Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë që të heqin taksën mbi mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, njoftoi Departamenti i Shtetit.
Pompeo po ashtu i bëri thirrje Kosovës që të shfrytëzojë mundësinë unike për të arritur "marëveshje historike" për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
Pompeo thuhet t'i ketë bërë këto komente në takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Uashington.
Sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca e Kosovës, Thaçi tha se SHBA-ja e mbështet Kosovën për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë.
Javën e kaluar, Kosova u ka vënë taksë 100% të gjitha mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja.
Tarifa ka shkaktuar reagime në Beograd dhe Sarajevë, ndërsa Bashkimi Evropian po ashtu ka bërë thirrje për heqjen e saj.