Ndërlidhjet

Mogherini dhe Ekipi negociator biseduan për dialogun dhe taksën


Limaj dhe Ahmeti flasin pas takimit në Bruksel
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:41 0:00

Në Bruksel ka përfunduar takimi ndërmjet Delegacionit shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.

Pas takimit, Mogherini tha se është e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbia.

"Ky takim ishte një mundësi për të biseduar me përfaqësuesit e Kosovës lidhur me dialogun. Në këtë kontekst, Mogherini ka ritheksuar urgjencës për shfuqizimin e tarifës doganore, të vendosur nga Qeveria e Kosovës", thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e Mogherinit.

Po ashtu, Mogherini u kërkoi autoriteteve të Kosovës të shfuqizojnë taksën doganore, ndaj produkteve nga Serbia.

"Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të dialogut, kërkon një klimë që kontribuon në marrëdhënie të mira fqinjësore, ku marrëveshjet e arritura më herët duhet të respektohen dhe zbatohen dhe veprimet e deklaratat, që nuk janë në interes të përgjithshëm dhe objektivat strategjike të rajonit, duhet të shmangen", theksohet në deklaratë.

Ndërkaq, dy bashkëdrejtuesit e Delegacionit shtetëror të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, kanë theksuar se në takim kanë prezantuar rezolutën dhe Ligjin për dialogun, si dhe ia kanë sqaruar zonjës Mogherini rolin e këtij delegacioni dhe gatishmërinë për të diskutuar për të gjitha temat e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat do të çonin deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me kushtin parësor, njohjen reciproke.

Shpend Ahmeti ka theksuar se sipas zonjës Mogherini, duhet të punohet me një orar më të ngjeshur në gjysmën e parë të këtij viti, për të parë nëse do të mund të arrihet një marrëveshje.

“Sipas Mogherinit, për BE-në, çdo marrëveshje që është e pranueshme për të dyja palët - por marrëveshje, e cila i përfaqëson vlerat e Bashkimit Evropian - është e pranueshme edhe për ta. Pra, nuk mund dhe nuk do të kemi shtete etnikisht të pastra, sepse ajo nuk është vlerë e BE-së. Nuk mund të kemi kufij që ndajnë etnitë në vija të tilla”, theksoi Ahmeti.

Ai ka shtuar se tashmë i kanë sqaruar Mogherinit që Delegacioni shtetëror nuk është në mbështetje të dikujt apo që dikush është në mbështetje të delegacionit dhe se Delegacioni shtetëror ka mandat nga Kuvendi.

Gjithashtu, në takim me Mogherinin është ngritur edhe çështja e taksës për mallrat nga Serbia, për të cilën Beogradi ka shprehur qëndrimin se pa heqjen e tarifës nuk do të ketë vazhdim të dialogut.

Fatmir Limaj, bashkëkryesues i Delegacionit shtetëror të Kosovës, ka theksuar se zonjës Mogherini i janë bërë të qarta politikat obstruksioniste që i ka ndërmarrë Serbia ndaj Kosovës.

“Ne e thamë aty se duhet të hiqen arsyet për të cilat ka ardhur taksa. Serbia duhet t’i pushojë të gjitha arsyet pse ne e kemi ngritur taksën. Ka shumë kushte që Serbia të plotësojë që të tërhiqet taksa. Kjo nuk është e njëanshme", tha ai.

"Nën kushte të tilla ne tash e 10 vjet jetojmë me Serbinë dhe askush nuk është lodhur për këtë punë. Ne tani jemi në momentin ku të gjithë duhet ta krijojmë klimën për dialog dhe jo vetëm Kosova. Ne jemi të gatshëm që të bëjmë hapin. Pra, edhe çështja e taksave. Me një marrëveshje gjithëpërfshirëse më nuk do të ketë nevojë për taksë. Marrëveshja gjithëpërfshirëse, njohja e Kosovës dhe praktikisht më nuk do të ketë nevojë për taksë”, theksoi Limaj.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli është shprehur se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të çojë në njohje reciproke, anëtarësimin e vendit në BE, NATO dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kociajançiq, të hënën, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ekipi negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë, është ftuar nga Bashkimi Evropian për konsultime në Bruksel. Por, sipas saj, bisedimet në nivelin e lartë politik, do të vazhdojnë ndërmjet dy presidentëve, të Kosovës dhe të Serbisë.

“Zyra e Bashkimit Evropian për çështje të jashtme ka ftuar delegacionin nga Kosova të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës më 15 dhjetor, për konsultime në Bruksel më 8 janar. Ekipi gjithashtu do të pritet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini. Konsultimet janë një mundësi për të diskutuar me përfaqësuesit e Kosovës në dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që lehtësohet nga BE-ja. Dialogu në nivelin e lartë bëhet ndërmjet dy presidentëve dhe kjo nuk ndryshon”, ka thënë Kocijançiq për Radion Evropa e Lirë.

Përderisa Ekipi negociator i Kosovës ka nisur takimin me zyrtarët e BE-së në Bruksel, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka shprehur mbështetjen e tij për delegacionin e Kosovës.

Ai ka thënë se ky delegacion “ka mandat të plotë legal dhe legjitim nga Kuvendi i Kosovës”.

“Kosova është e gatshme dhe e vendosur për dialog me Serbinë. Vendimet që do të merren do të jenë në respekt të plotë të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës dhe në koordinim më partnerët tanë perëndimorë, si dhe të gjithë mbështetësit e shtetit tonë".

"Refuzimi i dialogut nuk është alternativë. As zgjidhje. Për më tepër do të ishte një favorizim i Serbisë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ai ka shtuar se Kosova hyn në dialog me qëllime të qarta: njohje e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe anëtarësimin në OKB, si dhe që nuk do të lejohet asnjë rezultat që dobëson integritetin e shtetit të Kosovës.

LDK: Ekipi negociator nuk ka bazë kushtetuese

Besian Mustafa, zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një konferencë për medie ka thënë se Ekipi negociator i Kosovës në dialog me Serbinë, nuk ka asnjë bazë kushtetuese dhe është mandatuar me vetëm 59 vota në Kuvendin e Kosovës.

“E konsiderojmë si një grup negociator pa legjitimitet sa i përket aspektit kushtetues. Në anën tjetër, kemi deklaratat e Komisionit Evropian ose Zyrës së komisionarës Mogherini, të cilët thonë që ‘ne do të takohemi me grupin negociator, por në fakt diskutimet vendimmarrëse vazhdojnë në nivelin e presidentëve’. Kjo e vë në pikëpyetje edhe vet ekzistencën e këtij grupi negociator, në rast se vendimmarrja do të merret në nivelin e presidentëve”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës po e “shëtitë” përgjegjësinë e negociatave me Serbinë nga kryeministri e te presidenti, e më pas te ekipi negociator, që sipas tij nuk ka bazë kushtetuese.

Mustafa ka theksuar se LDK-ja është për një dialog, ku Serbia e njeh Kosovën të pavarur dhe jo për një dialog ku Serbia vendos mbi shtetësinë e Kosovës dhe kufijtë e saj.

Në anën tjetër, bashkëkryesuesit e Ekipit negociator, para udhëtimit për në Bruksel, u kanë thënë mediave se takimi i paralajmëruar për datën 8 janar, është më tepër i natyrës konsultative.

Siç është thënë ky takim ka për qëllim njoftimin e Brukselit zyrtar me delegacionin e Kosovës, përkushtimin dhe qëndrimin për dialogun, si dhe shpërfaqjen e ideve për platformën e dialogut. Gjithashtu, bashkëkryesuesit e Ekipit negociator kanë theksuar edhe pritjet që kanë nga Brukseli zyrtar, si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi, që të paraqesë pikëpamjet mbi pjesën përfundimtare të dialogut ndërmjet dy vendeve.

Më herët, përfaqësuesit e Ekipit negociator kanë shprehur besimin që rezultati i dialogut të Brukselit duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia, gjë që do të mundësonte edhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Formimi i Ekipit negociator ka ardhur si rezultat i synimit të Qeverisë së Kosovës që ta zbehë rolin udhëheqës të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në dialogun me Serbinë, pas idesë së këtij të fundit për “korrigjim” të kufirit, si mënyrë e arritjes së një marrëveshje paqësore me Serbinë. Kjo ide është kundërshtuar fuqishëm nga kryeministri Ramush Haradinaj, por edhe nga partitë në opozitë.

Më 15 dhjetor 2018, Kuvendi i Kosovës pati miratuar një rezolutë për dialogun me Serbinë. Ndërkaq, më 24 dhjetor 2018, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Serbisn, të cilin pritet ta dërgojë për miratim në Kuvend. Por, dy partitë e mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk i kanë dhënë mbështetjen as rezolutës për dialogun e as Ekipit negociator.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG