Ndërlidhjet

Kosnett: Qeveria të veprojë shpejt për kontratën e homologimit të veturave


Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Philip Kosnett i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, të veprojë shpejt ndaj rezolutës së Kuvendit për çështjen e homologimit të veturave.

“Qeveria duhet të veprojë shpejt, pas rezolutës së Kuvendit dhe të hapë një proces të lirë dhe të konkurencës së drejtë”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Ambasadori amerikan tha se ai ndanë shqetësimin sikurse Bashkimi Evropian, Kuvendi i Kosovës dhe Autoriteti i Konkurëncës për kontratën monopoliste për homologimin e veturave “që shtrembëron tregun dhe ngre çmimet për qytetarët”.

Kuvendi i Kosovës, me 62 vota për dhe 2 abstenime, të hënën miratoi rezolutën për heqjen e monopolit lidhur me shërbimet e homologimit të veturave.

Më 2017, edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte konstatuar shkeljet ligjore në fushën e homologimit dhe i kishte rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës të rishikojëdhe të bëjë ndryshime në dispozitat ligjore që e rregullojnë këtë fushë.

Në vitin 2008, atëkohë Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, kishte nënshkruar kontratë ekskluzive me kompaninë “EuroLab” për homologimin e automjeteve që regjistrohen për herë të parë në Kosovë, duke e autorizuar kompaninë në fjalë si të vetmen për këtë veprimtari, për periudhën 2009-2019.

Homologimi është një procedurë, me të cilën vërtetohet përputhshmëria apo përshtatshmëria e pjesëve të veçanta të automjetit si tërësi, bazuar në kriteret, të cilat parashtrohen nga organet kompetente.

Përmes homologimit të automjeteve, testohen pajisjet që kanë rëndësi për funksionimin e sigurt dhe ekologjik të automjetit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG