Ndërlidhjet

Pengesat e fundit në rrugëtimin drejt heqjes së vizave


Pamje nga ndërtesa e Parlamentit Evropian në Bruksel.
Pamje nga ndërtesa e Parlamentit Evropian në Bruksel.

Autoritetet në Prishtinë presin që në fund të këtij viti, vendet anëtare të Bashkimit Evropian të marrin vendim pozitiv lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Vendimi i ardhshëm i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian në lidhje me liberalizimin po pritet me vëmendje të shtuar, jo vetëm nga qytetarët, por edhe vetë zyrtarët e institucioneve.

Njohësit e integrimeve evropiane thonë se përfaqësuesit e institucioneve nuk duhet të nguten e të japim afate kohore e as data për liberalizimin e vizave, pasi që sipas tyre, vendimet në Këshillin e Ministrave të BE-së janë politike dhe mund të ndryshojnë.

Analisti i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se ka vende në Bashkimin Evropian që janë ende skeptike lidhur me atë se a janë përmbushur kriteret dhe reformat e duhura për këtë proces.

"Skepticizmin e kemi parë kryesisht në tri vende, që është Gjermania, Franca dhe Holanda, vende të cilat kanë votuar në masë më të madhe kundër sa i përket këtij procesi dhe kanë hezitime - e këtu kryesisht po flas për Holandën dhe Francën - kurse Gjermania ka një lloj hezitimi. Kjo është vërejtur në Parlament dhe pak a shumë është indikacion edhe i pozicionimit të këtyre vendeve anëtare të BE-së në vendimin të cilin do ta marrin në Këshill", thotë Kryeziu.

Kryeziu thotë se vendimmarrjet politike në Bashkimin Evropian ndikohen në forma të ndryshme.

Ai thotë se në një vendim mund të ndikojë gjendja në sistemin e drejtësisë, migrimi i mundshëm, por edhe temat e fundit të hapura në raporte me dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë.

"Çdo marrëveshje që Kosova e arrin me Serbinë duhet të jetë e qëndrueshme, duhet të jetë marrëveshje e cila mbështetet nga qytetarët, dhe nën tre është marrëveshje e cila prodhon stabilitet dhe jo destabilitet në rajon. Prandaj, nëse ne flasim për tema të korrigjimit të kufijve, shkëmbim i territorit e ide të tilla, kjo është një shuplakë fytyrës për të gjitha ato shtete të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës në këta kufij", tha Kryeziu.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se shqetësimi në Bashkimin Evropian lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën është migrim ilegal, e jo dialogu me Serbinë dhe temat e ndryshme.

"Dialogu edhe liberalizimi i vizave janë dy procese që nuk janë të ndërlidhur me njëra-tjetrën, prandaj për ne mbetet prioritet i dorës së parë të tregojmë cilat punë i kemi bërë në këto gjashtë vjetët e fundit dhe si i kemi përmbushur kriteret. Shqetësimet të cilat janë sa i takon liberalizmit të vizave kanë të bëjnë më atë se si do të reflektohet të lëvizja e lirë e qytetareve pa viza. Pra, shqetësimi bazik në Evropë është menaxhimi i njerëzve që të mos ketë një valë të madhe të njerëzve, të cilët do të mund të lëvizin pa viza drejt Evropës, gjë që nuk do të ndodhë", tha Hoxhaj.

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka theksuar së fundmi se Kosova e ka mbështetjen e tij për procesin integrues, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave.

Hahn ka bërë thirrje që Kosova të vazhdojë me reformat, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike dhe të bërit biznes.

Donika Kadaj - Bujupi, anëtare e Komisioni për Integrime Evropiane, nga partia në pushtet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se të gjitha institucionet e vendit duhet të punojnë dhe bashkëpunojnë në mënyrë që liberalizimit të vizave të ndodhë sa më parë.

Ajo thotë se të gjitha atë zëra që mund të paraqesin probleme në këtë rast janë kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj.

"Sa i takon çështjes së kufijve, ne jemi të qartë në pozicioni tonë. Do të thotë se nuk ka shkëmbim, nuk ka ndryshim dhe çfarëdo teme për hapje eventuale në këtë fazë do të shkaktojë më shumë dëme, jo vetëm për liberalizim, por edhe çështje të tjera sesa që do të ketë ndonjë progres në ketë drejtim", tha deputetja Kada- Bujupi.

Pas rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian dhe votimit në favor të liberalizimit nga Parlamenti Evropian, sfida kryesore në këtë proces për Kosovën mbetet në Këshillin e Ministrave, ku ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së i japin vlerësimet e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG