Ndërlidhjet

Proceset që dëmtuan sistemin shëndetësor në Kosovë


QKUK
QKUK

Sistemi shëndetësor në Kosovë, është përballur dhe vazhdon të ballafaqohet me probleme të shumta. Përpos buxhetit të mangët, mungesës së barnave esenciale për pacientët, shërbimet jokualitative mjekësore, kanë qenë edhe aktakuzat dhe proceset gjyqësore ndaj profesionistëve shëndetësorë ato që e kanë ndikuar në gjendjen e përgjithshme dhe humbjen e besimit të qytetarëve në sistemin shëndetësor.

Rasti i njohur si “Stenta” apo ai “Medicus”, përbëjnë dy nga zhvillimet kryesore që ndikuan drejtpërsëdrejti në imazhin e shëndetësisë në Kosovë.

Rasti “Stenta”, i cili ishte hapur nga Prokuroria e Shtetit, pas një periudhe të gjatë të hetimeve, çoi në dorëheqjen e ish-ministrit Ferid Agani, dhe ngritjen e aktakuzave ndaj 62 personave, përfshirë mjekë, drejtorë e menaxherë të klinikave spitalore në Prishtinë, Gjilan e Prizren.

Ky rast, pra i njohur si “Stenta” vazhdon të jetë në procedurë.

Kurse rasti “Medicus” ishte ai që bëri bujë të madhe edhe në arenën ndërkombëtare, pasi që protagonistët akuzoheshin për trafikim me qenie njerëzore, transplante të pa ligjshme të veshkës dhe krim të organizuar.

Ky proces, ishte mbyllur me dënimin ndaj doktorit Lutfi Dervishi me 7 vjet e gjashtë muaj burgim, përderisa të akuzuarit Sokol Hajdini, po nga ky rast, i ishte shqiptuar dënimi me 1 vit burgim.

Akuzave dhe hetimeve nga organet përkatëse, nuk kanë mund t’u shmangen as nivelet politike. Ish-ministri i Shëndetësisë gjatë mandatit të kaluar qeverisës, ishte detyruar të jepte dorëheqje, pikërisht për shkak të hetimeve ndaj tij në lidhje me rastin “Stenta”.

Kurse ish sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolaj, akuzohej për shpërdorim të detyrës zyrtare, ndonëse ditë më parë, Tolaj është liruar nga të gjitha akuzat duke u shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjendja e krijuar në shëndetësi, ndër vite, po trajtohet si një nga prioritetet edhe të qeverisë aktuale të Kosovës, në përpjekjet për ta nxjerrë nga situata aspak e lakmueshme.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha për Radion Evropa e Lirë se proceset gjyqësore apo edhe vetëm hetimet ndaj mjekëve dhe përgjegjësve të kësaj fushe, padyshim që ndikon në humbjen e besimit në sistemin publik shëndetësorë.

“Çfarëdo lloj afere që ka involvuar personelin shëndetësorë dhe e ka tejkaluar etikën e mjekut ka ndikuar që ky relacion mes institucionit shëndetësorë dhe pacientit të vështirësohet dhe të humbet besimi apo të degradohet gjithë sistemi shëndetësorë”.

“Por ky është një numër i vogël i personelit shëndetësorë, derisa shumica e mjekëve punojnë shumë dhe japin shërbime të mira. Shumë orë punë kualitative dhe të ndershme të mjekëve e humbin besimin para disa aferave që i bëjnë një numër i caktuar i personave, Po është humbur besimi dhe është e dhimbshme që të humbet besimi i të tjerëve që punojnë ndershëm”, tha Ismaili.

Edhe vetë sindikalistë të punëtorëve brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, thonë se hetimet dhe aktakuzat ndaj personelit shëndetësorë ka ndikuar keq dhe reflekton në pamjen e përgjithshme të shëndetësisë në vend.

Xhemajl Selmani, kryetar i sindikatës së punëtorëve në QKUK, ka thënë kohë më parë për Radion Evropa e Lirë se ngritja e aktakuzës ndaj punonjësve shëndetësorë, përpos që ka ndikuar në rrjedhën e punës në gjithë sistemin, ka ndikuar negativisht edhe te qytetarët.

“Aktakuzat ndaj mjekëve kanë ndikuar shumë, duke ditur që Kardiologjia është njëra nga shtyllat kryesore të shëndetësisë. Interesimi për ta denigruar këtë sistem kaq rëndë, vjen nga persona të caktuara për interesa personale , sepse i kanë përfitimet e veta, sidomos me sistemin privat”.

“Uroj që të kthjellen disa struktura të pushtetit që më në fund të heqin nga agjendat e veta të mbrapshta shëndetësinë, sepse aty punohet. Nuk po them që nuk ka parregullsi, por të ndëshkohen individë pa u cenuar tërë sistemi shëndetësor, i cili aktualisht është shumë i dëmtuar”, ka thënë Xhemajli.

Në anën tjetër, ministri Uran Ismaili thotë se kurdo që ndonjë profesionist shëndetësor dyshohet se ka shpërdoruar pozitën zyrtare, do të duhej që ato raste të trajtohen me prioritet për të vërtetuar fajësinë ose pafajësinë e tyre.

“Mendoj që përgjigjet për të akuzuarit duhet të jenë të shpejta dhe duhet të jenë të rrepta që mos të lëmë përsëritje , dhe qytetarët të trajtohen në mënyrën më të ndershme”, tha Ismaili.

Krahas problemeve me ligjin, institucionet publike shëndetësore, për afër dy dekada, po ballafaqohen edhe me probleme tjera, nisur nga mungesa e mjeteve, hapësirës së mjaftueshme për punë, aparaturave të domosdoshme e deri te ikja e stafit mjekësor drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG