Ndërlidhjet

Kosova formon Ushtrinë


Kuvendi miratoi formimin e Ushtrisë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:09 0:00

Kuvendi miratoi formimin e Ushtrisë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar përfundimisht tri ligjet, me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës. Ndonëse emri i FSK-së nuk pëson ndryshime për shkak të pamundësive për ndryshime kushtetuese, ligjet e miratuara vlerësohet se i japin FSK-së kapacitete ushtarake gjatë një procesi transformimi brenda disa viteve.

Bëhet fjalë për Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Seanca ka filluar me një minutë heshtje për të nderuar, siç është thënë, “të gjithë ata që u vranë dhe sakrifikuan” duke dhënë kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Votimi është përcjellë me duartrokitje të gjata në Kuvend.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se me këtë votim po fillon një epokë e re për shtetin e Kosovës. Ai ka tërhequr vërejtjen se në pjesën për mysafirë në Kuvend, ishin të pranishëm edhe disa kadetë të FSK-së që po e prisnin këtë vendim.

“Nga ky moment, zyrtarisht e kemi Ushtrinë e Kosovës. Në sallë kemi kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga ky çast janë ushtarë të Kosovës, të cilëve ua urojmë Ushtrinë e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Vendimi për formimin e Ushtrisë së Kosovës po përcillet me një atmosferë festive në Prishtinë. Sheshet e kryeqytetit janë mbushur me flamuj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe shteteve tjera, të cilat Kosova i konsideron si vende që e kanë ndihmuar në vazhdimësi atë.

Në seancën e Kuvendit kanë marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama.

Ceremoni festive në FSK

Pas vendimit të Kuvendit, një ceremoni ku është prezantuar Forca e Sigurisë së Kosovës, është mbajtur në kazermën "Adem Jashari”, në Prishtinë. Aty, kanë marrë pjesë krerët më të lartë të shtetit të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “Forca e Sigurisë së Kosovës është kthyer në institucionin më të besueshëm dhe më të respektuar në Republikën e Kosovës”. Siç ka thënë ai, bashkëjetesa, solidariteti, përkushtimi dhe profesionalizimi, janë vlera të FSK-së dhe tërë shoqërisë në Kosovë.

Presidenti Thaçi i ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e NATO-s.

“Ata i sigurojmë që Forca e Sigurisë së Kosovës do të mbetet forcë shumetnike që do t’i shërbejë çdo qytetari të Kosovës, pa dallim feje dhe etnike. Do të bëhet faktor i sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, ka theksuar Thaçi.

Ceremonia në kazermën "Adem Jashari"
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:59 0:00

​Ai ka porositur partnerët ndërkombëtarë se mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen e Kosovës ndaj tyre, është duke e kthyer vendin në një eksportues të paqes dhe sigurisë.

“Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të bëhet në bashkëpunim dhe në koordinim me NATO-n dhe partnerët tanë në botë, të cilët dëshirojnë që të ketë paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe rajon, për çka edhe po investojmë”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova po hyn e fundit në rreshtin e ushtrive të paqes në botë.

“Porosia që e çon Kosova sot, është se paqen e kemi fituar me shumë dhimbje, për paqe na kanë ndihmuar aleatët tanë. Jemi të fundit që kemi mbërritur në paqe dhe të fundit do ta lëmë paqen. Nuk mund të na largojë askush nga rreshti i paqes”, është shprehur Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se ushtrive të paqes u prinë Amerika, duke nënvizuar se Kosova, edhe si popull, edhe si ushtri, e ka nder të rreshtohet pas Amerikës.

Ai ka theksuar se me miratimin e ligjeve që i japin kompetenca shtesë FSK-së, janë gëzuar të gjithë.

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë ceremonisë zyrtare
Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë ceremonisë zyrtare

“Nuk do të zhvillojmë doktrinë mbrojtëse dhe nuk do të veprojmë që ushtria asnjëherë të kthehet kundër popullit të vet. Këtë e dinë ata që jetojnë rreth nesh se sa të respektuar janë komunitetet nga shqiptarët".

“Kurrë Ushtria e Kosovës nuk do të kthehet kundër askujt, pra jo kundër popullit të vet. Serbët, si në jug, si në veri, janë njerëz të këtij vendi, ushtria është e tyre, ata nesër kanë për të shërbyer në këtë ushtri dhe jo vetëm ata, por të gjithë që jetojnë në Kosovë”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se kjo është një ditë të cilën, sipas tij, “brezat që do të vijnë, do ta kujtojnë me respekt e krenari”.

“Historia është kronikë e ndryshimeve njerëzore në kohë, kjo e vërtetë, natyrshëm vlen edhe për historinë tonë të dhimbshme. Por, në rrjedhën e ndryshimeve tona historike, një gjë gjithmonë ka qenë konstante”.

“Ne jemi pjesëtarë të një kombi, i cili gjatë tërë ekzistencës së tij, asnjëherë nuk e sulmoi askënd, asnjëherë nuk ushqyem ambicie në dëm të të tjerëve, në zemrat tona kurrë nuk zuri vend urrejtja ndaj të tjerëve, në vendimin tonë politik kurrë nuk gjetën vend ideologjitë kundër të tjerëve, edhe pse në shumë raste ishim vetë viktimë e këtyre ideologjive - krejt çka deshëm ishte të mbrojmë veten tonë, atdheun tonë, dinjitetin tonë dhe lirinë tonë”, është shprehur Veseli.

Shqetësime në Beograd

Përderisa në Prishtinë, 14 dhjetori cilësohej si ditë historike, në Beograd kishte shqetësime.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka deklaruar të premten që për të është “një ditë e rëndë”, porse Serbia do ta vazhdojë rrugën e paqes. Deklaratën e tillë Brnabiq e ka bërë duke e komentuar vendimin e autoriteteve të Prishtinës për transformimin në Ushtri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, vendim ky i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës.

“Për mua kjo është ditë e rëndë. Nuk është ditë që i kontribuon bashkëpunimit në rajon”, ka thënë Brnabiq për mediat serbe.

Një atmosferë ndryshe me Prishtinën dhe qytetet tjera të banuara nga popullata shumicë shqiptare, mbizotëronte në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me popullatë serbe, ku sheshet e Mitrovicës Veriore janë mbushur me flamuj të Serbisë. Deputetët e Listës Serbe kanë bojkotuar seancën, duke kundërshtuar kështu vendimin për Ushtrinë.

Nga veriu i Kosovës, ku jetojnë popullata shumicë serbe, janë dërguar porosi se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ka të drejtë të shkojnë në veri.

Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, në një konferencë për media ka thënë që vendimi i autoritete të Prishtinës është i papranueshëm për serbët dhe se nuk ka asnjë fuqi. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve, por edhe të jenë syçelur.

Hezitime në NATO dhe përkrahje nga SHBA-ja

Transformimi i kësaj Force nuk arriti të sigurojë mbështetjen e plotë të NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ky transformim po ndodh në një “kohë të papërshtatshme” dhe i tërhoqi vërejtjen Prishtinës se nëse do të ndërmarrë hapin e transformimit “do të përballet me pasoja”.

Por, në Prishtinë deklarata të tilla u panë si reflektim i qëndrimeve të disa vendeve anëtare të NATO-s, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Autoritetet e Kosovës besojnë se e kanë mbështetjen e nevojshme të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake.

#Hashtag: Qytetarët "duartrokasin" qëndrimin e SHBA-së për FSK-në

Qytetarët "duartrokasin" qëndrimin e SHBA-së për FSK-në
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:12 0:00

Për dallim nga NATO, e cila ka në përbërje të vet shumë shtete, Qeveria Amerikane përmes ambasadorit të saj në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se votimi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës është historik për Kosovën.

Kosnett, po ashtu, ka thënë se siguria e një vendi varet nga cilësia e marrëdhënieve të sigurisë që ka.

“Teksa Kuvendi vepron sot, le të rikujtojmë se siguria e një vendi varet nga cilësia e marrëdhënieve të tij të sigurisë dhe marrëdhëniet paqësore dhe bashkërisht të dobishme me fqinjët e saj, por edhe nga forca dhe profesionalizmi i forcave të saj të armatosura”, ka thënë Kosnett.

Forca e Sigurisë se Kosovës, javën e kaluar është pajisur me 24 automjete ushtarake të tipit “Humvee”, të cilat kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Automjetet e tipit Humvee të FSK-së
Automjetet e tipit Humvee të FSK-së

​Autoritetet e Kosovës janë zotuar në vazhdimësi se transformimi i FSK-së do të bëhet në koordinim me NATO-n dhe shtetet që Kosova i konsideron si aleate, duke veçuar sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

FSK nuk e zëvendëson KFOR-in

Forca e Sigurisë së Kosovës do të nisë rrugën drejt shndërrimit në Ushtri, rolin dhe mandatin mbrojtës në Kosovë do të vazhdojë ta ketë forca paqeruajtëse dhe shumëkombëshe e KFOR-it.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se “FSK-ja nuk do ta zëvendësojë KFOR-in”.

“Prezenca e NATO-s në shtetin tonë do të jetë gjithmonë e mirëpritur. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s, duam të punojmë me ju. Me tranzicionin, FSK-ja është e gatshme të shërbejë me ju, me forcat e juaja të armatosura gjithkund në botë”, ka deklaruar Haradinaj.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në një raport të publikuar thotë se tranzicioni i FSK-së në ushtri nuk do të ketë ndikim të menjëhershëm përderisa është një proces që do t’i marrë 7-10 vjet.

“Ndërtimi i kapaciteteve të saj, sigurisht se pritet të bëhet bazuar në mbështetjen bilaterale të shteteve përderisa NATO, ashtu sikurse në rastin e mandatit aktual, ka një hapësirë shumë të ngushtë veprimi për shkak të mungesës së konsensusit. Mandati i kufizuar për qëllime të vetëmbrojtjes është në shërbim të ruajtjes së paqes, jo luftës”, thekson QKSS-ja.

*Video nga arkivi: Rruga e gjatë për ta bërë ushtrinë

Rruga e gjatë për ta bërë ushtrinë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:59 0:00

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës. Kjo Forcë, është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, por misioni dhe kapacitetet e saj, nuk përkuan me ambicien e institucioneve, që Kosova ta ketë ushtrinë e saj.

Pas përfundimit të konfliktit të armatosur të vitit 1999, në marrëveshje me NATO-n, ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës, si forcë për emergjenca. Kjo Trupë më pas ishte shndërruar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndërkaq, hapi tjetër, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte që kjo Forcë të transformohej në Forcat e Armatosura të Kosovës. Por, një hap i tillë nuk arriti të realizohet për shkak të pamundësisë së ndryshimeve kushtetuese, të cilat mund të bëhen vetëm me votën e deputetëve të komuniteteve pakicë në Kuvend, përkatësisht votat e deputetëve serbë.

Andaj, institucionet e Kosovës zgjodhën që shtimin e kapaciteteve ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës ta bëjnë përmes ligjeve, pa prekur edhe emrin e FSK-së.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG