Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës, ritheksojnë zotimin se taksa doganore për produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës do të vazhdojë deri në arritjen e qëllimit.
Qëllimi final i taksës, sipas kryeministrit Ramush Haradinaj ishte dhe mbetet që Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës. Ai ka pranuar se krahas Bashkimit Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ritheksuar qëndrimin për pezullimin e taksës. Por, siç ka thënë Haradinaj, problemi i taksës nuk ndërlidhet me faktorin ndërkombëtar, por me qëndrimet e Serbisë karshi shtetit të Kosovës.
Haradinaj tha se qëndrimi i SHBA-së për taksën, i është prezantuar përmes Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, duke e ndërlidhur pezullimin e taksës me hapjen e rrugës për dialogun.
"Është kërkesë zyrtare e tyre, mirëpo ata duhet ta thonë vet se nuk është detyrë e imja të them. Nuk kemi të drejt të raportojmë për qëndrimet e tyre. Por, unë më këtë rast po e flas për hir të opinionit”, tha Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës tha po ashtu se “përderisa ka vetëm sugjerime për takime dialoguese të pafrytshme, pa objektiv, pa afate të qarta kohore dhe pa kontratë të paradakorduar dhe garanci ndërkombëtare që do të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare që rezulton me njohje, taksa do të mbetet në fuqi”.
"Sot do ta kishim pezulluar sikur të kishim një kontratë të dakorduar për të shkuar diku për ta nënshkruar. E pezullojmë se nuk është vendosur tarifa për ta penguar një marrëveshje ose për ta vonuar atë. Mirëpo, para se te kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, obligative ligjore për njohje që zgjidh të gjitha problemet e tjera për ta vazhduar veç një cirk që është quajtur si dialog i këtyre dy-tre vjetëve të fundit, nuk ka logjikë të hiqet", tha Haradinaj.
"Pra 20 vjet i kemi dhënë kohë të kryhen këto punë", tha Haradinaj, duke iu referuar pozicionit të pandryshuar të Serbisë karshi Kosovës.
Analistët politikë, ndërkaq thonë se taksa e cila është vendosur nga Qeveria e Kosovës është vënë për qëllime politike dhe, sipas tyre, ajo për qëllime politike do të hiqet.
Analisti Ramush Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se taksa nuk është ndonjë masë ekonomike dhe nuk është ndonjë masë e mbrojtjes së prodhimeve vendore, por siç tha ai, është një masë e vendosur për arsye politike përmes së cilës kërkohet njohja e Kosovës nga Serbia.
Ai thotë se garancitë që kryeministri Haradinaj i kërkon nga faktori ndërkombëtar nuk mund të jepen nga askush veç shtetit serb.
"Garanci s’mund të ketë as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e as nga një forum ndërkombëtar që Serbia do ta njoh Kosovën. Garancitë janë se Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë si të barabarta marrëdhëniet, do të bëjnë marrëveshje e cila është marrëveshje mes shteteve dhe jo mes presidentëve ose udhëheqësve dhe që kjo marrëveshje synon normalizimin dhe marrëveshja bëhet pa asnjë kusht", tha Tahiri.
Ai theksoi po ashtu se me anë të kësaj mase po kushtëzohen edhe marrëdhëniet mes dy vendeve dhe vet procesi i dialogut.
"Kryeministri Haradinaj besoj po kërkon një deklaratë formale nga kushdo edhe në stilin që synimi i dialogut është normalizimi i marrëdhënieve dhe pranimi i ndërsjellë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës", tha Tahiri.
Taksa prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës e ka vendosur për produktet nga Serbia, ka krijuar një realitet krejtësisht të ri në raportet edhe ashtu të rënduara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka reflektuar edhe në dialogun për normalizimin ndërmjet dy vendeve, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.
Për më shumë, çështja e kësaj takse tashmë është shndërruar në pengesë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për faktin se kjo e fundit, heqjen e kësaj takse e ka vënë kusht për vazhdimin e këtij dialogu.