Ndërlidhjet

Monopoli dhe favorizimet ngufasin ekonominë e tregut të lirë


Prishtinë, foto nga arkivi.
Prishtinë, foto nga arkivi.

Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës garantojnë, të paktën në letër, ekonominë e tregut të lirë dhe konkurrencës së barabartë, por në praktikë, ky model nuk zbatohet në tërësi, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Sipas tyre, vetë Qeveria e Kosovës në një mënyrë po krijon monopol dhe favorizime për kompani të caktuara publike dhe private. Nuk është vetëm homologimi i veturave që ditëve të fundit është bërë temë debati në institucione dhe shoqëri, pasi sipas tyre, fuqinë në treg e bartin kompanitë private që janë të lidhura me pushtetin në nivel qendror dhe lokal, por edhe me partitë politike. Tenderët publikë, sipas tyre, kanë fuqizuar veprimtarinë e këtyre kompanive.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se monopolet shtetërore janë më problematike. Kurse në aspektin tjetër, shprehet Rukiqi, favorizimet e pabarabarta që u bëhen kompanive të caktuara nga institucionet, krijojnë konkurrueshmëri jo të drejtë në treg.

“Qasja e pabarabartë nuk lidhet vetëm me ndonjë licencë apo diçka të ngjashme, por qasja e pabarabartë lidhet edhe me mënyrën se si i trajtojnë, nga aspekti i mbledhjes se taksave, nga aspekti i inspektimeve e aspekte të ndryshme, që më pas krijojnë pabarazi në treg”, thotë Rukiqi.

Edhe Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë se përveç praktikës së monopolit për homologim, Oda Amerikane ka shprehur shqetësim për favorizim të ndërmarrjeve të caktuara publike.

Ai përmend si rast kur Qeveria e Kosovës e bën blerjen e shërbimeve nga operatorët e telefonisë, pa iu nënshtruar procedurave për prokurim. Praktika të tilla të favorizimit të bizneseve nga Qeveria e Kosovës, ndodhin edhe në sektorin privat, thotë Zeka, duke shtuar se kjo dëmton ambientin e rregullt afarist.

“Është theksuar edhe nga Oda Amerikane, por edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare se ndërmarrjet private që kanë lidhje me partitë politike favorizohen, qoftë në procedurat e prokurimit, qoftë në forma të tjera”.

“Derisa këto të ndodhin apo derisa Kosova nuk është në gjendje të ofrojë një mjedis të barabartë për të gjitha ndërmarrjet private dhe publike, realisht nuk mund të pritet në tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, tha Zeka.

Për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë së tregut dhe për të ndaluar veprimet që çrregullojnë konkurrencën e lirë, në Kosovë vepron Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Në raportin vjetor për vitin 2018 të këtij autoriteti, thuhet se “në kuadër të aktiviteteve primare në fushën e konkurrencës në vitin e kaluar ka zgjidhur njëmbëdhjetë (11) raste, ka monitoruar pesë (5) tregje dhe ka tri (3) inicime të procedurës hetimore”.

Disa nga rastet që janë trajtuar nga autoriteti janë kontratat publike për ofrimin e shërbimeve të telefonisë mobile të marra nga organet shtetërore, kurse në fund të vitit 2018, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka filluar monitorimin e tregut te derivateve të naftës, siç thuhet, pas një reagimi të madh qytetar dhe mediatik mbi dyshimin e një marrëveshje të ndaluar ndërmjet operatorëve që operojnë në treg.

Ndryshe, ditëve të fundit për çështjen e monopolit të tregut të veturave kanë reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett dhe shefja e Zyrës se Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova. Ata i kanë bërë thirrje Qeverisë të veprojë shpejt për zbatimin e rezolutës së Kuvendit të Kosovës për eliminimin e rasteve të monopolit në treg, siç është rasti me homologimin e veturave.

Më 2017, edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte konstatuar shkelje ligjore në fushën e homologimit dhe i kishte rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës të rishikojë dhe të bëjë ndryshime në dispozitat ligjore që e rregullojnë këtë fushë.

Në vitin 2008, atëkohë Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, kishte nënshkruar kontratë ekskluzive me kompaninë “EuroLab” për homologimin e automjeteve që regjistrohen për herë të parë në Kosovë, duke e autorizuar kompaninë në fjalë si të vetmen për këtë veprimtari, për periudhën 2009-2019.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG