Ndërlidhjet

Kryejnë punime të dobëta dhe sërish fitojnë tenderët


Ilustrim
Ilustrim

Institucionet e Kosovës, çdo vit lidhin mijëra kontrata me kompani dhe operatorë të ndryshëm ekonomik. Por, shumë nga këto kontrata nuk kanë një menaxhim të mirëfilltë dhe si pasojë kompanitë paguhen pavarësisht se kanë kryer punime të dobëta, thotë Diana Metush-Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Sipas saj, mungesat në ligj për menaxhimin e mirëfilltë të kontratave shkaktojnë dëme të mëdha për buxhetin e Kosovës.

“Është pjesa e menaxhimit të kontratave që ne i kemi humbur 53 milionë euro me Bechtel Enka-n. Është mu pjesa e menaxhimit të kontratës që ne qe 10 vite nuk i kemi përfunduar rrugët me Mitrovicë dhe me Pejë. Është mu menaxhimi i keq i kontratave që shkollat e tona degradohen ende pa u inauguruar mirë, e që asfaltet prishen ende pa u ndrequr. Është pjesa më kritike që fatkeqësisht nuk e di a ka qenë një lëshim i qëllimshëm apo i paqëllimshëm. Është lënë jashtë rregullimit ligjor se si ka me u mbikëqyrur për të siguruar cilësi”, tha Metushi-Krasniqi.

Diana Metushi-Krasniqi thotë se çështja e menaxhimit të kontratave do të duhej të adresohej në ndryshimet ligjore që pritet të bëhen, pasi aktualisht sipas saj, ka institucione që kanë dënuar apo paditur kompanitë dhe pavarësisht kësaj, po të njëjtave iu kanë dhënë sërish tender.

“I kemi edhe disa komuna të cilat kanë bërë padi kundër operatorëve ekonomikw për mospërmbushje të kushteve të kontratës, mirëpo, fatkeqësisht për shembull e kemi rastin e komunë së Obiliqit që e ka dënuar kompaninë dhe pas dënimit i ka dhënë kontratë të njëjtës kompani që të kryej punë të tjera”, tha Metushi-Krasniqi.

Në vitin 2017, Instituti Demokratik i Kosovës kishte bërë një hulumtim në të cilin kishte rezultuar se në disa raste nuk ishin respektuar kontratat dhe si pasojë ishte dëmtuar buxheti i Kosovës.

Një prej rasteve të menaxhimit të keq të kontratës ishte evidentuar në ndërtimin e Parkut të Biznesit në fshatin Koreticë e Epërme në komunën e Drenasit, ku që nga fillimi i ndërtimit të këtij parku vetëm për ndërtimin, trajtimin dhe mirëmbajtjen e impiantit për ujëra të zeza ishin lidhur katër kontrata përgjatë periudhës 6-7 vjeçare por ende nuk është bërë sanimi i të gjitha problemeve.

Probleme në menaxhimin e kontratave dhe sigurimin e cilësisë së punimeve, sipas atij raporti, kishte pasur në ndërtimin e shkollave, asfaltimin e rrugëve si dhe palestrave sportive. Të gjitha këto kishin rezultuar me kosto shtesë, në sanimin apo edhe përfundimin e punimeve.

Përveç problemeve në menaxhimin e kontratave, ndikimi politik mbetet një problem vendimtar në garën për të fituar tenderët thotë Drejtori i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

“Duhet të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të sjellë cilësinë e punimeve, produkteve ose shërbimeve çka do që ata ofrojnë në nivelin e kërkuar. Ne si Odë Amerikane kemi kërkuar që të ketë një listë të zezë të kompanive të cilat nuk përmbushin kriteret e tenderëve dhe natyrisht në atë listë do të duhej të kishin qasje të gjitha organet e prokurorinmit në Kosovë dhe të shërbente si diskualifimin për procedurat e ardhshme tenderuese”, tha Zeka.

Këtë vit, Qeveria e Kosovës i pagoi 53 milionë euro shtesë për kompaninë Bechtel-Enka-n e cila ndërtoni autostrafën “Arbën Xhaferi”.

Duke arsyetuar vendimin për dhënien e 53 milionë eurove, Ministri i Transportit, Pal Lekaj, tha se fajin e kishte qeverisja e kaluar, pasi sipas tij nga viti 2014 deri me 2017, Bechtel-Enkas nuk ia kishte paguar me rregull faturat vjetore dhe si pasojë ishte shtyrë afati i përfundimit ë punimeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG