Ndërlidhjet

Rezultati i dobët në zgjedhje, mesazh për rënien e besimit ndaj pushtetit


Njerëzit kalojnë pranë bilbordeve të dy kandidatëve për president të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovskit dhe Gordana Siljanovska-Davkova. Shkup, 18 prill, 2019.
Njerëzit kalojnë pranë bilbordeve të dy kandidatëve për president të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovskit dhe Gordana Siljanovska-Davkova. Shkup, 18 prill, 2019.

Dalja e ulët në votime dhe mungesa e rezultateve të partive në pushtet, është mesazh se qytetarët nuk janë të kënaqur me punën e ekzekutivit, thonë njohësit e çështjeve politike duke komentuar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, që përfundoi me një rezultat të ngushtë mes kandidatit të partive në pushtet, Stevo Pendarovski dhe kandidates së opozitës maqedonase, Gordana Siljanovska-Davkova.

“Ky është një mesazh i qartë për pushtetit, që duhet të shërbejë si ndërgjegjësim se duhet të bëjë përpjekje maksimale nëse dëshiron të ruajë përparësinë. Edhe pse qytetarët mbështesin kursin euroatlantik të Qeverisë, ata në anën tjetër me këtë dalje në votime, shprehin pakënaqësinë nga zbatimi i reformave”, thotë analisti Petar Arsovski.

Pas rezultatit të ngushtë në raundin e parë, por edhe daljes së ulët në votime, analistët thonë se pragu prej 40 për qind i daljes në votime do të jetë shumë e vështirë për t’u arritur.

“Duhet ta kemi parasysh se nëse paraqitjet e dy partive më të mëdha politike maqedonase mbeten të njëjtë, do të jetë e vështirë të arrihet pragu zgjedhor. Gjithçka besoj se do të varet nga votat e Blerim Rekës. Nëse të paktën një e treta e votuesve të Rekës nuk dalin në votime zgjedhjet në raundin e dytë mund të dështojnë, nëse te votuesit maqedonas nuk ka rritje të daljes në votime”, thotë Arsovski.

Zgjedhjet presidenciale dëshmuan se vota shqiptare është vendimtare për proceset politike e zhvillimore në vend, thotë Shpëtim Pollozhani, njohës i çështjeve politike.

Ai thotë se opozita apo kandidati shqiptar, Blerim Reka, i cili në raundin e parë mori rreth 80 mijë vota, mbështetjen në raundin e dytë duhet ta kushtëzojë me kërkesa që mund të hartohet varësisht nevojave që ka popullata shqiptare. Sipas tij, mbështetje mund t’i jepet kandidatit të LSDM-së, Stevo Pendarovski, por assesi kandidates së VMRO-së, Gordana Siljavksa, për shkak të siç thotë, politikave antishqiptare të kësaj partie.

“Unë mendoj se shqiptarët duhet të formulojnë një program të mençur dhe të argumentuar dhe t’ia paraqesin kandidatit, pra vota e kandidatit shqiptar Pendarovskit duhet të kushtëzohet sepse për çështjen e VMRO-s aq që duhet të diskutohet. Por, Pendarovskin ato duhet ta kushtëzojnë me një dokument ‘non-paper’ me garanci ndërkombëtare”, thotë Pollozhani

Sa i përket Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), që është në koalicion me Lidhjen Social-Demokrate, Pollozhani thotë se nga kjo parti nuk duhet pritur mbështetje, pasi jo siç thekson prioritet ka interesat e saj dhe jo të ardhmen e shtetit.

“Ato bëjnë pazare shumë të lira, në përgjithësi pazare për interesa personale, për t'i shpëtuar Prokurorisë Speciale që është vënë në ndjekje të tyre”, thotë Pollozhani.

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kandidati i partive politike në pushtet, Stevo Pendarovski ka fituar me një dallim prej 4500 vota. Nga rreth 42 për qind e qytetarëve që kanë dalë në votime, për Pendarovskin kanë votuar 42,84 për qind ose 323.783 vota, kurse për kandidaten e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova 42,24 për qind apo 319.201 vota. Kandidati i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, Blerim Reka me 10,57 për qind ose 79.913 vota.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale mbahet më 5 maj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG