Ndërlidhjet

Mungesa e konsensusit dobëson përfaqësimin e Kosovës në dialog


Një nga takimet në nivel presidentësh në Bruksel.
Një nga takimet në nivel presidentësh në Bruksel.

Letra e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të qartë që dialogu i Kosovës me Serbinë është i pashmangshëm dhe një marrëveshje duhet të arrihet sa më shpejt, thonë njohësit e zhvillimeve politike.

Por, sipas tyre, partitë politike në Kosovë nuk po arrijnë që të gjejnë një konsensus për dialogun me Serbinë , në mënyrë që marrëveshja të jetë sa më cilësore dhe në favor të Kosovës.

Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që konsensusi politik për dialogun ka qenë i nevojshëm shumë më herët, por nuk është arritur.

Por, sipas tij, pas letrës së presidentit Trump, është krijuar një situatë tjetër, në të cilën partitë politike, nëse dëshirojnë të ndryshojnë diçka në drejtim të arritjes së një konsensusi politik, tashmë e kanë, siç e quan ai, “trenin e fundit”.

“Nuk mund të flasim për nivel të njëjtë, qoftë të negocimit, qoftë të marrëveshjes përfundimtare pa përfshirjen e dy partive të mëdha të Kosovës. Por, në anën tjetër, ky është realiteti dhe duket se nuk ka kthim prapa. Përkundrazi, është një kornizë kohore dhe gjithë çfarë partitë politike kanë të ofrojnë, apo të veprojnë në këtë aspekt, duhet ta bëjnë tash. Përndryshe, siç është thënë edhe në letrën e presidentit Trump, huqja e këtij momenti do të jetë tragjik dhe nuk dihet se kur mund të arrihet një moment tjetër për arritjen e marrëveshjes”, thotë Mushkolaj.

Thaçi: Letra e Trumpit heq dyshimet për përfshirjen e SHBA-së në dialog
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:40 0:00

Por, Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, thotë për Radion Evropa e Lirë se qasja në dialog e Kosovës me një qëndrim të unifikuar politik, duket se është e paarritshme.

“Kjo nuk po arrihet për shkak se Lidhja Demokratike e Kosovës po rri anash këtij procesi, ndërkaq Vetëvendosje nuk po pranon assesi që të bëhet pjesë e procesit për shkak konsistencës së vazhdueshme që ka pasur dhe ka kundërshtuar një proces të tillë të dialogut. Situata është e tillë që tash kemi partitë në pushtet së bashku me Partinë Socialdemokrate që do të jenë pjesë e dialogut. Unë mendoj që nuk mund të ketë telashe të brendshme, sepse kur të arrihet marrëveshja dhe të ratifikohet në Kuvend, ajo prodhon drejtpërdrejt pasoja juridike dhe duhet ta zbatojmë, për shkak se na obligon që ta zbatojmë. Problemi është vetëm te sigurimi i votave”, thekson Demhasaj.

Por, a do të mund të mund të siguroheshin 80 vota, që nënkuptojnë dy të tretat e votave të nevojshme në Kuvendin e Kosovës, për ta ratifikuar një marrëveshje eventuale me Serbinë, përderisa nuk ekziston konsensusi i partive politike për dialogun?

Analisti Mushkolaj thekson se Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë sinjale reflektimi, pas letrës së presidentit Trump dhe se kryetari i kësaj partie, sipas tij, ka bërë me dije që do ta mbështesë dialogun, pavarësisht që LDK-ja nuk do të marrë pjesë në ekipin dialogues.

“Mendoj që ky është një reflektim dhe sinjal se LDK-ja ka lëvizur nga qëndrimi i saj. Kur përmendet mundësia për ratifikimin e marrëveshjes në Kuvend me 80 vota, të gjithëve na shkon mendja te LDK-ja, te përgjegjësia që kjo parti e ka, për shkak se është partia më e madhe opozitare në vend dhe ka qenë në vazhdimësi pjesë e proceseve. Por, kjo nuk do të thotë domosdo që LDK-ja do të mund t’i japë votat pavarësisht marrëveshjes që arrihet”, shprehet Mushkolaj.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti Demhasaj. Sipas tij, deklaratat e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, kanë ofruar një qasje më të butë të kësaj partie.

“LDK-ja është deklaruar që nuk do të marrë pjesë aktive në procesin dialogues përmes këtij ekipi, mirëpo kontributin e saj për këtë marrëveshje, do ta japë në Kuvendin e Kosovës. Unë mendoj që në njëfarë mënyre kjo mund të kuptohet që marrëveshja që mund të arrihet në Bruksel, në mes dy palëve, mund ta ketë përkrahjen e LDK-së. Nëse mund të llogaritet në përkrahjen e LDK-së, atëherë mund të sigurohet shumica e nevojshme prej dy të tretave në Kuvend dhe mund të ratifikohet ajo marrëveshje”, vlerëson Demhasaj.

Të dy njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se për arritjen e votave të nevojshme për ratifikimin në Kuvend të marrëveshjes eventuale që mund të arrihet në Bruksel, sa u përket dy partive opozitare, mund të llogaritet vetëm në votat e LDK-së. Ndërkaq, sipas tyre, nuk pritet fare që Lëvizja Vetëvendosja ta ndryshojë qëndrimin e saj të ngurtë kundër procesit të dialogut, në formën se si është zhvilluar deri më tash.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG