Ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut, njëherit deputet në Parlamentin e vendit, Nikolla Gruevski, i arratisur në Hungari për gjashtë muaj, nuk është aktiv në punën e Parlamentit.
Shumica parlamentare në Maqedoninë e Veriut, vlerëson se janë plotësuar të gjitha kushtet që t'i merret mandati i deputetit për shkak të mungesës pa arsye në Parlament.
Por, VMRO DPMNE bën të ditur se deputetët e kësaj partie nuk do të votojnë për heqjen e mandatit të deputetit, Nikolla Gruevski.
Sipas partisë maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE e cila drejtohej nga ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikolla Gruevski, ky i fundit me arsye mungon në seancat parlamentare dhe për këtë arsye në asnjë mënyrë nuk duhet t'i hiqet imuniteti i deputetit.
“Bëhet fjalë për një tentim të pushtetit që të fsheh dështimet e qeverisjes së Zoran Zaevit me iniciativën për heqjen e mandatit të deputetit për Nikolla Gruevskin. Kjo iniciativë bëhet në momentin që mungon data për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE, thotë për Radion Evropa e Lirë Naum Stollkovski, zëdhënës i VMRO DPMNE-së.
Por, kryetari i Komisionit parlamentar për çështje të rregullores, mandatit dhe imunitetit, Pavle Bogoevski, thotë se pavarësisht se problematike është definimi i arsyeshmërisë së mosprezencës së Nikolla Gruevskit në seancat parlamentare, shpreson që të reflektojnë deputetët duke respektuar parimet e drejtësisë dhe t'i heqin imunitetin.
“Kemi të bëjmë me një situatë kontradiktore për një arsye të thjeshtë, pasi duhet të votohet për faktin nëse Gruevski ka munguar me ose pa arsye në senacat parlamentare gjatë gjashtë muajve të fundit, kjo çështje është e definuar në Kushtetutë dhe ne duhet të sigurojmë 80 vota nëse duam t`ia heqim mandatin e deputetit Nikolla Gruevskit”, thotë Bogoevski.
Social-demokratët e kryeministrit Zoran Zaev njëherësh kanë theksuar se Prokuroria duhet sa më parë të jap përgjigje para opinionit rreth hetimit për arratisjen e Gruevskit nga shteti, si dhe kanë kërkuar që Gjykata Supreme të vazhdojë të mos i heqë vendimin për dënim me burg.
Por, ekspertët juridik thonë se ishte pikërisht ujdia e strukturave udhëheqëse të shtetit me Gruevskin ajo që kontribuoj në arratisjen e këtij të fundit.
“Nëse analizohet pjesa kushtetuese, ajo pjesa ligjore sa i përket imunitetit të deputetit, rregullorja e Kuvendit është shumë koncize. Por, Maqedonia e Veriut ka një problem politik, si gjithmonë krijon huti fillimisht në vetvete dhe pastaj opinionin ku gjithmonë fajësinë për moszbatimin e ligjeve ua lënë zbrazëtirave ligjore”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Bashkim Selmani, njohës i çështjeve juridike.
Sipas tij, Gruevski nuk shpëtoi nga burgu falë zbrazëtirave ligjore, por aritisjen e tij e ndihmoi mungesa e vullnetit politik për të vënë në funksion shtetin ligjor.
Ndryshe, ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, nga shteti u arratis para gjashtë muajve përkatësisht në nëntor të vitit të kaluar pasi Gjykata Penale i shqiptoi dënim me burg prej dy vjetësh për shkak të aktiviteteve kriminale.
Autoritet e Hungarisë akoma nuk i janë përgjigjur kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë së vendit për ekstradimin e Gruevskit në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që Hungaria si shtet ka miratuar kërkesën e Gruevskit për marrjen e azilit në këtë shtet.