Ndërlidhjet

Kosova me masa ndaj përzierjes së Serbisë në procesin zgjedhor


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë asnjë përfaqësues shtetërorë të cilitdo shtet tjetër, që të vijë në Kosovë dhe të bëjë fushatë, në kohën kur vendi është në procesin zgjedhor, kanë deklaruar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në dorëheqje. Këto reagime të zyrtarëve në Prishtinë vijnë pas paralajmërimeve të autoriteteve të caktuara të Beogradit se do ta vizitojnë Kosovën, në kohën kur kjo e fundit po shkon drejt mbajtjes së zgjedhjeve më 6 tetor të këtij viti.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit në dorëheqje të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, thotë për Radion Evropa e Lirë, që institucionet e vendit nuk do të japin leje për hyrje në Kosovë për asnjë përfaqësues të vendeve tjera, e në veçanti të zyrtarëve të Serbisë, që synojnë të organizojnë fushatë në Kosovë.

“Absolutisht, asnjë përfaqësues shtetëror i cilitdo shtet tjetër, nuk mund të vijë dhe të bëjë fushatë këtu. Kjo është periudhë jashtëzakonisht e ndjeshme. Në këtë rast, paralajmërimet e zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë se do të vijnë në Kosovë dhe të zhvillojnë fushatë zgjedhore, janë të pakuptueshme. Në fakt, janë të kuptueshme për ne, sepse ata e kanë tendencën e vazhdueshme tensionimin e situatës, krijimin e tensioneve të brendshme këtu. Por, institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë asnjëherë që procesi zgjedhor të dëmtohet”, tha Zyberaj.​

Ai shtoi se institucionet e Kosovës janë në koordinim të plotë edhe me bashkësinë ndërkombëtare që të garantohet një proces zgjedhor i qetë, ku qytetarëve do t’iu garantohet votimi i lirë. Rrjedhimisht, sipas tij, qytetarët serbë nuk mund të jenë të shtrënguar në asnjë mënyrë dhe nga askush se si të votojnë dhe ata, siç tha ai, do të votojnë sipas vullnetit të vet.

Lidhur me paralajmërimet për një vizitë të mundshme të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Kosovë, në periudhën që po vjen, Zyberaj është përgjigjur kështu:

“Gjatë kësaj kohe nuk do të lejohet asnjë person, i cili ka për qëllim tensionimin e situatës. Asnjë njeri i cili prapa vetes ka qëllime destabilizuese, nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë”, u shpreh Zyberaj.

Megjithatë, njohësi i çështjeve politike Petar Miletiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që Beogradi, qoftë më pak ose më shumë, ka pasur gjithmonë ndikimin në proceset zgjedhore në Kosovë. Sipas tij, ngjashëm do të jetë edhe në procesin zgjedhor aktual.

“Më duket se asnjëherë më parë nuk ka pasur ndikim më të madh se sa tash. Është e dukshme që Lista Serbe është organizatë, e cila është nën kontrollin e plotë të autoriteteve të Beogradit. Në çdo rast, ajo është struktura politike më dominuese (e serbëve) në Kosovë. Shfrytëzohen të gjitha resurset që njerëzit të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për Listën Serbe”, theksoi Miletiq.

Lidhur me paralajmërimet e autoriteteve të Kosovës se nuk do të lejojnë hyrjen në vend të zyrtarëve të Serbisë, gjatë kohës sa do të zhvillohet procesi zgjedhor, Miletiq theksoi që edhe nëse kjo ndodh, nuk do të ketë shumë efekt. Për më shumë, sipas tij, autoritetet e Kosovës, dëshirojnë të tregojnë se megjithatë ata pyeten, kur bëhet fjalë për bashkësinë serbe në Kosovë, por që e gjithë kjo, siç thotë ai, është më shumë e drejtuar kah elektorati shqiptar.

Miletiq vlerëson që edhe deklaratat e autoriteteve të Beogradit, por edhe të atyre të Prishtinës, tregojnë për mendësinë që kanë të dy palët.

“Politikat e të dyja qeverive, edhe e Serbisë, por edhe e Kosovës, janë politika të konfliktit, politika të agresionit, politika të mosdurimit. Të dyja e ushqejnë njëra-tjetrën me veprime dhe deklarata të tilla dhe e gjithë kjo shkon në favor të atyre që nuk e duan normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, e para së gjithash, ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, u shpreh Miletiq.

Lista Serbe, e cila në mandatin e kaluar të legjislativit ka pasur nëntë nga dhjetë deputetët që kanë përfaqësuar komunitetin serb në Kosovë, si dhe në zgjedhjet lokale ka fituar në dhjetë komunat me shumicë serbe në vend, vazhdon ta ketë mbështetjen e Beogradit zyrtar, me ndihmën e të cilit edhe është themeluar.

Përveç këtij subjekti politik, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit tashmë është paraqitur edhe koalicioni “Liria” (Sloboda), i cili përbëhet nga dy parti politike serbe, Partia Përparimtare e Kosovës dhe Partia e Re e Kosovës. Deri më 6 shtator, kur përfundon afati i certifikimit të partive, pritet të lajmërohet për pjesëmarrje në zgjedhje, të paktë edhe subjekti politik tjetër i serbëve, Partia e Pavarur Liberale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG