Sëmundjet infektive apo ngjitëse në Kosovë, në vazhdimësi kanë qenë problem, si për popullatën, ashtu edhe për sistemin shëndetësor, që është ballafaquar me to. Ndër shumë sëmundje infektive, tuberkulozi mbetet një prej sëmundjeve që vazhdon të luftohet.
Ndonëse është arritur që të ulet numri i të infektuarve me këtë sëmundje në Kosovë, shifra aktuale që flet për 701 persona të prekur me tuberkuloz, konsiderohet mjaft e lartë.
Majlinda Gjocaj, pulmologe, njëherësh koordinatore e programit kombëtar të tuberkulozit në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se tuberkulozi mbetet ende një nga sëmundjet infektive më të rrezikshme në aspektin global.
Ajo thekson se tuberkulozi që prej vitit 2015, kryeson në listën botërore në kuadër të sëmundjeve infektive, duke ia kaluar edhe infeksionit të HIV-it (AIDS), sa i përket përqindjes së lartë të vdekjeve.
‘’Organizata Botërore e Shëndetësisë është hera e parë që në shtator të vitit 2018, organizoi atë që quhet seanca dëgjimore në Kombet e Bashkuara, që ishte vetëm për tuberkulozin. Kishte si qëllim ngritjen e vetëdijes së vendimmarrësve politikë, që ta vendosin si prioritet luftimin e kësaj sëmundjeje”.
“Ka shumë sëmundje tjera infektive, të cilat janë shumë të rrezikshme, mirëpo shumica e tyre merren edhe me ‘dëshirë’ edhe pa dëshirën e individit. Tuberkulozi nuk merret me dëshirë, tuberkulozi merret pa dashjen e individit, ajri është një hapësirë, të cilën ne nuk mund ta ndajmë me askënd tjetër, ajri në hapësirat publike është për të gjithë. Si i tillë, tuberkulozi si bacil, si mikrob, qarkullon prej një individi te tjetri. Kjo është rrezikshmëria që paraqet në arenën globale’’, shpjegon Gjocaj.
Ndryshe, Kosova vazhdon të jetë vend endemik për sëmundje ngjitëse apo infektive. Këto sëmundje, shpesh manifestohen edhe në forma të rënda dhe përballja me to është mjaft sfiduese, derisa ka raste kur vdekshmëria është e pashmangshme.
Gjatë një viti, sipas të dhënave aktuale, infektohen me sëmundje ngjitëse rreth 100 mijë persona. Sipas zyrtarëve shëndetësorë, numri i të prekurve nga sëmundjet ngjitëse, është rreth 6 mijë raste për 100 mijë banorë.
Sëmundjet ngjitëse në Kosovë janë tuberkulozi, fruthi, hepatit, ethet hemorragjike, problemet respiratore, e disa të tjera që e përcjellin me vite Kosovën.
Infektologu Sali Ahmeti shpjegon në mënyrë profesionale për sëmundjet endemike dhe ngjitëse në Kosovë.
“Kosova ende llogaritet si vend endemik për shumë sëmundje ngjitëse me një incidencë të lartë, dhe jo rrallë vdekjeprurëse. Në mënyrë specifike dallojmë për nga numri i madh i sëmundjeve ngjitëse në raport me Evropën dhe në mënyrë të veçantë në rajon, duke cekur ethet hemorragjike virale, krime kongo dhe ato me sindromë veshkore, e që janë sëmundje endemike”.
“Ne ballafaqohemi me sëmundje klasike infektive, siç janë, bruceloza, tularemia e që është karakteristike e veçantë e vendit tonë, duke vazhduar me forma më të reja të sëmundjeve ngjitëse tropikale si malaria, leptospiroza etj. Gjithashtu, janë format epidemike, siç janë, fruthi, rubeola, infeksionet respiratore si virusi H1N1, e po ashtu tuberkulozi që është një sëmundje endemike me tendencë të shtimit të numrit të rasteve”, thotë Ahmeti.
Ndërsa, si sëmundje të reja ngjitëse në dhjetëvjetorin e fundit, ka pasur forma të malaries, nga e cila janë prekur persona që kanë ardhur nga vende të caktuara botërore dhe kanë sjellë sëmundjen, si dhe ka qenë sëmundja e njohur si virusi i Nilit perëndimor.
Majlinda Gjocaj, pulmologe, përmend faktin se Fondi Global, ndër vite ka ndihmuar në luftimin e tuberkulozit, duke dhënë rreth 5 milionë dollarë për çdo tre vjet. Gjithashtu, viteve të fundit edhe Ministria e Shëndetësisë ka blerë barna për të prekurit me tuberkuloz në mënyrë që pacientët të trajtohen falas.
“Kosova nuk mundet të jetë larg trendit botëror të tuberkulozit e për fatin e mirë edhe zbritja e tuberkulozit i shkon të njëjtit trend regjionit evropian. Rajoni evropian e ka 3.5 për qind zbritjen vjetore të pacientëve me tuberkuloz në numër. Kosova renditet 2 deri në 2.5 për qind çdo vit.
”Prej vitit 2000 e deri në 2019 që i bie se pothuajse 20 vjet, çka në bën të kuptojmë se prej 1700 rasteve që kanë qenë atëherë, tash për vitin 2018, i kemi të dhënat e fundit me 701 raste. Këto janë ende të dhëna preliminare mirëpo e shohim që është një zbritje e mirë”, tha Gjocaj.
Sa i përket vdekshmërisë nga sëmundjet ngjitëse në përgjithësi, Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, thotë se shkalla e vdekshmërisë nga këto sëmundje vazhdon të mbetet e lartë.
"Sëmundjet ngjitëse përcillen me shkallë të konsiderueshme të vdekshmërisë, por këto sëmundje gjithashtu kanë edhe kosto të lartë dhe e marrin një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit", ka thënë Lul Raka.
Sido që të jetë, një ndër faktorët që ka ndikuar që disa sëmundje ngjitëse të zvogëlohen, por edhe të zhduken në Kosovë është vaksinimi, e që vendi ka një mbulim të mirë sa i përket kësaj.