Ndërlidhjet

Ikja e mantelbardhëve rrezikon sistemin shëndetësor


Ilustrim.
Ilustrim.

Ikja e mjekëve dhe infermierëve nga Kosova për në vendet e Bashkimit Evropian po shihet si një dukuri shqetësuese. Nga muaji shkurt i këtij viti deri në nëntor, 110 mjekë specialistë kanë ikur nga Kosova.

Kjo është shifra e fundit që e posedojnë zyrtarët në Federatën Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, sipas të cilëve, ka indikacione që mijëra infermierë nga Kosova, për pesë vjetët e ardhshme mund ta lëshojnë vendin, pasi që tashmë kanë lidhur kontrata me shtetin gjerman. Këtë e ka thënë Blerim Syla , kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë.

“Të gjithë ata që kanë mundësi po ikin nga Kosova. Sipas statistikave të Odës së Mjekëve, janë 110 mjekë që kanë ikur për disa muaj. Para një kohe kam dhënë deklaratë për ikjen e mjekëve, por që ky numër ka qenë tejet më i vogël, krahasuar me këtë vit, e që për disa muaj siç e thashë, kanë ikur 110 mjekë specialistë”, thotë Syla.

“Shteti gjerman pritet të aprovojë Ligjin për migracionin në fillim të vitit 2019 dhe po pritet një fluks tejet i madh i ikjes së infermierëve”, tha Syla.

Një ndër arsyet e ikjes së mjekëve e infermierëve nga Kosova janë pagat e ulëta dhe kushtet jo të mira të punës.

Mjeku specialist në Kosovë, për punën që bën paguhet rreth 600 euro në muaj, derisa infermierët rreth 400 euro.

Punëtorët shëndetësorë po insistojnë në realizimin e kërkesës së kamotshme për rritjen e pagave, por që një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tashmë ka deklaruar se procesi i rritjes së pagave është afër realizimit, dhe siç është shprehur ai, me këtë vendim do të ndalet edhe ikja e mjekëve dhe infermierëve.

“Duhet t’u japim një të ardhme mjekëve, e kjo arrihet duke i paguar mirë dhe duke iu krijuar kushte për punë”, ka thënë ministri Ismaili.

Sido që të jetë Gjermania është vendi që më së shumti po kërkon punëtorë shëndetësorë nga jashtë, ku bën pjesë edhe Kosova.

Njëri nga ta është edhe Yll Mehmeti, radiolog me të cilin kemi realizuar një intervistë muaj më parë, e që ka vendosur të ikë në Gjermani për pagë dhe kushte më të mira të punës.

*Video nga arkivi: Profesioni i mjekut - Mes përkushtimit e zhgënjimit

Profesioni i mjekut - Mes përkushtimit e zhgënjimit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:16 0:00

Ndërkaq Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, tha se mosha mesatare e mjekëve në Kosovë ka arritur mbi 53-vjeç, e që sipas tij, është mjaft shqetësues fakti se shumë mjekë të rinj janë duke ikur nga Kosova, derisa në Kosovë mosha mesatare po rritet.

Sipas tij, në Kosovë ka deficit të profesionistëve shëndetësorë sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Sistemi po na boshatiset. Nëse vazhdohet kështu, nuk e di se si do të funksionojë sistemi shëndetësor në të ardhmen. Problem ka shteti gjerman, për shkak të planifikimeve të gabuara që kanë bërë në sistemin shëndetësor, ndonëse janë mbi 80 milionë banorë. Andaj tash po thith nga shtetet e pazhvilluara trurin e gatshëm, e që nuk ka investuar fare”.

“Investimi në njeriun është i pagabuar dhe politikanët duhet të mendojnë mirë në mënyrë që mos të lejojnë që edhe atë investim që e kanë bërë në këtë rast te mjekët, t’ua marrin të gatshëm shtete tjera”, tha Selmani.

Sidoqoftë, ndonëse po konsiderohet shqetësues fakti i ikjes së mjekëve nga Kosova, profesionistë shëndetësorë po thonë se në anën tjetër se nuk ka një strategji për mbajtjen e tyre në vend.

Derisa sipas statistikave të fundit thuhet se janë mbi 500 mjekë specialistë që tashmë ndër vite kanë ikur nga Kosova.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG