Ndërlidhjet

Partitë betonojnë ndasitë rreth dialogut


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi.

Partitë politike në pushtet dhe ato në opozitë nuk po arrijnë të unifikohen rreth një platforme të përbashkët për dialogun me Serbinë. Partitë në opozitë konsiderojnë se shanset që Kosovë të ndërtojë një platformë për bisedime me Serbinë vetëm sa po vështirësohen.

Partia Socialdemokrate (PSD) së fundi përmes një rezolute ka kërkuar unifikim të partive politike të Kosovës për dialogun me Serbinë. Por, pavarësisht kësaj rezolute dhe shumë rezolutave tjera të propozuara nga subjektet politiket, ende nuk është arritur një konsensus ndërmjet forcave politike për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti thotë për Radion Evropa e Lirë se është tepër e nevojshme që të gjitha forcat politike parlamentare të ulen dhe të dakordohen se si t’i qasen situatës së krijuar në dialogun me Serbinë.

Por, ai thotë se fillimisht, Kosova do të duhej të ketë institucione stabile. Sipas tij, vetëm zgjedhjet e reja u sigurojnë legjitimitetin atyre që udhëheqin Kosovën dhe përfaqësojnë në dialogun me Serbinë.

“Problemi është i institucioneve që nuk janë legjitime, që nuk kanë shumicë parlamentare dhe që nuk përfaqësojnë shumicën e qytetarëve të vendit, ky është problemi ku ne kemi ngecur. Nga muaji prill kemi kërkuar që të ulemi ta nxjerrim vendin nga kriza, çdo ditë që po kalon po thellohet më tutje kriza, tash edhe me vendimet e fundit të Qeverisë është komplikuara situata në komunat në veri, por edhe të përfaqësuesve të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës”, thotë Hoti.

Kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri javën e kaluar janë dorëhequr, si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për prodhimet e Serbisë.

Ky veprim i kryetarëve ka thelluar situatën politike në atë pjesë të vendit. Paraprakisht, Lista Serbe, ndonëse përfaqësohet në Qeveri, në Kuvend ka dalë në opozitë, me çka ka ndikuar që koalicioni qeverisës ta humbë shumicën.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Sami Kurteshi thotë për Radion Evropa e Lirë se për të arritur ndërtimin e një platforme për bisedime me Serbinë duhet një Qeveri me legjitimitet.

Ngjashëm si LDK-ka, edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje në mënyrë që të hapen rrugët e zgjidhjes së probleme që janë krijuar në vend.

“Nuk shoh ndonjë synim apo dëshirë të partive në pushtet të ndërtojnë një platformë të përbashkët sepse këtë nuk po e lejon presidenti Hashim Thaçi. Edhe nëse ka ndonjë dëshirë nga partitë parlamentare, Thaçi nuk është i interesuar që të ketë një platformë për bisedime me Serbinë. Opozita ka qenë e interesuar që të bëjë një analizë. Vetëvendosje ka nxjerrë një platformë, por ajo nuk ka kaluar. Unë them se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet”, thotë Kurteshi.

Në Kuvendin e Kosovës janë propozuar variante të ndryshme të rezolutave për dialogun me Serbinë, për të cilat deputetët e partive në pushtet dhe opozitë, kishin dhënë mendime të ndryshme.

Përfaqësuesit e partive politike në pushtet thonë se Kosova duhet të jetë unike gjatë dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që të ruhet sovraniteti dhe integriteti.

Zenun Pajaziti, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), subjekt ky politik brenda koalicionit qeverisës, thotë për Radion Evropa e Lirë se dialogu me Serbinë është rruga e vetme për t’i zgjidhur problemet.

Ai shton se presin nga paritë në opozitë që bashkërisht të ndërtohet një platformë për dialogun dhe për raportet me Serbinë.

“Partia Demokratike e Kosovës në mënyrë të përsëritur e ka thënë dhe ka zhvilluar disa veprime në mënyrë të nxjerrjes së një platforme të përbashkët për dialogun. Ne ende mendojmë që alternativë e vetme për të zgjidhur të gjitha problemet që i kemi në rrugëtimin tonë integrues edhe ne edhe vendet fqinje është dialogu sidomos me Serbinë. Ne mirëpresim çdo angazhim të partive politik dhe mirëpresim një reflektim të opozitës që sa më shpjet që të jetë e mundur të ulemi bashkë dhe të ndërtojmë një platformë dhe të shohim të gjithë së bashku një zgjidhje të problemeve përmes dialogut që i kemi me Serbinë”, thotë Pajaziti.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në dy nivele, atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga presidentët e shteteve apo kryeministrat, dhe niveli teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve, ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve nga të dyja shtetet. Fillimisht, bisedimet nisën me takimet në nivelin teknik në mars të vitit 2011.

Por, ndërkohë, po me lehtësimin e Brukselit, u iniciuan edhe takimet në nivelet më të larta politike. Aktualisht palët thuhet se janë duke punuar në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por çështja është komplikuar nga momenti kur presidentët e të dyja vendeve kanë folur edhe për mundësinë e ndryshimit të kufijve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG