Ndërlidhjet

Kuvendit i 'mungojnë' deputetët


Kuvendi i Kosovës, fotografi nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës, fotografi nga arkivi.

Ngjashëm me vitin paraprak, edhe në pjesën e parë të vitit 2019, vendimmarrja në Kuvendin e Kosovës vazhdon të jetë problematike si pasojë e mungesës së kuorumit, thonë përfaqësuesit e Institutit Demokratik të Kosovës që bëjnë monitorimin e punës së këtij institucioni.

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për Radion Evropa e Lirë se mungesa e deputetëve në seancat e Kuvendit aktualisht është problemi më i madh me të cilin po përballet legjislativi.

Pavarësisht faktit që kjo çështje është problematike, nënvizon ai, nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë për ta ndryshuar gjendjen.

"Agjenda e Kuvendit është klasifikuar në çështje të cilat i interesojnë koalicionit qeverisës dhe potencialisht ndonjë subjekti specifik politik dhe çështjet e tjera të cilat veç janë brenda agjendës qe sa kohë, dhe të cilat nuk po mund të përfundohen. Normalisht, në këtë aspekt edhe Kryesia e Kuvendit duhet të ketë rol më të madh që të thërrasë më shpesh seanca", tha Murati.

Ai thekson se mungesa e rezultateve në seancat e Kuvendit të Kosovës vazhdon të ketë një ndikim të madh në komisionet e Kuvendit, të cila nuk po arrijnë të kryejnë punët e tyre.

"Puna e komisioneve nuk po mund të formalizohet në seanca plenare. Do të thotë kemi një funksionim të çrregullt sa i takon mbarëvajtjes së punës në Kuvendin e Kosovës, sepse vetëm gjatë këtij viti kemi parë një numër jashtëzakonisht të vogël të seancave të mbajtura. Në muajin shkurt janë mbajtur dy seanca, tash në majin mars po ashtu janë mbajtur pak seanca dhe kryesisht kanë qenë seanca solemne", tha Murati.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka kritikuar deputetët duke thënë se ata nuk duhet t’i kenë si prioritet çështjet tjera karshi obligimit që kanë si deputetë të Kuvendit të Kosovës.

"Një pjesë [e deputetëve] janë të papërgjegjshëm, sepse nuk vijnë në seanca për arsye se nuk ka penalizim ndaj tyre për mungesë në seanca. Po ashtu, edhe grupet parlamentare nganjëherë marrin vendime që deputetët e tyre të mos jenë në seanca", tha Haliti.

Haliti thotë se Kryesia e Kuvendi të Kosovës nuk ka ndonjë mekanizëm detyrues për deputetët që nuk janë prezentë në seanca. Sipas tij e vetmja mundësi është që atyre t’u hiqen mëditjet.

"Përgjegjësia kryesor që deputetët të vijnë në salla dhe të jenë në votime është e kryetarëve të grupeve parlamentare dhe është përgjegjësia individuale e secilit deputet dhe kryetarëve të partive, sepse ata në një mënyrë apo tjetër u japin llogari partive të tyre", tha Haliti.

Kurse, deputetja Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se përveç institucioneve tjera, edhe Kuvendi i Kosovës nuk është duke funksionuar që nga dita e konstituimit të tij. Një gjendje e tillë, sipas saj, vjen për shkak të mos-seriozitetit të koalicionit qeverisës dhe mungesës së numrave në Kuvend.

"Asnjëherë në historinë e Kuvendit të Kosovës më herët nuk ka ndodhur që 5-6 seanca të qëndrojnë të hapura. Ajo është shkelje e Rregullores së Kuvendit të Kosovës sepse nuk guxon të hapet një seancë e re pa u përfunduar një seancë e cila është në vazhdim. Kështu ne sot i kemi 5-6 seanca të hapura për shkak të mungesës së numrave për vendimmarrje nga koalicioni qeverisës", tha Bajrami.

Ajo tha se një pjesë e ligjeve të cilat procedohen në seancat e Kuvendit të Kosovës, e që për opozitën janë të papranueshme, kryesisht ndërlidhen me interesa të grupeve të caktuara.

"Ka një mosfunksionim total të Kuvendit. Mosfunksionimi i Kuvendi i ka lënë duart e lira, do të thosha, në këtë rast Qeverisë, sepse ata po vazhdojnë me zhvatjen e shtetit dhe buxhetit, me punësimet partiake e familjare", tha Bajrami.

Në Kuvend, mungon një shumicë vendimmarrëse e partive të koalicionit qeverisës, por edhe një opozitë me numrat e mjaftueshëm që do të sfidonte pushtetin aktual. Bajrami thotë se as paritë politike opozitare nuk i kanë numrat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë aktuale, por siç thotë ajo, 'kemi mbetur duke bërë përpjekje për ta ngritur vetëdijen e qytetarëve që kurdo që zgjedhjet të mbahen, të dinë kë ta votojnë'.

Kuvendi i Kosovës deri më tash nga 132 ligje të planifikuara, ka miratuar vetëm 17 që kur është konsistuar legjislatura e gjashtë. Në procedurë janë 46 ligje, kurse edhe 69 të tjera janë në pritje për shqyrtim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG