Bordi i Telekomit të Kosovës ka marrë vendim që ta ndërpresë kontratën me kompaninë Z-Mobile, duke konsideruar se kjo kontratë e nënshkruar 10 vjet më parë, ka rezultuar të jetë e dëmshme për Telekomin dhe si e tillë e ka futur në krizë financiare.
Kontrata e nënshkruar 10 vjet më parë i kishte mundësuar kompanisë Z-Mobile të ishte operator virtual i telefonisë mobile Vala.
Njoftimin për shkëputjen e kontratës e ka bërë kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, gjatë një proteste të punëtorëve të sindikatës së kësaj kompanie.
“Jemi ende duke diskutuar edhe aspektin financiar ku kemi kontraktuar një kompani ndërkombëtare që të bëjë një analizë financiare, ku si raport preliminar ka dal pozitiv sa i përket Telekomit, në të njëjtën kohë kemi pranuar edhe një njoftim zyrtar nga ekspertiza e jashtme ligjore ku na jep të drejtën që ne si Telekom të njoftojmë operatorin Z-Mobile për shkëputjen e kontratës nga data 30 korrik”, tha Istrefi.
Fatmir Zeqiri, inxhinier në Telekomin e Kosovës thotë se kontrata mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Z-Mobile i ka kushtuar humbje milionëshe Telekomit.
“Kontrata 10-vjeçare mes Telekomit dhe Z-Mobile ka rezultuar me 104 milionë euro humbje për Telekomin, ndërsa 79 milionë euro fitim për Z-Mobile. Sikur të mos ishte kjo kontratë, Telekomi do të kishte shumë më shumë të hyra”, thotë ai.
Telekomi i Kosovës dhe kompania Z-Mobile në vazhdimësi kanë pasur mosmarrëveshje në lidhje me kontratën. Mospajtimet mes palëve kishin nisur kur Z-Mobile kërkoi numeracion shtesë. Çështja kishte shkuar në Arbitrazh dhe më pas Gjykata e Prishtinës kishte vendosur në favor të kompanisë Z- Mobile.
Ndërkohë, për dëmin e shkaktuar, Telekomi obligohej t’i jepte numeracion shtesë Z-Mobile, t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G dhe të paguante një gjobë prej mbi 25 milionë eurosh në emër të shpagimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së arbitrazhit.
Pronari i Kompanisë Z- Mobile, Blerim Devolli, javën e kaluar kishte raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në Telekomin e Kosovës.
Ai ka thënë se për çdo dëmtim të Telekomit të Kosovës nga kontrata mes ndërmarrjes publike dhe kompanisë së tij, fajtor është vetëm Telekomi. Ai ka thënë se kishte dërguar Telekomin e Kosovës në Arbitrazh, pasi që sipas tij, “Telekomi nuk e ka respektuar marrëveshjen”.
Telekomi i Kosovës dikur ka qenë kompania më fitimprurëse në vend, por pas të gjitha këtyre mosmarrëveshjeve dhe dëmshpërblimeve, hyri në krizë financiare.
*Video nga arkivi: A po falimenton Telekomi i Kosovës?
Kompania Z-Mobile ka kërkuar që borxhi prej mbi 25 milionë euro të paguhet në të kundërtën do të fillohen procedurat e përmbarimit, që nënkupton mbylljen e llogarive bankare të Telekomit të Kosovës.
Qeveria fillimisht kishte shqyrtuar mundësitë financiare për të paguar borxhin në mënyrë që ta shpëtonte Telekomin nga falimentimi, por që nuk e kishte bërë një gjë të tillë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar këto ditë për mediat vendore se Qeveria e nuk do ta paguajë këtë borxh.
“Qeveria nuk i shlyen borxhe Telekomit dhe nuk i jep hua. Ajo ka qenë një kompani profitabile, por menaxhimi i keq e ka sjell në këtë gjendje. Menaxhmenti i Telekomit duhet ta kthejë kompaninë në kompani profitabile dhe të heqë atë nga obligimet e gabuara, por nuk do të paguan Qeveria për gabimet menxheriale se nuk ka mundësi që një kompani e telefonisë të punojë me humbje”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kohë më parë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pagesa e menjëhershme e vlerës prej mbi 25 milionë euro do të falimentonte Telekomin e Kosovës dhe ai kishte kërkuar që pagesat ndaj kompanisë Z-Mobile të bëhet me këste.
Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.
Kjo kompani ka përafërsisht 2400 punonjës, kurse paga mesatare, llogaritet të jetë mbi 730 euro.
Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës.