Ndërlidhjet

Kush do të bëjë verifikimin e prokurorëve dhe gjykatësve?


Ilustrim
Ilustrim

Mekanizmat ndërkombëtarë do të duhej të monitoronin nga afër procesin e verifikimit, i njohur në termin ndërkombëtar edhe si “vetting”. Ky proces, po konsiderohet i domosdoshëm të bëhet në Kosovë, sidomos për gjyqësorin, prokuroritë dhe organet e ndjekjes penale.

Verifikimi apo vetting-u, sipas tyre është i domosdoshëm të ndodhë sa më shpejt, në veçanti tani kur sistemi i drejtësisë në Kosovë mbetet i ekspozuar ndaj ndikimit politik.

Afera për rastin e njohur si ‘Pronto’ dhe rasti i fundit i dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj, janë vetëm dy nga rastet që thuhet se tregojnë ndikimin politik mbi sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Vigan Qorolli, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se verifikimi duhet të bëhet me një operacion ndërkombëtar të monitorimit, dhe pa pjesëmarrje të politikës.

“Ky verifikim duhet të bëhet siç po ndodh aktualisht në Shqipëri dhe siç ka ndodhur gjithandej në vendet e ish-lindjes komuniste nga një operacion ndërkombëtar i monitorimit, i cili do të udhëhiqet kryesisht nga njerëz ndërkombëtarisht të pranueshëm. Pra, vettingu të monitorohet nga ndërkombëtarët, të cilët do të ishin profesorë, gjyqtarë nga shtetet më demokratike në botë”, shton Qorolli.

Një verifikim për gjyqësorin, prokuroritë dhe organet e ndjekjes penale në përgjithësi, thotë Qorolli, do të duhej dhe është domosdo të ndodhte sa më parë.

“Duhet të bëhen minimumi tri verifikime: e para e pasurisë së tyre, e dyta e pastërtisë së fytyrës së tyre që nënkupton një lloj moderniteti dhe zhvillime të krahasueshme me rrethana të reja dhe jo të zëmë njerëz, të cilët u kanë shërbyer sistemeve të kaluara dhe e treta verifikimi i punës së tyre të deritanishme, nëse eventualisht ata vetë kanë rënë në kundërshtim me ligjin dhe mund potencialisht të kenë nxjerrë vendime në kundërshtim me ligjin”, thekson ai.

*(Video nga protesta e së mërkurës në të cilën u kërkua shkarkimi i kryeprokurorit Lumezi dhe procesi i vettingut)

Sërish protestë kundër Lumezit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:22 0:00

Në anën tjetër, Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, institut ky i cili monitoron punën e sistemit të drejtësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i verifikimit do të duhej të përfshinte në detaje Policinë, Prokurorinë dhe Gjyqësorin.

“Duhet përfundimisht që policët, prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar dhe pa integritet të largohen nga sistemi dhe ata që janë prokurorë të mirë, policë të mirë, e gjyqtarë të mirë, të vijnë në shprehje në një sistem të drejtësisë, i cili duhet të ndajë drejtësi, e jo të bëjë këtë që është duke e bërë tani”, thotë Musliu.

Mirëpo,procesi i verifikimit në sistemin e drejtësisë në përgjithësi, shton Musliu, duhet të udhëhiqet nga faktori ndërkombëtar.

“Procesi i vettingut duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe përmes Ligjit të vettingut, ndërsa si proces kemi rekomanduar që të udhëhiqet nga SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe këto janë vende që qytetarët e Kosovës besojnë për shkak të ndihmës së madhe që ato shtete kanë dhënë në të gjitha fushat në Kosovë në veçanti në sundimin të ligjit”, thekson Musliu.

Ndërkohë, përfaqësues të shoqërisë civile, kanë protestuar dy herë më radhë kundër ndërhyrjeve dhe presioneve politike, siç thonë ata, në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Protestuesit, po ashtu, kanë kërkuar fillimin e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Institucionet e Kosovës, sidomos ato të sundimit të ligjit, janë ndihmuar në dhjetë vjetët e fundit edhe nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX.

Por, sipas vlerësimeve të bëra po nga organizatat joqeveritare, edhe ky mision nuk i kishte përmbushur pritjet, sidomos kur bëhet fjalë për rastet e cilësuara të ndjekjes dhe gjykimit të rasteve të nivelit të lartë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG