Ndërlidhjet

Kosova vazhdon luftën me tuberkulozin - 700 të prekur


Ilustrim
Ilustrim

Kosova ka pasur së paku 700 persona të prekur nga tuberkulozi në vitin 2017, shifër kjo që ka shënuar rënie çdo vit, por që eliminimi i kësaj sëmundjeje shihet se është larg.

Menjëherë pas luftës, në vitin 2000 kanë qenë 1760 raste të diagnostikuara me këtë sëmundje.

Moshat e prekura me tuberkuloz në Kosovë janë kryesisht 18 deri në 35 vjeç dhe si qytet prin Prishtina.

Rukije Mehmeti, pulmologe, i tha Radios Evropa e Lirë se Fondi Global për luftimin e tuberkulozit e ka ndihmuar shumë Kosovën në luftimin e kësaj sëmundjeje prej vitit 2000. Sipas saj, ndonëse ka rënë ndër vite numri i të prekurve, Kosova vazhdon të ketë raste të shumta.

“Barna për tuberkuloz ka vazhdimisht dhe njerëzit trajtohen falas. Kjo ka ndikuar që kjo sëmundje në masë të madhe të luftohet. Kosova qëndron mirë sa i përket kësaj sëmundje, meqë kemi pak njerëz të prekur me HIV/Aids e që është një burim kyç i sëmundjes së tuberkulozit. Në krahasim me vendet tjera që ka tuberkuloz rezistent dhe ekstra rezistent, Kosova qëndron më së miri, meqë ka shumë pak raste me tuberkuloz rezistent dhe asnjë me ekstra rezistent. Kjo ka ndikuar shumë edhe në atë se në Kosovë nuk ka shumë njerëz të pastrehë, e që kryesisht të pastrehët preken me tuberkuloz ekstra rezistent’’, ka thënë Mehmeti.

Në vitin 2017, tuberkulozi shkaktoi rreth 1.3 milion vdekje në botë ndërkaq 10 milionë të tjerë u prekën nga kjo sëmundje. Nga të prekurit, 1 milion ishin fëmijë, thuhet në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

OBSH dhe Organizata e Kombeve te Bashkuara do të mbajnë një takim në Nju Jork ku do të shqyrtohet mundësia për të përshpejtuar progresin drejt qëllimit të përfundimit të epidemisë së tuberkulozit deri në vitin 2030.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se për luftimin e sëmundjeve duhen politika shëndetësore dhe përkrahje institucionale.

Majlinda Gjocaj, menaxhere kombëtare për tuberkuloz, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, bëri të ditur se Qeveria e Kosovës ka ndarë 630 mijë euro për tre vite për të luftuar këtë sëmundje, duke iu bashkuar Fondit Global që ndan për të njëjtën periudhë kohore 2 milionë euro.

“Është për t’u përgëzuar fakti që po kthehet në prioritet lufta për tuberkulozin nga vet Qeveria e Kosovës. Domethënë, Kosova po i bashkohet luftës globale kundër kësaj sëmundje. Për të luftuar tuberkulozin duhet edhe një vendimmarrje politike. Paratë kanë vlerë në luftim të sëmundjes dhe për tre vjetët e ardhshme Kosova ka siguruar barnat për 365 ditë në vit,” tha Gjocaj.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, thonë se përcillet vazhdimisht situata epidemiologjike dhe tuberkulozi është vënë me theks të veçantë e prioritet të lartë. Sipas drejtuesve të Institutit, po bëhen përpjekje për ta mbajtur nën kontroll sëmundjen dhe për ta luftuar atë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG