Presidenti amerikan, Donald Trump është zotuar për t’i goditur talibanët më “ashpër” se asnjëherë më parë, teksa Shtetet e Bashkuara kanë shënuar 18-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, të cilat kanë nxitur luftën në Afganistan.
Trump ka mbajtur fjalim në Pentagon për të shënuar vrasjen e afro 3,000 personave në sulmet e vitit 2001, vetëm disa ditë pasi ka njoftuar se bisedimet për paqe me talibanët “janë të vdekura”.
Në katër ditët e fundit, forcat amerikane kanë “goditur armiqtë tanë më ashpër se më herët dhe do të vazhdojnë”, ka thënë ai.
Presidenti amerikan po ashtu ka paralajmëruar talibanët kundër kryerjes së ndonjë sulmi tjetër kundër SHBA-së.
Përgjigjja amerikane do të jetë e atij lloji “që ata nuk kanë parë kurrë më parë”, ka thënë Trump, duke theksuar se nuk është duke iu referuar përdorimit të armëve bërthamore.
Komentet e presidentit kanë ardhur pasi Ayman al-Zawahiri, lideri i grupit terrorist, Al-Kaida, që ka kryer sulmet teroriste në SHBA më 2001, ka kërkuar përmes një video incizimi sulme në “interesat e Izraelit, Amerikës, Britanisë, Franës, Rusisë dhe aleatëve të tyre evropianë”.
Zawahiri është emëruar në krye të Al-Kaidës më 2001, pasi Osama bin Laden është vrarë nga forcat speciale në Pakistan.
Në fjalimin e tij më 11 shtator, Trump ka thënë se ka ndalur negociatat për paqe me talibanët javën e kaluar sepse një sulm me makinë-bombë i kryer nga talibanët në Kabul, ka vrarë një ushtar amerikan dhe 11 persona tjerë.
Pas nëntë raundesh të bisedimeve me talibanët në Katar, për t’i dhënë fund luftës 10-vjeçare, i dërguari i SHBA-së për paqe në Afganistan, Zalmay Khalilzad, ka thënë se ka arritur marrëveshje “në parim” me talibanët.