Ndërlidhjet

Rritje e interesimit të grave për t’u bërë pjesë e FSK-së 


Pjesëtare të FSK-së
Pjesëtare të FSK-së

Në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë edhe 274 pjesëtare femra, të cilat mbajnë të veshur uniformën dhe përballen me sfidat dhe situatat e veçanta që kërkon misioni i kësaj force.

Interesimi i grave për t’u bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka shënuar rritje gjatë viteve të fundit.

Halime Morina, shefe e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazisë Gjinore në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë tha se që nga viti 2009 deri në vitin 2015, FSK-ja ka vazhduar me procesin e rekrutimit, me ç’rast në vitin 2018 është vërejtur një rritje e interesimit nga ana e grave për 3 për qind për t’iu bashkuar FSK-së.

"Në vitin 2015 është përmbyllur fushata e rekrutimit për pjesëtaret aktive në Forcën e Sigurisë së Kosovës, bazuar në statistikat e departamentit të personelit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga viti 2009 deri në vitin 2018, numri i grave dhe vajzave është rritur dukshëm nga 3% sa ishte në vitin 2009, në rreth 9% në vitin 2018 ", tha Halimi.

Sipas Halimit, gratë që shërbejnë në FSK mbajnë grada të ndryshme, por më e larta është grada gjeneral brigade.

"Gjithsej numri i grave dhe vajzave në Ministri të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës është 274 ose shprehur në përqindje, rreth 9.67 për qind. Ndërsa numri i grave në uniformë është 221, prej tyre 13 kadete dhe pjesëtare të komponentes rezervë të FSK-së. Ndërsa kur flasim për grada, grada më e lartë është gjeneral brigade”.

“Ushtaraket në FSK mbajnë pozita të rëndësishme në nivel komandues, si komandant i komandës së doktrinës dhe stërvitjes, komandant kompanie, komandant togu e tjera. Numri i oficereve femra është 22 ose 6.21% në kuadër të numrit të përgjithshëm të oficereve në FSK", tha Halimi.

Ndërsa, Rudinë Jakupi, hulumtuese nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë tha për Radion Evropa e Lirë se përfaqësimi i grave në Forcën e Sigurisë së Kosovës është në nivel të mirë, por sipas saj, ende duhet të punohet që gratë të cilat shërbejnë në FSK, të kenë ngritje të karrierës.

"Unë mendoj që përfaqësimi i grave në sektorin e sigurisë, konkretisht në FSK, është në nivel të kënaqshëm. Deri tash, sa unë kam informata, pjesëmarrja e grave në FSK është diku rreth 8 për qind. Megjithatë, edhe pse mendoj që kjo përqindje është në një nivel të kënaqshëm, gjithmonë ka hapësirë për përmirësim dhe mendoj që një fokus shumë më i madh duhet të jepet tek pika e ngritjes së grave në karrierë, do të thotë brenda FSK-së duhet të përkushtohen pak më shumë dhe t’u japin pak më shumë vëmendje krijimit të mekanizmave edhe pse jo edhe diskriminim pozitiv në mënyrë që gratë ta kenë pak më të arritshme ngritjen në karrierë edhe ngritjen nëpër grada brenda forcës ", tha Jakupi.

Hashtag: Kur dhe si do të bëhet Kosova me ushtri?

Sipas Jakupit, për gratë që zgjedhin të punojnë në këtë sektor të sigurisë duhet të krijohen mekanizma dhe kushte që ato të akomodohen sa më mirë aty.

"Duhet të krijohen mekanizma dhe kushte që gratë të mos ndjehen të pasigurta brenda vendit të punës së tyre dhe ato të ndjehen të sigurta në disa nivele operative përbrenda FSK-së këtu duke i përfshirë edhe trajnimet fizike", tha ajo.

Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës për çdo vit rekruton edhe kadetë të rinj për qendrën e studimeve universitare të FSK-së, me ç’rast këtë vit nga 31 gra sa kanë konkurruar janë përzgjedhur 4.

Forca e Sigurisë së Kosovës është në fazën finale të tranzicionit. Pritet që gjatë muajit dhjetor, kjo Forcë të fitojë kapacitete shtesë, që i japin asaj një mandat gradual drejt shndërrimit në ushtri të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG