Ndërlidhjet

Opozita i fajëson Thaçin e Pacollin për gjendjen në politikën e jashtme


Ka përfunduar pa ndonjë rezultat seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita.

Deputetët nuk arritën të votojnë një rezolutë të propozuar nga opozita e që kishte të bënte me dorëheqjen e Qeverisë. Nga 61 deputetë të pranishëm në seancë, vetëm 37 prej tyre votuan për.

Në seancën e jashtëzakonshme u debatua për politikën e jashtme. Sipas dy partive opozitare që e iniciuan këtë debat, Lidhjes Demokratike e Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës nuk kanë të ndalur.

Kurse, dy përgjegjësit kryesor për këtë gjendje, sipas opozitës, janë presidenti Hashim Thaçi me lansimin e idesë për korrigjim e ndryshim të kufijve dhe ministri i jashtëm Behgjet Pacolli, i cili sipas opozitarëve, është duke shkaktuar më shumë dëme sesa dobi me politikën e tij në planin e jashtëm.

Deputetja Vjosa Osmani, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se qeveria dhe presidenti i Kosovës kanë arritur që brenda një viti ta shkatërrojnë orientimin gjeostrategjik që ka mbajtur për vite me radhë Kosova. Sipas saj, ideja e ndryshimit të kufirit, ka sjellë si rezultat rikthimin e debateve për statusin e Kosovës.

Ajo ka akuzuar presidentin Thaçi për aleanca me Rusinë, çka sipas saj e dëshmon ideja e tij për ndryshim të kufirit dhe prishje të partneritetit të Kosovës me botën perëndimore.

“Nga presidenti i vendit kur kërkohet të mos nënshkruaj asgjë në raport me shtetet e tjera pa bekimin e Gjermanisë, ai mburret se përkundër bekimit të Gjermanisë e ka atë të Rusisë. Kosova ka shënuar vetëm një njohje ndërkombëtare dhe atë nga Barbadosi gjatë këtij viti dhe asnjë anëtarësim përmbajtjesor në ndonjë organizatë të rëndësishme. Ka dështuar të kapitalizojë ndonjë sukses të vetëm në politikë të jashtme dhe dështimi më eklatant ishte ky i INTERPOL-it ”, tha Osmani.

Nisur nga këto qëndrime, Osmani tha se LDK dhe Vetëvendosje kërkojnë që Kuvendi të miratojë një rezolutë me të cilën kërkohet tërheqja e Qeverisë së Kosovës, që në fakt nënkupton dorëheqjen e saj.

“Qeveria e Kosovës të jap dorëheqje për t’i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja të cilat duhet ta konsolidojnë dhe ta forcojnë shtetësinë e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, në përputhje me orientimet e saj gjeopolitike për integrime euro-atlantike”, tha Osmani.

Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Albin Kurti tha se përfaqësuesit e politikës së jashtme nuk kanë kredibilitet që të përfaqësojnë vendin në arenën ndërkombëtare.

"Sa më shumë lobojnë këta, aq më keq bëhet. Qysh moti na kanë premtuar njohje nga Serbia dhe anëtarësim e askund s’jemi. Kjo nuk ka ndodhur, sepse politika e jashtme është edhe politikë e brendshme. Miliona janë dhënë për lobim e për anëtarësim në Organizata Ndërkombëtare, ndërkaq që pagat janë shumë të ulëta. Përfaqësuesit e politikës së jashtëme janë pa dije. Ata lobojnë si t’ua dojë mendja. Nuk mund të lobosh me qasje biznesmeni për INTERPOL", është shprehur Kurti.

Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se politika e jashtme i ka mangësitë e veta, mirëpo sipas tij, Kuvendi duhet të nxjerrë temat më me rëndësi në të cilat duhet të fokusohet diplomacia.

“Politika e jashtme i ka të metat e veta dhe ka vend për kritikë. Besoj që kjo është e drejtë të thuhet. Dëshira do të ishte që nga kjo seancë të nxjerrim detyrat dhe obligimet që janë me më shumë rëndësi, dhe të japim rekomandime sa më të qarta”, u shpreh Haradinaj.

Gjatë kësaj seancë, deputetët e partive politike në pushtet nuk kanë qenë shumë aktivë. Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, deputetja Evgjeni Thaçi -Dragusha tha se Kosova po përballet me sfida te ndryshme. Sa i takon çështjes se diplomacisë së Kosovës ajo tha se me gjithë vështirësitë, Kosova po shënon progres në këtë rrafsh.

"Takimet e nivelit të lartë që nga departamenti i shtetit e deri të ekzekutivi amerikan, por edhe shumë takime të tjera me delegacione nga e gjithë bota bëri që Kosova të marrë mbështetje për proceset në të cilat po kalon siç është shndërrimi i FSK-së në ushtri, bisedimet me Serbinë lidhur me arritjen e marrëveshjes finale mes dy shteteve e të tjera. Samiti i FrankoFonisë i mbajtur në Jervan të Armenisë ishte një sukses i pakontestuar për Kosovën, me ç'rast nga vëzhguese Kosova u bë anëtare e asociuar", tha Thaçi- Gragusha.

Seanca e jashtëzakonshme u thirr dy ditë pasi Kosova dështoi të anëtarësohet në organizatën ndërkombëtare të policisë, INTERPOL.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, nuk mori pjesë në këtë seancë dhe ka kërkuar nga Kuvendi që kjo seancë të shtyhet për një ditë tjetër për shkak të agjendës së tij.

Në seancë nuk ishin të pranishëm as deputetët e Listës Serbe, të cilët sipas paralajmërimeve, po qëndrojnë në Beograd, ku do të priten nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të diskutuar në lidhje me taksën doganore ndaj prodhimeve nga Serbia dhe Bosnja të vendosur nga autoritetet e Kosovës.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG