Për shkak të valës së nxehtë që ka përfshirë Maqedoninë, Ministria e Shëndetësisë u ka rekomanduar qytetarëve t`u shmangen aktiviteteve fizike prej orës 11 deri në orën 17, të mos dalin në qiell të hapur ku ekspozimi ndaj diellit është i drejtpërdrejtë, si dhe të përdorin ushqim të lehtë dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje.
Dikasteri i Shëndetësisë, gjithashtu, ka dhënë rekomandim që gratë shtatzëna dhe personat mbi moshën gjashtëdhjetëvjeçare të lirohen nga obligimet e punës.
Por, organizatat, të cilat mbrojnë të drejtat e punëtorëve, thonë se organet kompetente duhet të shqyrtojnë rregullativën ligjore, në bazë të së cilës shpallet gjendje e jashtëzakonshme vetëm nëse temperaturat arrijnë mbi 40 gradë celsius.
Dejan Llutkovski nga lëvizja majtiste Solidariteti, e cila në fokus ka të drejtat e punëtorëve, konsideron se patjetër duhet të krijohen lehtësime për punëtorët në sektorin e ndërtimtarisë, të cilët tërë ditën janë të ekspozuar në diell veçanërisht ata që janë të angazhuar në projektin “Shkupi 2014”.
“Gjatë punës në temperatura kaq të larta, vihet në pikëpyetje shëndeti i punëtorëve, e veçanërisht siguria e tyre, nëse kemi parasysh se këta punëtorë, të cilët janë të përfshirë në sektorin e ndërtimtarisë konkretisht në projektin ‘Shkupi 2014’ punojnë në skele, të cilat nuk janë dhe aq të mbrojtura”, thotë Llutkovski.
Por, kryetari i Odës që përfaqëson ndërmarrjet ndërtimore në Maqedoni, në kuadër të lidhjes së Odave Ekonomike, Robert Hojt, thotë se deri më tani ata nuk kanë marrë asnjë kërkesë nga sindikalistët për ndryshimin apo shkurtimin e orarit të punës gjatë këtyre ditëve kur Maqedonia ka hyrë në fazën e verdhë.
“Te ne nuk ka ardhur asnjë kërkesë për ndryshimin apo shkurtimin e orarit të punës në sektorin e ndërtimtarisë, gjithçka është lënë në ndërgjegjen e punëdhënësve. Të gjithë, ose të paktën pjesa më e madhe e tyre, janë të vetëdijshëm për temperaturat e larta prandaj dhe u japin pauza më të gjata në kuadër të orarit të punës, veçanërisht atyre punëtorëve vendi i punës së të cilëve është i ekspozuar drejtpërdrejt në diell”, thekson Hojt, kryetari i Odës që përfaqëson ndërmarrjet ndërtimore në Maqedoni.
Në këtë drejtim, Bashkim Sulejmani, ligjërues i të Drejtës së Punës në Universitetin Shtetëror të Tetovës, thotë se nuk mund të pritet që sindikatat të vihen në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve, përderisa ata janë dorë e zgjatur e qeverisë dhe në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë të drejtat e punëtorëve.
“Sindikatat këtu kanë detyrim ligjor që ta inskenojnë situatën faktike, si atë shëndetësore të punëtorëve, por edhe efikasitetin në punë, sepse edhe efikasiteti në punë nuk është në nivelin e duhur. Nëse punëtori i ankohet punëdhënësit, atëherë ai mund të marrë vendime individuale, pra forma më e lehtë është që sindikatat të reagojnë. Por, te ne raportet mes institucioneve janë shumë të ftohta dhe gjithçka i lihet punëdhënësit”.
“Jo gjithmonë punëdhënësi duhet të iniciojë ndërprerjen e punës në kushte dhe rrethana të caktuara klimatike, sepse është e ditur më së paku këtu ka interes punëdhënësi t’i lirojë punëtorët nga puna ose t’ua shkurtojë orarin e punës”, konsideron ai.
Ndërkohë, Millan Petkovski nga Shoqata për mbrojtje gjatë punës, thotë se duhet të specifikohen në formë të detajuar të gjitha masat mbrojtëse që duhet të sigurojë punëdhënësi, veçanërisht për profesionet që kanë risk të lartë për shëndetin e punëtorëve. Ai, gjithashtu, propozon që të bëhen kontrolle të shpeshta, sidomos në sektorin e ndërtimtarisë sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë.
“Unë propozoj që të ndërmerren të gjitha masat për mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve, përfshirë këtu dhe ato teknike, teknologjike si dhe ato organizative, në bazë të së cilave madje orari i punës do të ndahej në dy pjesë, në orët e hershme të paradites dhe ato të pasdites, duke kaluar brezin e nxehtë të mesditës kur temperaturat janë më të larta”, vlerëson Petkovski.