kapaciteti i Al-Kaidës për të kryer sulme të stilit të 11 shtatorit tani është zvogëluar, ky fakt nuk e bën atë më pak të rrezikshëm. Al-Kaida ka një rrjet të gjerë në gjithë botën, më të fuqishëm se që ka ekzistuar më 11 shtator, me degë që krijojnë ushtri të vogla për të kryer kryengritje lokale”, ka thënë Roggio.