Ndërlidhjet

Mbi 245 mijë lëndë presin zgjidhje në gjykata


Ilustrim.
Ilustrim.

Në gjykatat e Kosovës vazhdon të ketë numër të madh të lëndëve të pazgjidhura. Aktualisht, janë mbi 245 mijë lëndë të vjetra apo të reja, që presin zgjidhjen nga gjykatat në mbarë Kosovën.

Por, sipas drejtuesve të sistemit të drejtësisë,ky numër do të bie, pasi në gjykatat e Kosovës ka një angazhim të shtuar të zyrtarëve përgjegjës lidhur me këtë çështje.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se janë dy gjykatat, ajo e Themelore dhe e Apelit, të cilat janë më të ngarkuar me punë, por sipas tij, me angazhimin e rreth 60 gjyqtarëve të rinj, numri i lëndëve do të zbresë.

"Në aspektin e përgjithshëm të ngarkesa e lëndëve mund t'ju them që përveç Gjykatës Themelore në Prishtinë ku kemi problem pak edhe Gjykatës së Apelit në divizioni civil, në gjykatat e tjera në të gjitha gjykatat e Kosovës , numri i lëndëve nuk është i madh. Do të thotë një numër i lëndëve të vjetra janë kryer. Çka nënkupton se lëndët në këto gjykata kryhen brenda një afati të arsyeshme", tha Çoçaj.

Kryesuesi Çoçaj tha se përveç në Gjykatë Themelore në Prishtinë, në gjykatat tjera,shqyrtimi i lëndëve përfundon në një afat të shpejt.

"Nëse e krahasojmë [numrin e lëndëve] me fillimin e vitit 2018 dhe përfundimin e vitit 2018, numri i lëndëve ka zbritur dukshëm, mirëpo lëndët kryhen dhe vijnë vazhdimisht çdo ditë. Pra, numri nuk mund të vijë në zero, për shkak se lëndë vazhdimisht vinjë në gjykata", tha Çoçaj.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, institut ky që bën monitorimin e punës së sistemit të drejtësisë, thonë se ka rënie të numrit të lëndëve të cilat janë zgjidhur. Megjithatë, sipas tyre, në gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës, ende ka nevojë për ndryshme dhe përmirësime.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha për Radion Evropa e Lirë, se për zvogëlimin e lëndëve në gjykatë nuk ka një menaxhim të duhur.

"Qytetarët e Kosovës ende ballafaqohen me vonesa të shumta në trajtimin e lëndëve të tyre dhe kjo më së shumti vërehet të çështjet civile dhe administrative. Edhe pse në kohët e fundit ka pasur rritje të numrit të gjyqtarëve si rezultat i mosmenaxhimit dhe administrimit të përshtatshë, të gjykatave, qytetarëve ju duhet me vite të presin për t'i zgjidhur çështjet e tyre në gjykata", tha Miftaraj.

Ndryshe, korrupsioni në gjyqësi, mosefikasiteti, grumbullimi i lëndëve, ngadalësimi në reforma - janë vetëm disa nga kritikat më të shpeshta që i janë bërë sistemit të drejtësisë për vite me radhë nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare. Miftaraj thotë se në sistemin e drejtësisë ende nuk punohet drejtë dhe pa anime.

"Në raste të caktuar, kur flasim për njerëzit e privilegjuar, e njëjta nuk vlen edhe për ta. Përderisa për qytetarët e thjesht duhet vite për ta trajtuar e zgjidhur një rast, për qytetarët e privilegjuar që kanë pozita, lëndët e tilla kryhen për tre muaj nga ana e gjykatave, gjë që ngrit shqetësimin e brengën e qytetarëve, që drejtësisë në Kosovë nuk zbatohen në mënyre të drejtë për të gjithë, por zbatohet në bazë të funksioneve që personat e caktuar kanë në shoqëri", Miftaraj.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se politika dhe grupet e interesit, kanë prodhuar një sistem të drejtësisë, i cili në vend që të prodhojë drejtësi dhe siguri juridike, është shndërruar në mekanizëm persekutimi për individë të caktuar në emër të luftës kundër korrupsionit, si dhe mjet efikas për të ofruar pandëshkueshmëri dhe amnisti për zyrtarë të caktuar brenda sistemit të drejtësisë, politikës dhe grupeve të interesit.

Autoritetet në Kosovë nuk mendojnë se sistemi i drejtësisë në vend është pre e ndikimeve politike, ashtu siç është thënë në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) mbi të Drejtat e Njeriut.

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, thotë se në vazhdimësi ka kërkuar nga prokurorët dhe gjyqtarët që të punojnënë mënyrë të pavarur dhe të mos u nënshtrohen ndikimeve nga jashtë.

Drejtuesit e mekanizmave të drejtësisë në Kosovë pohojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të përballet me probleme e sfida.

Sipas tyre pavarësisht punës së bërë, nuk do të thotë se është bërë sa duhet për të kthyer besimin e duhur të qytetarëve në gjykata e prokurori.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG