Ndërlidhjet

Zaev: Mosmarrja e datës ka shumë pasoja


Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka udhëtuar për në Gjermani ku të enjten do të takohet me kancelaren, Angela Merkel, nga e cila pritet të marrë përgjigje të qartë nëse Shkupi do të marrë ose jo datën e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Kryeministri Zaev para nisjes për në Berlin, në një përballje televizive, ka thënë se mosmarrja e datës mund të ketë pasoja, për shkak të mundësisë së involvimit të ndonjë pale të tretë në rajon, por pa specifikuar se për cilin shtet e ka fjalën.

“Nëse nuk i japin datën Maqedonisë së Veriut mund të hapin rrugën e ndikimit të shteteve të treta. Nëse nuk jepet data, mos prisni që do të motivoni (presidentin serb, Aleksandar) Vuçiqin dhe (presidentin e Kosovës, Hashim) Thaçin të kërkojnë dialog për Kosovën, pasi nuk kanë motivim. Nëse nuk jepet data, përfundimisht mund të kthejnë nacionalizimi, radikalizmi, populizmin që nuk sjellin progres. Pra, mosdhënia e datës mund të hap shumë çështje, prandaj besoj se këto janë arsyet për të caktuar datën e nisjes së bisedimeve”, ka deklaruar Zaev në emisionin “Otvoreno” në TV 24.

Kreu i Qeverisë maqedonase u shpreh se moscaktimit i datës në kohën kur Maqedonia e Veriut ka marr raportin më pozitiv deri më tani, me rekomandimin për nisjen e bisedimeve, do të ishte goditje për institucionet dhe vendin, para se gjithash për shkak të mbylljes së një për çështjeve më të ndjeshme, atë të ndërrimit të emrit.

“Ne kemi të drejt të plotë që të luftojmë për atë që e meritojmë dhe këtë do ta bëjmë deri në fund. Unë jam i bindur se do të marrim datën e bisedimeve, por duam që këtë ta marrim sa më shpejt që të jetë e mundur. Këtë e duam këtë verë. E kuptoj se pse nuk do të jetë në qershor, por nuk e kuptoj pse jo në korrik, prandaj dua të ma thonë dhe besoj se do të marr përgjigjen. Katërmbëdhjetë vjet po presim datën për nisjen e bisedimeve, 14 vjet kemi pritur për shkak të problemit me Greqinë. E kemi merituar si asnjëherë më parë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Ai ka përsëritur qëndrimin se në rast se dështon në marrjen e datës për shkak se këtë nuk e meriton vendi, atëherë nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, dorëzimin e mandatit, apo riformatimin e plotë të Qeverisë.

Por, njohësit e çështjeve politike thotë se të pakta janë gjasat që data të jepet para shtatorit, por edhe nëse mbetet për në vjeshtë, sipas ekspertëve kjo nuk duhet të paraqes problem, duke marrë parasysh pritjet shumëvjeçare për arritjen deri në këtë fazë të integrimit.

“Duke marr parasysh të gjitha rrethanat, mendoj se kjo mund të ndodhë në shtator, por edhe përpjekjet tona tani po shoh në drejtim të angazhimit për të siguruar të paktën datën për në shtator. Qershori që në fillim ishte problematik për shkak të zgjedhjeve dhe procedurave në parlamentet e shteteve anëtare të BE-së. Gjasat janë që kjo të ndodhë në shtator. Kjo nuk do të kishte implikime dramatike duke marrë parasysh se sa gjatë kemi pritur për të arritur deri këtu”, thotë Simonida Kacarska nga Instituti për Politika Evropiane.

Institucionet druajnë se mbetja e procesit për në vjeshtë mund të dështojë për shkak të shumë proceseve tjera në Bashkimin Evropian, zgjedhjen e drejtuesve të rinj të komisionit, por edhe formaliteteve tjera ndërsa nuk përjashtojnë mundësinë e ndonjë ndryshimi apo kushtëzimi edhe nga Greqia ku pas zgjedhjeve në korrik pritet ndërrimi i pushtetit. Anketat si favorite të zgjedhjeve nxjerrin Demokracinë e Re, parti kjo kundërshtare e Marrëveshjes së Prespës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG