Importi i produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina në tregun e Kosovës, pothuajse është ndërprerë tërësisht. Tetë ditë pas vendosjes se taksës në 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për produktet me origjinë nga këto dy shtete, vetëm dy ngarkesa (një nga Serbia dhe një nga Bosnja) kanë hyrë në territorin e Kosovës, thonë zyrtarë të Doganës së Kosovës.
Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, në një bisedë për Radion Evropë e Lirë, tregon se nga rreth 120 maune, në vlerën mbi 1.2 milion euro, kanë hyrë vetëm gjatë një ditë me mallra serbe në Kosovë. Kurse, që nga zbatimi i taksës nga ky shtet është zhdoganuar vetëm një maune e ngarkuar me lëndë të parë nga ky shtet.
“Vlera e produkteve të Serbisë ka rënë në vlera minimale. Realisht, nëse para marrjes së ndalesës kemi pasur rreth 120 maune nga Serbia dhe Bosnja, kryesisht nga Serbia, tash pas marrjes së vendimit 100 për qind, ne kemi parë që brenda kësaj periudhe kur është aplikuar vendimi, ka pasur hyrje minimale. Deri më tani, zhdoganimin e kanë përfunduar vetëm dy ngarkesa. Të dyja kanë qenë me lëndë të parë, njëra nga Bosnja dhe tjetra nga Serbia. Këto dy ngarkesa kanë paguar taksën 100 për qind”, tha Stavileci.
*Video: Ndalet qarkullimi i mallrave nga Serbia. Merdare, 23 nëntor, 2018.
Në anën tjetër, për të parandaluar dhe luftuar krimin ndërkufitar, Policia e Kosovës thotë se në bashkëpunim dhe bashkërendimin të aktiviteteve me KFOR, ka shtuar prezencën në pjesën veriore të Kosovës.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind, është thënë të ketë qenë shkas që katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës, të cilët i takojnë Listës Serbe, të japin dorëheqje nga pozitat e tyre, më ç’rast kanë thënë se “administrimi i qeverisjes lokale nga ana e Prishtinës në veri më nuk ekziston”.
Edhe zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të heqin tarifat.
Por, pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj edhe ditën e enjte përsëriti qëndrimin se nuk do të shfuqizohet taksa derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Ky vendim sado që po vlerësohet si kalkulim ditor, planifikoni se mund të mbetet shumë gjatë, aq gjatë sa nuk do të ndodhë njohja e Kosovës nga Serbia, aq gjatë sa nuk do të ndodhë një marrëveshje e përgjithshme midis dy vendeve. Është pjesë e pakos përfundimtare të marrëveshjes së njohjes Kosovë – Serbi”, u shpreh kryeministri Haradinaj.
Megjithatë, ai tha se kjo tarifë, nuk është bërë kundër serbëve të Kosovës, përderisa iu bëri thirrje institucioneve që të ndihmojnë banorët serbë në veri dhe jug të vendit, në furnizime.
“Të bëjmë kujdes për serbët e Kosovës. T’i furnizojmë edhe në veri edhe në jug. Dogana të respektojë një të drejtë ligjore që deri 175 euro blerje personale nuk kanë tarifë. E nëse serbët furnizohen për familjet e veta në brezin kufitar, të mos pengohen. E kemi liruar po ashtu edhe Kishën për blerje”, tha Haradinaj.
*Hashtag - Deri kur taksë 100% për importet e Serbisë dhe Bosnjës?
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për aplikimin e takës doganore në vlerën 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, ka ndikuar në ngritjen e çmimeve të disa artikujve të domosdoshëm ushqimor në Kosovë. Nga produktet e domosdoshme ushqimore të shtrenjtuara, janë, mielli, buka, sheqeri dhe vaji.