Ndërlidhjet

Veriu në zgjedhje, Lista Serbe për dakordim në Beograd


Përfaqësuesit e Listës Serbe, fotografi nga arkivi.
Përfaqësuesit e Listës Serbe, fotografi nga arkivi.

Në katër komunat e veriut të Kosovës të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan më 19 maj do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se ka filluar menjëherë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Katër kryetarët e këtyre komunave, më 27 nëntor të vitit 2018, dhanë dorëheqje, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia.

Të katër komunat në veri të vendit janë udhëhequr nga Lista Serbe, e cila do të vendosë rreth pjesëmarrjes në këtë proces zgjedhor, pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha për Radion Evropa e Lirë se ka njoftuar subjektet politike dhe kandidatët e interesuar për kandidim se afati i aplikimit nis nga sot [9 prill] dhe do të zgjasë deri më 18 prill, 2019, ndërsa certifikimi i tyre do të bëhet me datën 22 prill.

Daka tha se nuk parashohin ndonjë vështirësi në mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

"Nuk besoj se do të kemi probleme sepse kjo është dëshmuar tashmë në zgjedhjet e fundit lokale dhe ato të përgjithshme, ku nuk ka pasur ndonjë problem të theksuar. Shpresoj që do të na ndalin në ndihmë edhe institucionet të cilat kujdesen për rregull dhe siguri në gjithë Kosovën dhe në veri. Nuk e di, por në ditët e ardhshme do të diskutohet edhe mundësia që të kërkojmë ndoshta ndihmë apo përkrahje teknike edhe nga ndonjë institucion ndërkombëtar", tha Daka.

KQZ-ja ka njoftuar se fushata zgjedhore, si dhe afatet për tubimet zgjedhore do të fillojnë me datën 13 maj dhe do të përfundojnë më 17 maj.

Daka tha se për këto zgjedhje, Komisioni Qendror Zgjedhor do të kërkojë buxhet shtesë nga Qeveria.

"Me siguri që gjatë ditës se nesërme, deri sa të përgatiten edhe parallogaritjet të para, do të kërkojmë buxhet shtesë nga Qeveria edhe me siguri Qeveri do të na dalë në ndihmë dhe do ta sigurojë buxhetin", tha Daka.

Vendimin për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve e ka marr president i Kosovës Hashim Thaçi.

Nga ana tjetër, në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) thonë se aktualisht në veri të Kosovës ekziston një klimë e tensionuar për mbajtjen e zgjedhjeve.

Megjithatë, sipas tyre data për mbajtën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme është dashur të caktohet shumë me herët.

Eugen Cakolli nga KDI-ja tha për Radion Evropa e Lirë se nëse nuk ka pasur një konsultim me përfaqësuesit e Listës Serbe për mbajtjen e zgjedhjeve, vështirë se mund të ketë një proces të suksesshëm zgjedhor.

"Pas vrasje së Oliver Ivanoviqit në veri të vendit, në atë pjesë të vendit ekziston një klimë e tensionuar dhe një lloj frike për partitë e tjera politike, të cilat mbase do të mund të garonin për të fituar postin e kryetarit të komunës. Vlerësoj se në rast se shpallja e zgjedhjeve nuk është bërë në konsultim të plotë edhe me Listën Serbe apo të paktën një nga partitë e mëdha serbe, këto zgjedhje mund të dështojë në kuptimin që mund të ketë dalje të ultë të qytetareve në këto zgjedhjen çka do të ndikonte në kthimin e Kosovës pas, në periudhën ku në atë pjesë të Kosovës ka pasur dalje të ulët të qytetarëve, duke ndikuar në legjitimitetin e vet institucioneve", tha Cakolli.

Cakolli parashikon se nëse përfaqësuesit e Listës Serbe marrin pjesë në zgjedhje dhe dalin fitues, ata, siç thotë ai, mund të paraqesin problem, lidhur me çështjen e taksës doganore që Kosova ka vendosur për produktet nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina.

"Nga zyrtarët e Listës Serbe, kemi dëgjuar se ata do të konsultohen me Beogradin lidhur me ketë çështje, duke aluduar se ata do të hyjë në procesin zgjedhor edhe për kundërfaktin se taksa nuk është hequr. Madje edhe dje gjatë takimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve edhe anëtari i Listës Serbe, Stevan Veselinoviq ka votuar për planin operacional për shpalljen e zgjedhjeve, duke u pajtuar kështu de fakto me mbajtjen e zgjedhjeve atje. Mirëpo, nga aspekti politik nëse taksa nuk është hequr dhe dorëheqjet kanë ardhur pikërisht për shkak të taksës, unë besoj që mund të ndikojë që kryetarët posa të marrin mandatin dhe dhënien e betimit dhe finalizimin e procesit zgjedhor, [taksa] sërish mund të shpie në një krizë dhe vakuum institucional në veri te vendit", tha Cakolli.

Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i organizatës për avokimit të kulturës demokratike në veri të Mitrovicës, thotë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me shpalljen e zgjedhjeve është "duke e matur pulsin e komunitetit serb në veri se sa janë të gatshme për zgjedhje, a janë të interesuar për institucione të Kosovës në këtë situatë kur Lista Serbe është duke bojkotuar institucionet për shkak të taksës”.

"Nëse Lista Serbe i bojkoton zgjedhjet, unë mendoj se do të ketë probleme në organizimin e zgjedhjeve. Nëse Lista Serbe vendos të mos bojkotojë zgjedhjet, mendoj se situata do të jetë më e mirë se në zgjedhjet e mëparshme në veri. Listës Serbe mund të bojkotojnë zgjedhjet për shkak të taksës dhe gjëra të tjera deri më tani. Unë mendoj se kjo është arsyeja pse ata shkojnë në takim te Vuçiqi”, tha Radakoviq.

Ai mendon se bojkoti do te ishte zgjidhje e gabuar, sepse në atë rast "kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore mund të jetë edhe një Shqiptar. Unë mendoj se bojkoti do të dëmtonte vetëm komunitetin serb", tha Radakoviq.

Lidhur me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ftuar qytetarët dhe partitë politike për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.

"Ftoj subjektet politike të cilat garojnë në zgjedhjet e 19 Majit 2019, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, duke marrë pjesë në këto zgjedhje. Gjithashtu ftoj qytetarët e këtyre Komunave për të dalë në këto zgjedhje dhe të votojnë kandidatët më të mirë, që do të punojnë në të mirën e qytetarëve të këtyre komunave", ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet dhe standardet më të larta demokratike ndërkombëtare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG