Ndërlidhjet

A do ta shpëtojë Qeveria Telekomin nga falimentimi?


Ndërtesa e Telekomit të Kosovës.
Ndërtesa e Telekomit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është duke shqyrtuar mundësitë financiare për të shpëtuar Telekomin e Kosovës nga falimentimi. Por, theksohet se borxhi prej mbi 25 milionë euro që Telekomi i detyrohet kompanisë Z- Mobile, është barrë e madhe financiare për buxhetin e shtetit dhe e papërballueshme.

Telekomi i Kosovës është futur në krizë të thellë financiare tani e sa kohë për shkak të borxheve të shumta të akumuluara.

Borxhi prej mbi 25 milionë euro që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë "Z-Mobile", ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.

Afati, që datonte prej 26 prillit dhe që zgjaste për dy javë, që ky borxh të kthehej, sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka është shtyer.

Ai tha shkurt për Radion Evropa e Lirë se kanë arritur një marrëveshje me kompaninë "Z-Mobile" për shtyrje të afatit për kthimin e borxhit prej mbi 25 milionë eurosh.

Në letrën e dërguar nga “Z- Mobile”, që mban datën e 26 prillit të këtij viti, ishte thënë se borxhi të paguhet brenda dy javëve, në të kundërtën do të filloheshin procedurat e përmbarimit, që nënkupton mbylljen e llogarive bankare të Telekomit të Kosovës.

E gjithë kjo situatë e krijuar në Telekomin e Kosovës ka ngritur reagime të shumta në vend.

Video: A po falimenton Telekomi i Kosovës?

A po falimenton Telekomi i Kosovës?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

Këshilltari për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, Haki Shatri tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria është duke shqyrtuar mundësitë financiare dhe format tjera se si mund të shpëtojë Telekomin e Kosovës nga falimentimi.

“Ajo që ka ndodhur në 10 vjetët e fundit në Telekomin e Kosovës është keqmenaxhim. Telekomi është keqpërdorë dhe shfrytëzuar për interesa të grupeve dhe është degraduar si vlerë, prej një aseti që është vlerësuar fillimisht 1 miliard euro, më pas 700 milionë, e në fund 300 milionë euro, aktualisht nuk ka ndonjë vlerë, por po bëhet fjalë për një kompani në falimentim”.

“Duke pasur parasysh që në këtë ndërmarrje punojnë mbi 3000 mijë punëtorë, edhe Qeveria e Kosovës me shqetësim e sheh këtë situatë dhe e merr me obligim të kujdeset se çfarë do të ndodhë, pasi që është në pyetje ekzistenca e shumë familjeve. Por, edhe pse këtu ku është zhytur Telekomi është barrë e papërballueshme për buxhetin, pasi që nuk janë pak 25 milionë euro nëse duhet t’i paguhet dikujt nga një kontratë e papërgjegjshme”, thotë Shatri.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ditë më parë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pagesa e menjëhershme e vlerës prej mbi 25 milionë euro do të falimentonte Telekomin e Kosovës dhe ai kishte kërkuar që pagesat ndaj kompanisë “Z-Mobile” të bëhen me këste.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e pamundur të shpëtohet Telekomi i Kosovës nga falimentimi pa përkrahjen e Qeverisë.

“Telekomi i Kosovës dikur një ndër kompanitë më profitabile në Kosovë, për shkak të keqmenaxhimit tani është sjell në prag të falimentimit edhe pse menaxhmenti aktual nuk është fajtor për gjendjen e krijuar dhe ka disa përpjekje për sanimin e gjendjes. Megjithatë, është e pamundur të bëhet rivtializimi i kompanisë pa përkrahjen e Qeverisë së Kosovës”.

“Qeveria duhet punojë në dy drejtime. E para, nuk duhet të lejojë që kompania të falimentojë, pasi që do të ketë pasoja sociale për shkak të humbjes së vendeve të punës dhe ka pasojë në fushën e sigurisë për faktin se institucionet shtetërore si Policia e Kosovës, Agjencia e Inteligjencës së Kosovës, Aeroporti i Prishtinës dhe institucione të tjera, të gjitha kanë lidhje të drejtpërdrejta me Telekom dhe pasojat do të ishin të paparashikueshme”, thotë Gashi.

Ai shton se një auditim ndërkombëtar i pavarur do të ishte jetik për Telekomin e Kosovës, një auditim siç thotë Gashi, i cili më pas do të ndërpriste kontratat e dëmshme, sidomos atyre të qirasë dhe kontrata tjera.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi dhe dikur njihej si një nga ndërmarrjet më fitimprurëse në vend.

Për gjendjen e krijuar në këtë kompani, edhe Kuvendi i Kosovës ka ngritur një Komision Hetimor. Ndërkohë, për të martën e ardhshme, më 14 maj, është paralajmëruar edhe mbajtja e një seance të jashtëzakonshme parlamentare, ku do të shqyrtohet gjendja dhe kërkohet një zgjidhje eventuale për shpëtimin e kësaj kompanie, që ka mbi 2.500 punëtorë, nga falimentimi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG