Ndërlidhjet

Shkup, mosmarrja e datës hap debatin e zgjedhjeve të parakohshme


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Lidhja Social-Demokrate e kryeministrit, Zoran Zaev, të dielën do të diskutojë nëse do të ketë ose jo zgjedhje të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Një vendim i tillë vjen pasi vendi nuk ka arritur që të sigurojë këtë verë datën e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, të enjten, pas takimit në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel ka bërë të dituar se data e hapjes së negociatave ka mbetur të diskutohet në shtator nga Bundestagu gjerman. Ai ka shprehur besimin se në vjeshtë Maqedonia e Veriut do të nisë bisedimet për shkak të përmbushjes së të gjitha kritereve të nevojshme, por para nisjes për në Gjermani, Zaev kishte thënë se mosmarrja e datës në qershor apo korrik do të kishte pasoja për vendin, ndërsa ka paralajmëruar një sërë opsionesh të marrjes së përgjegjësisë si zgjedhje të parakohshme, kthimin e mandatit apo edhe formimin e një qeveria krejt të re.

"Të dielën këshilli qendror i partisë do të mbajë mbledhjen në Ohër dhe në parim kjo do të jetë pjesë e bisedimeve të rëndësishme…konsideroj se mesazhet dhe mbështetja e madhe e vendeve anëtare të BE-së, gjithashtu duhen të merren në konsideratë. Ne jemi vendi i vetëm që kemi marr mbështetje të pa rezervë në rrugën e anëtarësimit në BE. Askush nuk e shtron çështjen se a duhet të jepet data, por se kur duhet të ndodhë kjo”, ka deklaruar Radimilla Sheqerisnka, zëvendëskryetare e LSDM-së dhe ministre e Mbrojtjes.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e Qeverisë, kanë deklaruar për mediat se vendi duhet të përqendrohet në vazhdimin e reformave, por, pa specifikuar nëse janë ose jo për zgjedhje edhe pse më parë nga kjo parti nuk e kanë përjashtuar një mundësi të tillë, duke theksuar se BDI-ja është e gatshme edhe për zgjedhje të mundshme.

“Duhet të vazhdojmë dhe të intensifikojmë dinamikën e reformave, të detyrave tona dhe të përgatitemi për nisjen e bisedimeve këtë vit. Dua të them se ajo që kemi marr si mesazh, jep një kaheje të qartë se nga duhet të shkon Qeveria dhe vendi më tutje”, ka deklaruar Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane dhe zëdhënës i BDI-së.

Mosmarrja e datës së bisedimeve të anëtarësimit këtë verë, nga opozita është vlerësuar si dështim i radhës së pushtetit. Nga VMRO-ja thonë se deklaratat e zyrtarëve të cilët zvarritjen e datës për në vjeshtë e vlerësojnë si fitore, nuk është asgjë tjetër, sipas saj, përveç se manipulim me opinionin, ngjashëm sikur edhe me raportin e vitit të kaluar.

“Qëndrimi se në shtator Bundestagu do të debatojë për këtë çështje, është qëndrim të cilin e kemi ditur edhe para një jave. Këtu ka një arsyeje më të thellë të cilën do ta mësojmë më vonë. Dyshimet tona janë se shteti gjerman në bazë të qasjes serioze që ka ndaj Ballkanit, ka arritur në konstatimin se ende ka mangësi për të ecur para në rrugën e integrimit. Kjo është për të ardhur keq dhe këtë e kemi paralajmëruar, por pushteti në vazhdimësi të gjitha zhvillimet në këtë çështje i ka prezantuar si triumf, ngjashëm sikur ajo me vitin e kaluar kur raportin e prezantonte si marrje të datës që në fakt nuk ishte ashtu”, ka deklaruar Ilija Dimovski, deputet VMRO-DPMNE-së.

Opozita mbetet në qëndrimin se Qeveria, që nga zgjedhjet presidenciale, e ka humbur legjitimitetin që sipas saj tani konfirmohet edhe me mosmarrjen e datës së bisedimeve për anëtarësim, andaj edhe kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Maqedonia e Veriut statusin e shtetit kandidat e ka marrë në vitin 2005 dhe që atëherë hapja e negociatave ishte kushtëzuar me përmbushjen e reformave dhe arritjen e marrëveshjes me Greqinë për kontestin e emrit. Pas zgjidhjes së këtij problemi dhe arritjes së marrëveshjes edhe me Bullgarinë, institucionet kanë pritur që kjo të kurorëzohet me marrjen e datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG