Ndërlidhjet

Haradinaj zgjodhi rrugën e gjatë të interpretimit të dorëheqjes


Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës ka krijuar shumë paqartësi jo vetëm politike, por edhe juridike e kushtetuese, pasi që ka ngritur dilemat nëse ka apo jo aktualisht Kosova qeveri, qoftë edhe me kompetenca të kufizuara.

Nisur nga këto paqartësi, kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj i është drejtuar vet Gjykatës Kushtetuese, me kërkesën për interpretimin e dorëheqjes së tij nga pozita e kryeministrit. Por, njohës të Kushteutës thonë se Haradinaj zgjodhi rrugën e gjatë, pasi që Gjykata Kushtetuese do të kërkoj një afat kohor për interpretim, çka llogaritet se mund të krijojë zbrazësi në qeverisje.

Haradinaj tha se i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese “definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë” pas dorëheqjes së tij. Sipas tij, qëllimi i kërkesës është, jo vetëm të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes, por siç tha ai, edhe t'i iket situatave të vakuumit institucional.

"Unë kam dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një kërkese për interpretim të dorëheqjes sime”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj: T’i sqarojmë përgjegjësitë deri në formimin e qeverisë së re
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Ai tha se derisa nuk ka një rrugëdalje për gjendjen e krijuar, interpretimi nga Gjykata Kushtetuese mund ta qartësojë situatën aktuale.

“Nuk është se krejtësisht jeta ndalet në këtë periudhë kohore, mirëpo e shoh një dëshirë që të përzihen temat. Unë kam dhënë dorëheqje, pra kam dhënë dorëheqje. Një qeveri duhet të dal nga zgjedhjet, por derisa nuk vjen ajo qeveri, kush mban përgjegjësi për qeverisjen në vend? - Këtë përgjigje nuk po e jep askush”, tha Haradinaj.

Ai tha se do ta respektojë vendimin e Gjykatës, por edhe i ka bërë thirrje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Kuvendit dhe partive politike që të ndërmarrin veprimet e duhura për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte njoftuar se nga kjo javë do t’i nis konsultimet me partitë politike për gjetjen e një zgjidhjeje kushtetuese pas dorëheqjes së kryeministrit. Por, nga Zyra e Presidentit nuk kanë dhënë informata se kur do të nisin këto konsultime.

Visar Morina, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuta e Kosovës për fakt të keq nuk ofron detaje lidhur me atë se cila situatë krijohet pas dorëheqjes së një kryeministri nga detyra. Megjithatë, Morina, konsideron se interpretimet kushtetuese duhet të orientohen kah zgjidhja e problemit.

"Ne situata të tillë mendoj se ekzistojnë praktika të shumta të shteteve evropiane [Kroacia] që kanë pak ose shumë sistem parlamentar, ku ekziston një periudhë e përkohshme deri në zgjedhjen e qeverise së re ose zgjedhjen e qeverise së re pas zgjedhjeve dhe gjatë kësaj periudhe, sigurisht që qeveria operon me një mandat të tkurru në vendimmarrje, pra vetëm në kryerjen e atyre funksioneve që janë jetike për qytetaret për shtetin", tha Morina.

Morina thotë po ashtu se Qeveria ka të drejtë që t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetues, por rikujton se interpretimet nga Kushtetuesja zakonisht marrin kohë.

"Qoftë për shkaqe kohe, pasi që Gjykatës Kushtetues tani do t‘i duhet kohë derisa të sjellë vendim, qoftë edhe për shkaqe praktike, nuk mendoj se ka qenë e nevojshme që kjo çështje të referohet në Gjykatën Kushtetuese”, thekson ai.

“Mendoj se Qeveria është organ kushtetues dhe që mendoj se në mënyrë shumë komode do të mund që vet të interpretonte, pra një interpretim konstruktiv kushtetues, për ta kaluar këtë situatë, ngase mendoj se referimi në Gjykatën Kushtetuese do të marr kohë", tha Morina.

Që nga dorëheqja e Haradinajt, partitë politike i kanë nisur aktivitetet e tyre përgatitore për zgjedhje të parakohshme. Por, është edhe një rrugë ligjore e kushtetuese që duhet t’i paraprijë vendimit për zgjedhje, pasi që në Kushtetutë nuk përjashtohet as mundësia që të formohet një qeveri e re për mandatin e mbetur kushtetues të institucioneve aktuale.

Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, ka thënë se është e rëndësishme që të gjithë të veprojnë në afatet ligjore dhe kushtetues dhe, siç tha ai, të mos ketë vonesa në asnjë rast.

Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 19 korrik, pasi është ftuar nga Prokuroria Speciale në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG