Ndërlidhjet

Korrupsioni radhitet si problemi më i madh pas papunësisë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Vetëm një në dhjetë biznese e raportojnë korrupsionin, apo marrjen e mitos, derisa një në nëntë kompani e konsiderojnë korrupsionin si pjesë të lojës. Kështu u tha në konferencën, “Korrupsioni nga ana e ofertës: Perspektiva e bizneseve”, të organizuar nga Instituti Riinvest.

Rreth 90 për qind e bizneseve të anketuara, sipas raportit, mendojnë se ka korrupsion në Kosovë. Niveli i korrupsionit në Kosovë perceptohet si problemi i dytë më i madh në shoqëri dhe renditet menjëherë pas papunësisë.

Aty gjithashtu u tha se janë tri praktika të korrupsionit si më të përhapura në Kosovë, ku bëjnë pjesë: ryshfeti, informaliteti si dhe favorizimi i miqve dhe anëtarëve të familjes në institucionet publike.

Raporti i prezantuar thotë se pronarë biznesesh gjatë anketimit kanë deklaruar se 2/3 e bizneseve mendojnë se nuk mund kryejnë punë pa dhënë ryshfet, kurse gati gjysma e bizneseve deklarohen se nuk mund të zhvillohen pa korrupsion.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se gjetjet korruptive nga ky raport janë fenomen shqetësues. Ai tha se ka perceptim se korrupsioni mund të jetë i pranishëm edhe te vetë inspektorët.

Rukiqi theksoi se nxitja dhe presioni për korrupsion vjen nga kërkesa, sepse ka nivel minimal të llogaridhënës dhe ka një shkallë të lartë konkurrencës së padrejtë në treg.

“Kudo që ka inspektime ka edhe korrupsion. Shumë pak është trajtuar ky element. Po mundohemi ta trajtojmë me reformën e inspektimeve. Ka qindra inspektime në vit që ballafaqohen bizneset që nuk janë vetëm procedura standarde të inspektimeve, por edhe mekanizma të presionit në biznese.dhe ky mekanizëm i presionit i detyron bizneset që të mbijetojnë”, tha Rukiqi.

Në anën tjetër, ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Per Strand Sjaastad tha në këtë konferencë se për ta luftuar korrupsionin duhet të ndryshojë mentaliteti i vetë qytetarëve, pasi nuk mjafton vetëm legjislacioni i fuqishëm.

“Për fat të keq korrupsioni është një industri e madhe. Kompanitë janë viktimë ndaj këtij fenomeni, por edhe pjesëmarrës në korrupsion”, theksoi Sjaastad.

"Ky fenomen korruptiv është dukuri e rëndë për zhvillimin e ekonomisë dhe krijimin e konkurrencës së barabartë. Komuniteti i biznesit mund të luaj një rol të rëndësishëm për parandalimin e korrupsionit’’, përfundoi Sjaastad.

Kurse, drejtori ekzekutiv në Institutin Riinvest, Alban Hashani, theksoi se korrupsioni prej anës së ofertës krijon probleme në ekonomi dhe krijon pabarazi. Ai e sheh shqetësuese rezultatin e anketës së pronarëve të bizneseve ku thuhet se një në dhjetë biznese e raportojnë korrupsionin, apo marrjen e mitos.

“Mbetet shqetësuese se një në nëntë kompani e konsiderojnë korrupsionin si pjesë të lojës, pra që është pjesë e të bërit biznes dhe nuk ka masa aktive për ta ndryshuar, gjë që e bën edhe më kompleks gjithë çështjen për ta trajtuar si nga ana e uljes së përfshirjes në korrupsion edhe rritjes së sanksioneve për me u ndëshku ata të cilët përfshihen qoftë nga ana e ofertës apo kërkesës. Ndërkaq, një në 10 biznese raportojnë rastet kur u janë kërkuar mito”, tha Hashani.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar, përbëjnë një prej problemeve kryesore të evidentuara edhe në raportet e Komisionit Evropian për Kosovën. Për këtë arsye, luftimi i këtyre dukurive ishte vënë edhe si një prej kritereve kryesore për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG