Ndërlidhjet

Bashkëpunimi hapësinor Rusi-SHBA “bie” sërish në Tokë


Fotografi nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës.
Fotografi nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës.

Kur një raketë e kompanisë SpaceX është nisur më 5 dhjetor të vitit 2018 drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, për të nisur një ngarkesë, ky hap ka treguar shembullin më të mirë se si kompanitë private janë duke ndihmuar gjeneratën e re amerikane për të kryer zbulime në Hapësirë.

Gjashtë ditë më vonë, dy kozmonautë rusë janë larguar nga Stacioni Ndërkombëtar dhe me një thikë e pincë, kanë mbledhur të dhëna se pse një vrimë e vogël është shfaqur në njërën nga modulet e raketës Soyuz të ndërtuar në Rusi.

Këto ngjarje kanë shpërfaqur hapësirën që ekziston në bashkëpunimin hapësinor mes të dyja shteteve, pasi njëra palë luan rolin e pionerit të avancuar teknologjik, derisa tjetra atë të ofruesit shumëvjeçar të dizajnëve dhe pajisjeve.

Agjencitë hapësinore të të dyja shteteve NASA dhe Roskosmos, kanë bashkëpunuar për më shumë se dy dekada. Më 2011, dy konkurrentët hapësinorë janë afruar më shumë se kurrë më parë, kur Shtetet e Bashkuara kanë ndalur së përdoruri flotën e tyre për udhëtim nga Toka në hapësirë, prandaj duke përdorur raketa ruse të tipit, Soyuz, si mënyra e vetme për të bartur njerëzit dhe pajisjet prej dhe nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës, NASA e ka paguar Roskosmosin rreth 2.5 miliardë dollarë.

Bashkëpunimi në hapësirë u ka mbijetuar tensioneve politike që janë rritur ndërkohë në mes të Moskës dhe Uashingtonit.

Mirëpo kjo është duke ndryshuar.

Një incident alarmues që ka ndodhur në muajin tetor të vitit 2018, së bashku me vrimën misterioze kanë vënë në pikëpyetje besueshmërinë e programit të Rusisë.

Numri i madh i kompanive si SpaceX janë duke fituar garën në të krijuarit e raketave që mund të bartin njerëz dhe dërgesa tjera në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Madje ata janë duke u përqendruar në tregun fitimprurës global për nisjen e satelitëve, qofshin komercialë apo qeveritarë, duke kërcënuar tregun rus dhe financimin për Roskomos, i cili tani është më se i nevojshëm.

Raketa Falcon 9 e SpaceX largohet nga atmosfera. Ajo barte furnizime të cilat i ka dërguar në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. 29 qershor,2018
Raketa Falcon 9 e SpaceX largohet nga atmosfera. Ajo barte furnizime të cilat i ka dërguar në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. 29 qershor,2018

Këto zhvillime kanë ndikuar edhe që Shtetet e Bashkuara të zëvendësojnë motorët rusë të tipit, RD-180 që janë përdorur për të fuqizuar pajisjen Atlas V, ndonëse ky bashkëpunim veçse ka qenë problematik për shkak të përpjekjeve të Uashingtonit që të sanksionojë Rusinë për aneksimin e Krimesë nga Ukraina.

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar edhe zyrtarisht se do të ndalin përdorimin e motorëve RD-180 më 2022, duke i zëvendësuar produktet e kompanisë Energomash me prodhime amerikane, të cilat besohet se do të jenë të gatshme deri në atë periudhë.

Përveç tjerash, kontrata e NASA-s me Roskosmos për bartjen e astronautëve përfundon në shkurt të vitit 2020, dhe si SpaceX ashtu edhe Boeing mezi janë duke pritur që të nisin punën e tyre, pasi të dyja kompanitë amerikane kanë nënshkruar marrëveshje me NASA-n për të nisur bartjen e astronautëve në fillim të vitit 2019.

Megjithatë, vëzhguesit e afërt të marrëdhënies SHBA-Rusi kanë thënë se është i parakohshëm vlerësimi se Uashingtoni dhe Moska do të ndajnë plotësisht rrugët sa i përket zbulimit në hapësirë.

NASA, shembull ka thënë se synon të bashkëpunojë me Rusinë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës deri të paktën më 2025.

Prandaj, në momentin që raketat private të marrin dritën e gjelbër në vitet e ardhshme, kozmonautët rusë do të mund të jenë në mesin e dërgesave të tyre.

“Nuk mendoj se është duke u përfunduar diçka”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, analistja veterane e hapësirës, Marcia Smith, e cila udhëheq revistën me të gjetura për këtë fushë, SpacePolicyOnline.com

“Ne do të bartim njerëzit tanë në raketat e tyre dhe ata do të bartin njerëzit e tyre në raketat tona”.

Zyra për media e NASA-s nuk u është përgjigjur thirrjeve të shumta telefonike dhe kërkesave me postë elektronike për të intervistuar administratorin e kësaj agjencie, Jim Bridenstine.

Mirëpo duke folur për agjencinë shtetërore të lajmeve në Rusi, TASS, Bridenstine ka thënë në muajin tetor të vitit 2018 se të dyja shtetet do të vazhdojnë bashkëpunimin dhe se ka mundësi që të punojnë së bashku në projektin Gateway, të cilin NASA e përshkruan si “plaftormë orbitale hënore, të udhëhequr nga SHBA-ja”, dhe është duke u konsideruar si pasardhës i Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës (SNH).

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia “kanë pasur bashkëpunim shumë të mirë” duke punuar bashkë në Stacionin Ndërkombëtar, është cituar të ketë thënë ai.

“Të dyja palët kemi përfituar nga përdorimi i kapsulave dhe raketave Soyuz andaj ne dëshirojmë të zgjerojmë bashkëpunimin dhe të shkojnë në Hënë në mënyrë të qëndrueshme. Dhe, sigurisht ne do të dëshironim të punonim afër me Rusinë në Gateway dhe pjesë tjera të arkitekturës”, është cituar të ketë thënë ai sipas agjencisë, TASS.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump ka propozuar që më 2025 Uashingtoni të ndalojë mbështetjen për Stacionin Hapësinor, derisa edhe Moska ka dhënë shenja se mund të jetë duke kërkuar bashkëpunëtor tjetër në këtë sektor.

Nga pak në aspak

Deklaratat e Bridenstine janë nënkuptuar nga zyrtarët rusë se bashkëpunimi i Rusisë me SHBA-në, në të ardhmen do të jetë si partner i vogël, diçka për të cilën shefi i Roskosmosit, Dmitry Rogozin, është ankuar më parë.

“Unë besoj se Rusia nuk mund ta përballojë faktin që të kontribuojë në projektet e jashtme me një rol dytësor”, është cituar të ketë thënë Rogozin sipas agjencisë së lajmeve TASS në muajin shtator të vitit të kaluar.

Rogozin, një figurë ndonjëherë e çuditshme, ka shkaktuar edhe vetë tronditje në bashkëpunimin me SHBA-në, duke u tallur me Uashingtonin si është varur nga raketat ruse Soyuz për të dërguar astronautët amerikanë në Stacionin Hapësinor.

Në muajin maj ai është emëruar shef i Agjencisë Ruse të Hapësirës, dhe kjo ka mundësi të ketë ndodhur për shkak si ai është përfshirë në listën e personave të sanksionuar nga SHBA-ja për shkak të vendimit të Moskës për ta aneksuar Krimenë nga Ukraina.

Tre muaj pasi Rogozin ka nisur udhëheqësinë në Roskosmos, është zbuluar vrima misterioze në raketën Soyuz. Pak kohë pas mbylljes së vrimës ai ka thënë se ndonjë neglizhim i punës mund të jetë shkak për këtë incident.

Mirëpo kur mediat ruse kanë spekuluar se një astronaut amerikan mund të jetë përgjegjës për incidentin, një gjë e tillë është përballur me përgjigje të ashpër nga komandanti amerikan i Stacionit Hapësinor.

Rogozin ka thënë më vonë në një transmetim televiziv se njerëzit që njeh ai në NASA i kanë treguar se janë nën presion nga ata që i ka quajtur “rusofobë të tërbuar”, mirëpo nuk ka dhënë detaje tjera.

Më 11 dhjetor, dy kozmonautë rusë kanë kryer një ecje në hapësirë, e cila ka zgjatur më shumë se shtatë orë dhe në të cilën kanë pasur qëllim të vëzhgojnë vrimën nga jashtë, duke ftuar edhe një varg inxhinierësh rusë për të analizuar atë.

Kosmonauti rus, Oleg Konoenko kryen ecje në hapësirë, jashtë Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, dhjetor, 2018.
Kosmonauti rus, Oleg Konoenko kryen ecje në hapësirë, jashtë Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, dhjetor, 2018.

Megjithatë raporti ende nuk është publikuar.

Por, komentet e Rogozinit nuk kanë kundërshtuar plotësisht përpjekjet e SHBA-së për të ruajtur një ide se ekziston bashkëpunimi.

Në një intervistë për mediumin TASS, Bridenstine ka thënë se agjencia ka siguruar një masë lehtësuese të përkohshme ndaj sanksioneve të Rogozinit, prandaj ai mund ta vizitojë SHBA-në.

“Ka shumë gjëra që dua të diskutoj me Rogozinin”, është cituar të ketë thënë Bridenstine.

“Nëse ne dëshirojmë të krijojmë një marrëveshje të fuqishme bashkëpunuese, atëherë neve na duhet të fillojmë të punojmë ngushtë me njëri-tjetrin, që në fund të ketë rezultat të mirë për të dyja shtetet”.

Pavarësisht të gjithave, ka mbetur e paqartë nëse Rogozin ka fituar vizë për në SHBA apo edhe nëse mund ta vizitojë këtë vend.

Afër humbjes

Në muajin tetor të vitit 2018, një raketë Soyuz, që është nisur nga stacioni Baikonur në Kazakistan është përballur me probleme pak kohë pasi është nisur. Ky incident ka detyruar astronautin e NASA-s, Nick Hague dhe kozmonautin rus, që përmes një trajektoreje të kthehen urgjent në Tokë.

Asnjëri prej tyre nuk është lënduar.

Astronauti amerikan Nick Hague dhe kozmonauti rus, Alexey Ovichinin.11 tetor, 2018
Astronauti amerikan Nick Hague dhe kozmonauti rus, Alexey Ovichinin.11 tetor, 2018

Në raportimet e ditëve në vijim, faji për këtë rast i është vënë prodhimit, përkatësisht një procesi në Baikonur.

Mirëpo ky incident ka rritur edhe më shumë dilemat për programet hapësinore të Rusisë dhe ka ngritur pyetje për kualitetin e inxhinierisë në këtë vend dhe rreth asaj nëse janë ndarë fonde të duhura në këtë fushë.

Për t’i shtuar turpin edhe më shumë Rusisë, Bridenstine ka qenë pjesë e lansimit të raketës, duke shënuar kështu edhe takimin e parë me Rogozinin.

Smith nga SpacePolicyOnline ka thënë se zyrtarët rusë dhe ata amerikanë të kenë përballuar në paqe këtë incident dhe nuk kanë treguar ndonjë shenjë të pakënaqësisë.

Madje në një intervistë për kanalin televiziv të NASA-s, astronauti amerikan Hague ka falënderuar rusët për trajtimin e tyre dhe përgjigjen ndaj incidentit.

Pas disa javësh, një tjetër ekip është nisur me sukses nga Baikonur, me një tjetër raketë Soyuz.

Mirëpo e ardhmja e programit hapësinor të Rusisë nuk i ka ikur shqyrtimit.

“Tani është vënë në pikëpyetje besueshmëria e Rusisë, kështu që çfarë do të bëjnë?”, ka thënë Smith për Radion Evropa e Lirë, duke përmendur edhe largimin e një pjese të stafit për shkak të pensionimit dhe mungesës së stafit të ri.

Sipas analistes Smith, Rusisë do t’i duhet kohë për të rregulluar reputacionin që ka dhe “këto gjëra zakonisht lidhen me shpenzimin e të hollave”.

Në raportin vjetor të Roskosmosit, të publikuar më 26 tetor, kjo kompani ka përmendur një varg suksesesh, duke veçuar lansimin e 87 satelitëve, punimet përfundimtare në portin Vostochny, i cili pritet ta zëvendësojë Baikonurin si dhe përparimin e bërë në zhvillimin e gjeneratës së re të raketave Soyuz-5.

Agjencia nuk ka harruar edhe një varg sfidash, duke përfshirë vështirësitë në sigurimin e një vargu pajisjesh teknologjike për shkak të sanksioneve Perëndimore si dhe rritjen e shpejtë të kompanive private, fillimisht SpaceX dhe shumë të tjera pas saj.

Në raport është përmendur edhe se zvogëlimi i financimit ka ndikuar edhe në rënien e numrit të raketave të prodhuara.

Nami i Rusisë si ofruese e shërbimeve për lansime të satelitëve është goditur edhe kur agjencia kryesore për siguri në këtë shtet ka hedhur ujë të ftohtë në ambiciet e udhëheqësve të këtij sektori për të lansuar mikro-satelitë që kanë qasje në internet brenda raketave ruse.

Në disa komente para ligjvënësve në Dhomën e Ulët të Parlament në Rusi më 11 dhjetor, zëvendës-shefi i Roskosmosit Sergei Dubik, ka thënë se përpjekjet për të rikthyer njerëzit në Hënë dhe ndoshta ndërtimi i një bazë të përhershme atje, ka qenë më shumë rezultat i mosbashkëpunimit sesa konkurrencës në mes të Rusisë, SHBA-së dhe Kinës.

“Besoj se ‘gara për Hënën” ka nisur. Dhe ajo çfarë po ndodh tani është vetëm një lloj i garës në mes të të tria fuqive”, ka thënë Sergei Dubik sipas agjencisë së lajmeve Interfax.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG