Ndërlidhjet

Ambasadorët, të ‘lodhur’ me pushtetarët në Kosovë


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Deklaratat e ambasadorëve të vendeve mike dhe partnere në Kosovë, përmes të cilave tash e sa kohë po kritikojnë institucionet e Kosovës për dukuritë negative si: korrupsioni, keqmenaxhimi i parasë publike, nepotizmi dhe punësimet partiake, nuk janë të pamenduara dhe të papeshuara, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve në Kosovë. Për më tepër, sipas tyre, reagimet ndaj këtyre deklaratave, nga zyrtarë të caktuar të institucioneve të larta të Kosovës, janë të pamatura dhe rrezikojnë raportet mjaft të mira të Kosovës me vendet mike të saj.

Ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, Jean-Hubert Lebet, gjatë përurimit të sistemit të ujësjellësit që lidh 10 fshatra të Komunës së Skenderajt, projekt ky i financuar nga shteti i tij, të mërkurën ka thënë se “nuk është normale që Qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin” ndërkohë që sipas tij, “nëse ruhen paratë dhe nuk financohen veteranët e rrejshëm, do të mund të ndërtoheshin më shumë se një ujësjellës”.

Të premten, ministri Lekaj priti në takim ambasadorin e Zvicrës, Lebet.
Të premten, ministri Lekaj priti në takim ambasadorin e Zvicrës, Lebet.

Ministri i Infrastrukturës i Qeverisë së Kosovës, Pal Lekaj, të enjten, në një emision televiziv vendor, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit zviceran, duke thënë se sikur të ishte ai që merr vendime, do ta kishte dërguar ambasadorin zviceran në shtëpi.

Ilir Ibrahimi, analist i çështjeve politike dhe zhvillimeve në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që shteti i Kosovës është projekt në të cilin janë angazhuar një numër i madh i shteteve mike, të cilat kanë kontribuar për çlirimin, shpalljen e shtetit të pavarur dhe ndërtimin e këtij shteti. Sipas tij, për çdo cent që shpenzohet në Kosovë nga këto shtete, kërkohet përgjegjësi, sepse paratë janë nga taksapaguesit e vendeve që investojnë. Në këtë pikë, Ibrahimi thotë se ambasadori zviceran kishte të drejtë në deklaratën e tij, ndërkohë që reagimet e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës nuk janë, siç i quan ai, më të mirat.

“Kjo mund të fillojë të krijojë një lloj hendeku me miqtë tonë ndërkombëtarë. Ata a nuk e kanë neve me borxh që të vinë, të investojnë dhe të na ndihmojnë që të bëhet ky shtet. Ata po e bëjnë nga dëshira e mirë për të parë një Kosovë më të suksesshme dhe nëse ne, nga ana e jonë, nuk e vlerësojmë një gjë të tillë, por përkundrazi bëjmë akuza të tilla, siç ishte në rastin e deklaratës së ministrit Lekaj, atëherë unë po besoj që kjo miqësi dhe ky partneritet mund të pësojë. Në fund të fundit, pëson edhe shteti i Kosovës, sepse ne jemi shumë të vetëdijshëm që pa një ndihmë të këtyre shteteve mike, e kemi shumë vështirë që ta ndërtojmë një shtet ashtu siç e duam”, theksoi Ibrahimi.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se vlerësimet që i kanë dhënë ambasadat e vendeve mike në Kosovë lidhur me dukuritë negative, përputhen me gjetjet dhe vlerësimet që i bën kjo organizatë.

“Fakti që e kemi nja veprimtari aq të madhe korruptive,fakti që kemi nepotizëm dhe që kemi zhvatje të vazhdueshme të buxhetit publik, është diçka që e përjeton çdo ditë qytetari i Republikës së Kosovës. Çdo ndihmë që vjen nga ambasadorët, për të çrrënjosur këtë mentalitet qeverisës dhe këtë veprimtari korruptive, është e mirëseardhur për popullin e Kosovës. Prandaj, kritikat e politikanëve në adresë të këtyre ambasadorëve, janë tërësisht të papranueshme dhe besoj që ato do të duhej të pasoheshin me pasoja, për heqjen e këtyre politikanëve, të cilët e kanë zbehur të ardhmen e Kosovës”, tha Musliu.

Në përkrahje të ambasadorit zviceran ka dalë ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Connell. Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, të premten, ai ka theksuar se ambasadori zviceran e ka thënë atë që të gjithë e mendojnë.

“Është koha që populli, i cili e do Kosovën, të veprojë kundër krimit dhe korrupsionit. Është një sfidë e vështirë dhe jo vetëm për Kosovën. Por, ata që veprojnë, do ta kenë përkrahjen tonë”, ka shkruar ambasadori O’Connell.

​Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Shabert, përmes një shkrimi në Twitter, ka thënën se “Ambasada e Francës e mbështetë plotësisht ambasadorin e Zvicrës”, duke shtuar se “korrupsioni dhe nepotizmi janë plagë për Kosovën”.

Deklaratat mbështetëse të ambasadorëve tjerë për ambasadorin zviceran Lebet, por edhe deklaratat tjera të tyre që kritikojnë dukuritë negative, Ibrahimi i sheh të natyrshme.

“Ata e kanë një lloj baze para se të bëjnë deklarata të tilla. Ata e kanë një arsye dhe nuk janë deklarata të pamenduara. Është vërtetë shqetësuese, sepse në qoftë se ndërtohet një relacion i tillë, sidomos me shtetet që janë aq të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, si SHBA-ja dhe Britania e Madhe, atëherë çfarë do të ndodhë me vendimet më të mëdha që do ta presin Kosovën në rrugën e integrimit, qoftë në BE, qoftë në NATO. Ajo që është kërkuar deri më tash nga shtete mike, është një lloj partneriteti nga ana e Kosovës. Kur u thuhen ambasadorëve gjëra të tilla, atëherë u thuhet edhe atyre shteteve dhe ne po e vëmë në pikëpyetje të ardhmen prosperuese të vendit”, tha Ibrahimi.

Por, Musliu shpreh mendimin që prapa fjalorit të ashpër nga ana e përfaqësuesve institucionalë të Kosovës në adresë të ambasadorëve, fshihen dështimet e tyre.

“Është e papranueshme që të ndodhë ajo që është duke ndodhur me politikanët tonë, të cilët kanë ndërtuar një diskurs, duke tentuar që të mbrojnë veprimet e tyre të kundërligjshme dhe të qeverisjes së keqe, në adresë të ambasadorëve, të cilët kanë bërë investime aq të mëdha, sa që lirisht mund të them se vetë shteti i Kosovës është produkt i një ndihme të jashtëzakonshme, të cilën e ka dhënë faktori ndërkombëtar në Kosovë”, tha Musliu.

Të premten, ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj,ka pritur ambasadorin e Zvicrës, Lebet. Kjo ministri, përmes një komunikate për media ka thënë se ministri Lekaj ka sqaruar se deklarata e tij, e së enjtes, është nxjerrë nga konteksti nga mediat e shkruara.

“Lekaj, në asnjë moment nuk ka kërkuar largim të Ambasadorit të Zvicrës në Kosovë, e aq më tepër të kundërshtojë një shtet mik për Kosovën”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërkaq, më 28 mars, Ambasada e Britanisë së Madhe, ka tërhequr mbështetjen për rekrutimin e pozitës së kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), si pasojë e, siç thuhet, zhgënjimit me vendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për mosvotimin e asnjërit nga kandidatët e rekomanduar nga partneri zbatues i Projektit të Rekrutimit.

Lidhur me emërimin e anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike, javë më parë kanë reaguar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, ambasada e Gjermanisë dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ata kanë reaguar ndaj emërimit nga Kuvendi i Kosovës, të Naser Shalës në pozitën e drejtorit të Sekretariatit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës.

Pas kësaj, ambasadori i Britanisë së Madhe, O’Connell, shenjë pakënaqësie, kishte dhënë dorëheqje pozita e kryetarit të Bordit të kësaj agjencie.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG