Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Maqedonisë së Veriut, të publikuara në faqen e internetit, e të cilat përpunohen në vazhdimësi, kandidati i partive në pushtet, Stevo Pendarovski është në epërsi ndaj Gordana Siljanovskës të opozitës maqedonase, VMRO DPMNE dhe Blerim Rekës të opozitës shqiptare.
Nga rreth 62 për qind të vendvotimeve të numëruara, Pendarovski ka fituar rreth 45 për qind të votave, Gordana Siljanovska rreth 42 përqind dhe Blerim Reka afër 12 përqind.
Por, pavarësisht kësaj , dy partitë VMRO dhe LSDM bazuar në të dhënat e tyre partiake pretendojnë fitore në zgjedhjet presidenciale.
VMRO DPMNE-ja ka thënë se në shumë komuna kandidatja e kësaj partie për presidente shteti, Gordana Jankullovska, po udhëheq kundrejt kandidatëve të saj dhe se në zgjedhjet e së dielës sipas opozitës maqedonase “ka ngadhënjyer drejtësia ndaj pushtetit jopopullor”.
“Gëzohu Maqedoni! Pushteti jopopullor është gjunjëzuar. Po udhëheqim në shumë komuna. Populli po fiton. Gordana Siljanovska është zgjedhja e popullit, Populli është i mençur, energjik dhe çdoherë ka të drejtë. Përkundër presioneve të pushtetit, në përgjithësi kishim procesi zgjedhor të paqësor. Erdhi drejtësia kundrejt padrejtësisë. Maqedoni kundër Veriores. Po ndodhë pranvera maqedonase”, ka deklaruar Igor Janjushev sekretari i përgjithshëm i VMRO DPMNE-së
Edhe LSDM-ja ndërkohë thotë se kandidati i saj është në epërsi, por pa dhënë detaje mbi numërimin e votave. Nga partia e kryeministrit, Zoran Zaev thonë se Stevo Pendarovski në balotazh më 5 maj do të shpallet president i ri i shtetit.
“Stevo Pendarovski është në epërsi dhe fitorja në rrethin e parë është më se e qartë. Mbështetja e të gjitha bashkësive etnike pritet të konfirmohet me fitoren në rrethin e dytë. Pa dyshim se Stevo Pendarovski do të jetë president i ri i shtetit”, ka deklaruar Aleksandar Kiracoski.
Kandidati shqiptar për president, Blerim Reka, tha se është i kënaqur nga rrjedha e votimit dhe rezultati i arritur.
“Në të gjitha komunat shqiptare udhëheqin 3 me 1 në raport me kandidatët e tjerë. Vota kemi fituar edhe në komuna. Koncepti jonë “Republika për të gjithë” ka marrë mbështetje edhe në ato komuna ku nuk kemi shtrirje partiake. Kjo jep shpresë se Maqedonia do të jetë shtet i të gjithëve. Me votat e siguruara ne kemi deligjitimuara partitë tjera shqiptare, dhe kjo paralajmëron një pranverë politike”, ka deklaruar Reka.
Procesi i votimit për zgjedhjen e presidentit të ri në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar në orën 19:00.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 18.30 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 39.71 përqind e trupit të përgjithshëm votues, apo rreth 600 mijë qytetarë nga afër 1.8 milion me të drejtë vote.
Bazuar në rrjedhën e procesit, sipas KSHZ-së, dalja në votime në këto zgjedhje pritet të arrijë pak mbi 40 për qind. KSHZ-ja ka bërë të ditur se procesi zgjedhor u zhvillua kryesisht në atmosferë të qetë dhe demokratike.
Edhe Ministria e Punëve të Brendshme procesin zgjedhor e ka vlerësuar si demokratik, pa asnjë incident serioz.
Lidhja Social-demokrate e kryeministrit Zoran Zaev, që në zgjedhje garoi me Stevo Pendarovskin ka përshëndetur rrjedhën e procesit zgjedhor duke e cilësuar si “skandinav”. Nga LSDM-ja thanë se presin fitoren e kandidatit të tyre.
“Maqedonia e Veriut të dielën ka treguar pjekuri të lartë demokratike duke organizuar zgjedhje skandinave. Maqedonia zbatoi zgjedhje të lira demokratike. Institucionet mundësuan që qytetarët në mënyrë të lirshme të shprehin vullnetin e tyre. Presim që fitues i zgjedhjeve të shpallet kandidati jonë Stevo Pendarovski”, ka deklaruar Aleksandar Kiracovski nga shtabi zgjedhor i LSDM-së.
Ndërkaq, Aleanca për Shqiptarët, procesin zgjedhor e ka vlerësuar të rregullt, por ka shprehur brengosjen për daljen e ulët në votime
“Kjo dalje tregon edhe shqetësimin tonë të theksuar gjatë fushatës. Një çerek i popullatës nuk është në vend ndërsa kemi edhe listë zgjedhore të papastruar”, ka deklaruar Vlera Gjakova nga shtabi i kandidatit shqiptar për president, Blerim Reka.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka përshëndetur mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Zgjedhjet kaluan në një atmosferë të qetë, korrekte dhe demokratike në përputhje me standardet evropiane. Institucionet treguan kapacitet të lartë për organizimin demokratik të zgjedhjeve në përputhshmëti me pritjet e qytetarëve si dhe të komunitetit ndërkombëtar. Vlerësojmë se ky organizim dhe mbarëvajtje e procesit zgjedhor paraqet përmbushjen edhe të një kushti për marrjen e datës për nisjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Arbër Ademi nga shtabi zgjedhor i BDI-së.
-----------------------
Në Maqedoninë e Veriut, në orën 7:00 të mëngjesit janë hapur kutitë e votimit ku rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin presidentin e ri të shtetit.
Në garë për pasardhësin e Gjorge Ivanovit janë tre kandidatë; Stevo Pendarovski, i nominuar nga Lidhja Social Demokrate dhe 31 parti tjera, përfshirë edhe Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit; Gordana Silajnovska-Davkova, kandidate e opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE dhe Blerim Reka, kandidat i propozuar nga dy partitë shqiptare të opozitës, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.
Stevo Pendarovski: Pres mbështetje të madhe për në balotazh
“Pres proces zgjedhor të qetë ashtu siç i ngjanë një shteti demokratik evropian. Pres dalje të lartë pasi qytetarët e dinë se nuk bëhet fjalë për zgjedhje individuale, por për zgjedhje të konceptit në bazë të të cilit Republika Maqedonia e Veriut duhet të vazhdoj të zhvillohet dhe për një periudhë të shkurtër të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike".
"Kuptohet, në fund të ditës pres që të kemi përparësi të madhe e cila do të na jap mundësi që në rrethin e dytë zgjedhor përfundimisht të marrim mbështetjen e plotë të qytetarëve dhe të vazhdojmë rrugës më afër Evropës dhe më larg izolimit”, tha Pendarovski pas votimit.
Blerim Reka: Sot hapet faqe e re në historinë e Maqedonisë Veriut
“Sot është një ditë e madhe, një dietë e shkëlqyeshme jo vetëm me diell, por edhe një faqe e re për historinë e Maqedonisë në raport me Bashkimin Evropian. Shpresoj dhe jam i bindur se këto do të jenë zgjedhje të rregullta, fer, demokratike dhe të lira, që të dëshmojmë se jemi të përgatitur për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. I ftoj qytetarët që të dalin masovikisht në zgjedhje dhe të shfrytëzojnë të drejtën demokratike për të votuar”, tha Reka pas votimit.
Gordana Siljanovska: Të dëshmojmë kapacitetin evropian për zgjedhje fer
“Këto zgjedhje janë të veçanta. Jo se unë jam kandidate dhe jo se gruaja e parë ka gjasa që të bëhet president, por për shkak të kushtit. Ne duhet ta dëshmojmë kapacitetin evropian, demokratik edhe me zgjedhje fer dhe demokratike. Kjo nuk është shumë e rëndomtë në shekullin e XXI, por shpresoj se përfundimisht do të dalim nga labirinti i tranzicionit dhe do të hyjmë në tranzicionin demokratik”, tha Siljanovska pas votimit.
Presidenti mund të zgjidhet në rrethin e parë, nëse ndonjëri nga kandidatët merr mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votave nga lista votuese, apo rreth 900 mijë, por deri më tani asnjë president nuk është zgjedhur në rrethin e parë për shkak të numrit të madh të votave që duhet të merr, kështu që në balotazh më 5 maj do të kalojnë dy garuesit me numrin më të madh të votave.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Oliver Derkoski, i ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje që të sigurojnë proces votues fer dhe demokratik, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjin.
“Komisioni do të bëjë gjithçka që të jetë i suksesshëm, por këtë duhet ta bëjnë edhe pjesëmarrësit e tjerë. Në fund të ditës le të fitojë më i mirë, ai për të cilin do të vendosin qytetarët, në rrethin e parë e pastaj edhe në rrethin e dytë”, ka deklaruar Derskoski.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, përmes një video-mesazhi ka thënë se policia është e përgatitur për të siguruar proces zgjedhor demokratik dhe pa incidente.
“Të dielën secili nga ne do të ketë mundësinë që të shfrytëzojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar në zgjedhje. MPB-ja do të përcjellë procesin zgjedhor me të vetmin qëllim që dita e votimit të jetë e qetë ashtu siç i takon një shoqërie demokratike”, ka deklaruar Spasovski.
Liderët dhe diplomatët e huaj bëjnë thirrje për dalje në votime
Zoran Zaev, kryetar i LSDM dhe kryeministër: “Nëse zgjedhjet do të jenë të suksesshme, nëse e ruajmë unitetin në vendin tonë, ecim fuqishëm përpara, drejt botës bashkëkohore së cilës i takon vendi ynë, Republika e Maqedonisë së Veriut. Votimi është nder, e drejtë dhe detyrë qytetare. Sot pres të gjithë qytetarët tanë të zgjedhin presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Zaev.
Hristijan Mickovski, VMRO DPMNE: “Sot qytetarët duhet të jenë të zëshëm, të dalin masovikisht dhe të vendosin njëherë e përgjithmonë të mposhten padrejtësitë në Republikën e Maqedonisë. Të fitojë drejtësia. Qytetarët duhet të jenë të zëshëm kundër gënjeshtrave, korrupsionit, mungesës së demokracisë në shtet, politikanët e pandershëm përkundër ndershmërisë, sinqeritetit dhje parimit”, tha Mickovski.
Ali Ahmeti, BDI:“Është me rëndësi që të gjithë t’i pranojnë rezultatet zgjedhore, sepse në procesin zgjedhor ka fitues dhe ata të cilët nuk i kanë realizuar pritjet e tyre. Është shumë me rëndësi që procesi të zhvillohet në atmosferë korrekte dhe demokratike dhe në fund të pranohen rezultatet e këtyre zgjedhjeve nga të gjitha pjesëmarrësit", tha Ahmeti.
Ziadin Sela, Aleanca për Shqiptarë: "Pres që qytetarët të dalin dhe të votojnë mënyrë të qetë. Të votojnë për shtet juridik, të votojnë për shtet për të gjithë, për vazhdimin e rrugës drejt NATO-s dhe BE-së. Për fat të keq këto ditë ishim dëshmitarë të shantazheve dhe presioneve të bërjes së propagandës së keqe, shumë të ulët nga ana e portaleve që janë të afërta me partinë në pushtet. Mënyrë e vetme që pushteti të distancohet nga këto terme është të funksionojë ligji dhe të dënohen”, tha Sela.
Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit: "Këto zgjedhje sigurojnë një prej funksioneve në shtet dhe e sigurojnë funksionalitetin e shtetit me çka duhet të sigurohet stabilitet në jetën politike në vend. Dëshiroj që zgjedhjet dhe tërë procesi të vijojë qetë dhe ashtu të përfundojnë deri në fund. Kandidatëve u dëshiroj fat sikur edhe atij që do të fitojë shumicën”, tha Xhaferi.
Mihaela Shvicer-Blum, Zv/ambasadore e SHBA-së: "Votimi në zgjedhje është pjesë kritike e çdo demokracie dhe është shumë me rëndësi që qytetarët ta ushtrojnë të drejtën e tyre lirshëm dhe pa ndikim. Gjithashtu rëndësi ka edhe numërimi transparent. I uroj fat gjithsecilit në këtë proces”, tha Blum.
Zgjedhjet po mbikëqyren nga një numër i madh i vëzhguesve vendor dhe ndërkombëtar. Në KSHZ janë regjistruar 3150 persona ndërsa numrin më të madh prej 1500 vëzhguesve e ka organizata joqeveritare “Most”, derisa 400 do të jenë të huaj.
Fushata elektorale e kandidatëve për president ka zgjatur 20 ditë. Ajo kryesisht ka qenë e qetë dhe demokratike, por me akuza të ndryshme mes partive. Kandidatët kryesisht janë përqendruar në çështjet që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Prespës, integrimin evropian, raportet ndëretnike, gjyqësorin, ekonominë si dhe korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Zgjedhjet presidenciale shihen si test për qeverisjen e kryeministrit Zoran Zaev, pas arritjes së marrëveshjes me Greqinë për ndërrimin e emrit të shtetit në “Maqedonia e Veriut”.
Ai ka thënë se në rast të disfatës së kandidatit të partive në pushtet, Stevo Pendarovski, do të shpall zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Kjo është kërkuar edhe nga opozita e cila ka kundërshtuar marrëveshjen me Greqinë. Kryetari i VMRO DPMNE-së ka thënë se zgjedhjet presidenciale në fakt janë zgjedhje për delegjitimin e Qeverisë së kryeministrit Zaev.