Ndërlidhjet

Shkup: Ligji për siguri në vendin e punës, i pazbatueshëm në praktikë


Ilustrim
Ilustrim

Siguria e punëtorëve në vendin e punës në Maqedoninë e Veriut është e rregulluar mirë me ligj, ndonëse ekzistojnë probleme të natyrës procedurale dhe substanciale gjatë jetësimit në praktikë, theksojnë sindikalistët.

Evidente është dhe mungesa e informimit adekuat të punëtorëve rreth të drejtave të tyre dhe mekanizmave mbrojtës që kanë ata në dispozicion për zbatimin e masave për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë.

Ivan Peshevski, zëvendëskryetar i Sindikatës së Ndërtimtarisë në kuadër të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut, për Radion Evropa e Lirë ka bërë të ditur se ka shumë probleme rreth zbatimit të Ligjit për siguri gjatë punës.

“Ka shumë gjëra që në ligj edhe pse janë definuar, por në praktikë ato vështirë gjejnë zbatim. Prandaj për momentin diskutohet miratimi i një ligji të ri”, thekson Peshevski.

​Sindikalistët njëhërësh kërkojnë që krahas ligjit të ri të zhvillohet dhe një doracak si udhëzues për t'i bërë ligjet e kuptueshme për punëtorët dhe për të lehtësuar njohjen e shkeljeve të të drejtave të tyre.

“Ligji i ri nuk duhet të paraqes një ligj i cili do të jetë mirë i shkruar në letër, por duhet të jetë i hartuar në atë mënyrë që të mund të jetësohet me përpikëshmëri në praktikë në mënyrë që të zvogëlohet numri i punëtorëve që marrin lëndime në vendin e punës, ose viktimat eventuale”, thotë Ivan Peshevski.

Përderisa, për Trajan Angjellovskin, pronar i një fabrike për mjete mekanike, problem paraqesin ndryshimet e shumta që pëson Ligji për siguri në punë sepse ligji i miratuar në vitin 2007 është plotësuar 12 herë deri më tani dhe sipas tij, disa pjesë mbeten të pa qarta.

“Neve na mungon një doracak apo rregullore ose udhëzues sido që të quhet, i cili do të publikohet në ueb faqe të institucionit që do të kujdeset për zbatimin praktik të njëjtit, ku në mënyrë të kuptueshme dhe transparente saktë do të definohen të gjitha obligimet ligjore që i ka një kompani ndaj punëtorëve“, thotë Angjellovski, afarist.

Punëtorët në Maqedoninë e Veriut njëherësh kanë theksuar se nevojitet të forcohet dhe roli, kapaciteti dhe kompetenca e inspektoratit të punës.

Sindikalistët në Maqedoninë e Veriut njëherësh theksojnë se me rëndësi është të ndërtohet kultura e veprimit preventiv, përkatësisht të kuptohet se punëtori i shëndoshë është benefit për secilën kompani.

Sipas raportit të shoqatës maqedonase për mbrojtje në vendin e punës gjatë vitit të kaluar, 33 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës, dhe 124 punëtorë kanë marrë lëndime trupore në vendin e punës, përderisa në 2017 në vendin e punës në Maqedoninë e Veriut e kishin humbur jetën 24 punëtorë.

Së fundmi, dy punonjës ndërtimi e kanë humbur jetën nga rrëshqitja e dheut deri sa po punonin në hapjen e një kanali të një objekti banimi në Shkup.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale ka bërë të ditur se punohet me intensitet në sjelljen e një ligji të ri i cili në përputhje më standardet e vendeve të zhvilluara të BE do të sigurojë nivel shumë më të lartë për punëtorët në vendin e punës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG