Ndërlidhjet

Kuvendi miratoi Ligjin dhe Platformën për dialogun


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi.

Kuvendi i Kosovës, pasi ka mbyllur seancën e jashtëzakonshme, në seancën e re ka miratuar në leximin e dytë Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë. Ky ligj u miratua me 58 vota për dhe tri abstenime.

Në tentimin e para për votim në seancën e re, Platforma për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mori votat e mjaftueshme, por në votimin e dytë ajo mori 61 vota për.

Tre deputetët e Partisë Socialdemokrate, fillimisht nuk votuan për Platformën pasi që ata kërkuan që fillimisht të ketë 61 vota për, nga koalicioni dhe më pas ata do të japin vota e tyre.

Deputeti Dardan Molliqaj tha fillimisht se pa 61 vota për, të koalicionit Platforma nuk mund të jetë e pranueshme.

"Nëse platforma nuk i ka 61 vota për, PSD-ja nuk e voton. Pra, partnerët e tjerë që janë pjesë e delegacionit duhet të sigurohen që i kemi të gjitha votat për platformën. Një platformë që nuk i ka 61 vota, për ne nuk është e pranueshme", tha Molliqaj.

Megjithatë, me votat e deputetëve nga Partia Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, Aida Derguti dhe Shqipe Pantin, platforma u miratuar.

Seanca e jashtëzakonshme ishte mbyllur pa hedhur fare në votim projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë dhe platformës për bisedimet.

Seanca e jashtëzakonshme e paradites

Deputetët kanë debatuar për Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë. Në rend dite është edhe shqyrtimin e Platformës për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sapo nisi seanca, janë shfaqur kundërshtime lidhur me pikat e rendit të ditës, ndërmjet deputetëve të pushtetit dhe një pjese të partive opozitare.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ka kërkuar këtë seancë të jashtëzakonshme, pasi bëhet fjalë për tema që kanë rëndësi të madhe.

Ai i ftoi deputetët që të debatojnë për Platformën dhe Projektligjin për dialogun.

“...edhe në fund të arrijmë në një konsensus sepse i është dhënë një mundësi Parlamentit, jo vetëm që ta ruajë pronësinë mbi procesin e dialogut, por edhe të ruajmë Kosovën e 17 Shkurtit”, tha Haradinaj.

Deputetët e partive në opozitë, kërkuan mocion procedural, për largimin nga rendi i ditës së Platformës për dialogun, pasi argumentuan se kjo platformë nuk mund të miratohet, sepse bazohet në Ligjin për dialogun, i cili ka kaluar vetëm në lexim të parë në Kuvend.

“LDK propozon që kryeministri ta tërheqë kërkesën dhe ky debat të shtyhet për një ditë tjetër”, tha shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Megjithatë, mocioni procedural për këtë gjë nuk kaloi.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se tha se pa u miratuar Ligji për dialogun, nuk mund të ketë as aprovim të platformës.

Sipas saj nëse kalon platforma, Vetëvendosje, do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për kontestim.

"Absolutisht jo. Ne jemi kundër të dyjave. Me këto forma, këta po mundohen t’i bëjnë nder dhe favore (presidentit të Kosovës) Hashim Thaçit. Ne do t’i kundërshtojmë të dyja. Madje për Projektligjin për dialogun, do ta dërgojmë në Kushtetuese nëse kalon”, tha Haxhiu.

Kurse, deputetët e partive ne pushtet kanë thënë se pavarësisht kundërshtimeve nga deputetëve nga opozita, seanca duhet të vazhdojë pasi që dihet qëndrimi i partive politike opozitare që janë kundër Ligjit dhe Platformës për bisedime.

"Në do ta votonim Projektligjin dhe pas projektligjit do ta votonim Platformën. E drejta e një pjese të opozitës është e padiskutueshme, ata edhe ashtu e kanë të qartë qëndrimin e tyre janë kundër njërës dhe kundër tjetrës", tha Elmi Reçica nga deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, i cili është edhe bashkëkryesues i ekipit negociator tha se kjo çështje është e rëndësishme dhe duhet të diskutohen, pasi sipas tij, janë në interes të vendit.

"Procedurat janë të respektuar, çdo vonesë e zvarritje pastaj ka implikime që nuk janë në interes të vendit", tha Limaj.

Në Platformën e prezantuar në Kuvend thuhet se Kosova pret që procesi i dialogut tё intensifikohet dhe përshpejtohet në vitin 2019 me qëllim të arritjes së një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sidoqoftë, edhe në rast se Kuvendi miraton Ligjin dhe Platformën për dialogun, mbetet e paqartë rifillimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përderisa Prishtina zyrtare e mbanë në fuqi edhe taksën doganore që u ka vendosur importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Që nga nëntori i vitit të kaluar, kur ishte vendosur kjo taksë, Beogradi ka lëshuar bisedimet duke e kushtëzuar kthimin në tavolinë me shfuqizimin e saj.

Kërkesa për pezullimin e taksës, Prishtinës zyrtare i kanë ardhur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG